Zgjedhjet e Gjermanisë marrin formë. Të Gjelbrit dhe Demokristianët zgjedhin kandidatët për kancelar
Kontrasti ishte i dukshëm. Partia e Gjelbër e Gjermanisë ka shpallur Annalena Baerbock, si kandidaten e parë për kancelare, post i cili do të mbetet bosh kur Angela Merkel të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve në shtator.
Zonja Baerbock, deputete 40-vjeçare, kishte fituar miratimin e bashkudhëheqësit Robert Habeck, dhe të dy e kanë kthyer Partinë e Gjelbër nga një parti e papërfillshme, në një udhëheqëse të mundshme të qeverisë. Procesi ishte i organizuar mirë, rezultati u komunikua qartë. Miratimi i zonjës Baerbock, në kongresin e partisë në qershor, do të jetë formalitet.
Ndërkohë, konservatorët në pushtet, pra Unioni Demokristian i zonjës Merkel (CDU) dhe aleati i saj bavarez, Unioni Social Kristian (CSU), u përfshinë në një betejë të egër për zgjedhjen e kandidatit. Më 20 prill, pas një jave negociatash të tensionuara, Markus Söder, shefi i CSU, më në fund ia dorëzoi vendin Armin Laschet, homologut të tij në CDU, një figurë shumë më pak popullore. Zoti Laschet përballet me një skepticizëm të madh brenda koalicionit dhe më gjerë. Procesi ishte “vetëshkatërrues”, ankohet Karin Prien, anëtare e bordit të CDU, megjithëse ajo pret që plagët të shërohen.
Të gjitha partitë e mëdha të Gjermanisë e kanë zgjedhur kandidatin. (Vitin e kaluar, Social Demokratët, një partner i vogël i koalicionit CDU/CSU, emëruan Olaf Scholz, ministrin e Financave dhe nënkancelarin.) Largimi i zonjës Merkel do të thotë se kjo do të jetë fushata e parë pa një kancelar në krye, që nga themelimi i republikës pas luftës.
Laschet
Laschet shpesh shihet si kandidati që do të ndjekë politikën e Merkel në CDU. Ai e mbështeti zonjën Merkel në krizën e refugjatëve, momentin e saj më të brishtë, megjithëse është përplasur me të gjatë pandemisë. Ai ndjek politikat tradicionale të CDU-së në çështjet fiskale dhe është skeptik për masat e fuqishme për të frenuar ndryshimet klimatike. Scholz pretendon se është një zgjidhje e sigurt, me një nuancë të butë social-demokratike. Një njeri me përvojë, i sigurt në vetvete dhe paksa i plogët, sfida e tij më e madhe janë rezultatet e ulëta të partisë së vet në sondazhe.
Baerbock
Zonja Baerbock, një figurë jo shumë e njohur jashtë rretheve partiake, derisa fitoi kandidaturën për bashkudhëheqje në vitin 2018, është një perspektivë krejt tjetër. Kandidatura e saj do të provojë ose do të hedhë poshtë dy bindje në lidhje me vendin. Së pari, se 16 vitet e Merkelizmit dhe një vit i pandemisë hera-herës të pamenaxhuar mirë, kanë nxitur dëshirën për ndryshim në një pjesë të madhe të vendit.
Së dyti, nëse zonja Baerbock, e cila ndërthur prirje politike qendrore me një stil optimist në komunikim, është një përcjellëse e besueshme e këtij ndryshimi. Në një fjalim të ngrohtë, gati patriotik, në pranimin e kandidaturës, ajo lavdëroi risitë gjermane, nga biçikletat, tek vaksinat Covid-19, duke shtuar se “duhet të bëhen ndryshime”.
Mesazhi do të përforcohet nga imazhi i një gruaje të re dhe energjike, e cila kandidon kundër meshkujve më të moshuar, të cilët janë pjesë e një koalicioni që duket se e ka humbur vrullin me kohë. Të Gjelbrit shpresojnë se fakti që zonja Baerbock nuk ka asnjë përvojë qeverisëse, mund të kthehet në avantazhin e saj për votuesit e lodhur nga status quo. “Ajo është zgjedhja ideale për këtë sfidë”, thotë Jamila Schäfer, nënkryetare e partisë.
Manifesti i të Gjelbërve
Manifesti i të Gjelbërve është plot me ide, nga rritja e ambicieve të Gjermanisë për ndryshimin e klimës, deri te zbutja e rregullave të borxhit dhe rritja e taksave për të financuar mbingarkesën e investimeve publike. E gjithë kjo vjen me një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj politikës. Zonja Baerbock dhe zoti Habeck kanë kultivuar lidhje me biznesin dhe kanë arritur në disa pjesë të Gjermanisë ku partia zakonisht ka ngecur, siç është lindja e vendit.
Shumica e të Gjelbërve tregohen të kujdesshëm, duke shmangur tonin qortues ndaj përdorimit të makinave apo ndërhyrjet në zakonet dietike të njerëzve, që dikur u kishin dhënë atyre reputacionin e dëmshëm si “partia e ndalimeve”. “Ne duam të ndryshojmë rregullat politike dhe ekonomike, jo të ndryshojmë individin”, thotë Sven-Christian Kindler, anëtare e partisë.
Para pandemisë, gjermanët shpesh shpreheshin se klima ishte shqetësimi kryesor politik. Rreth 30% thonë se mund të votojnë të Gjelbrit (partia aktualisht gëzon rreth 22% mbështetje, disa pikë prapa CDU/CSU). Të Gjelbrit janë një parti kryesore qeverisëse, pjesë e koalicioneve në 11 nga 16 shtetet e Gjermanisë, duke drejtuar një sërë ministrish dhe duke punuar me pothuajse të gjitha partitë e tjera.
Qasja e re e të Gjelbërve reflektohet edhe në menaxhimin e liderëve të partisë, argumenton Ellen Ueberschär nga Fondacioni Heinrich Böll. Vitin e kaluar, zonja Baerbock dhe zoti Habeck lavdëruan pragmatizmin “legjendar” të CDU-së, një zakon që ata e kanë ngulitur në mesin e tyre. Mosmarrëveshjet e brendshme dhe tonet e ashpra të partisë i përkasin tashmë së kaluarës.
“Me 8.9% (përqindja e votave të fituara nga partia në 2017), ne nuk mund të ndryshojmë çështjet e mëdha që përkrahim”, tha zonja Baerbock kohët e fundit në një intervistë. Tani gjithçka i nënshtrohet qëllimit për të fituar pushtetin. Kjo përfshin gjetjen e një gjuhe të përbashkët në lidhje me politikën e jashtme, mbrojtjen dhe tregtinë, të cilat nuk përshkruhen në detaje në projekt-manifestin e partisë.
Zoti Laschet, i cili thotë se të Gjelbrit janë rivali kryesor i CDU-së, ka të ngjarë të theksojë mungesën e përvojës së zonjës Baerbock dhe rrezikun që ajo mund të kërkojë një koalicion të majtë. Megjithatë, ai duhet të jetë i përmbajtur në sulmet e tij. Sepse, në një kohë kur zonja Baerbock gëzon disa opsione për lidhje koalicioni pas zgjedhjeve, CDU/CSU nuk ka asnjë rrugë realiste për të mbajtur pushtetin pa pasur të Gjelbrit si partner. Partia ende nuk ka publikuar një manifest.
Është e vërtetë se zoti Laschet shpesh i ka tejkaluar pritshmëritë dhe brenda pesë muajsh mund të ndodhin shumë gjëra. Megjithatë, partia e zonjës Merkel po përpiqet të shpjegojë se pse meriton të qëndrojë më gjatë se Merkel në detyrë. Përballë të Gjelbërve, ajo do ta ketë të vështirë ta provojë këtë./ Përktheu: Lira Muça