Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që deputetët të jenë të pranishëm në seancën e sotme ku pritet të votohet buxheti për vitin 2021. Ai ka thënë se është e nevojshme që secili deputet të jetë në seancë dhe të mbështesë këtë ligj. Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2.4 miliardë euro.
Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se këtë të hënë do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e buxhetit të shtetit.
Kjo seancë u ftua me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve, ku Lidhja Demokratike e Kosovës, që udhëheq me Qeverinë, po kërkon që buxheti të miratohet para se të mbahen zgjedhjet e reja.
Edhe vetë kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, Bashkimi Evropian dhe komuniteti i biznesit kanë kërkuar që të votohet buxheti para se vendi të shkojë në zgjedhje.
Kryeministri Hoti ka thënë se, nuk duhet të filloj viti 2021 pa miratimin e Projektbuxhetit.
Shefi i qeverisë ka kërkuar që deputetët duhet të jenë të pranishëm në seancën e së hënes ku pritet të votohet buxheti për vitin 2021.
“Të hënën në Kuvendin e Kosovës shqyrtohet ligji i buxhetit për vitin 2021. Është e udhës që secili deputet të jetë në seancë dhe të mbështesë këtë ligj. Votimi i këtij ligji siguron stabilitet financiar në pjesën e partë të vitit të ardhshëm, kur të hyrat buxhetore janë të pakta. Votimi i këtij ligji mundëson mbështetjen për punëtorët e papunë dhe për biznese që janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë”, ka thënë Hoti.
Po ashtu, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për miratimin e buxhetit përpara zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e Kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë BE-ja.
Për miratimin e tij, komunitetit të biznesit, ka thënë se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19.
Komuniteti i bizneseve kanë bërë thirrje se para se të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme të votohet buxheti për vitin 2021 në të kundërtën thonë se do të jetë një skenarë i dëmshëm për vendin dhe se nuk mund të flitet për një rimëkëmbje ekonomike.
Lexo edhe këtë: Rënia e Qeverisë dhe shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lë Kosovën pa buxhet
E në rast se nuk do të ndodhë votimi buxhetit, atëherë komuniteti i bizneseve do të bojkotojnë të gjithë kandidatët dhe subjektet politike që do të jenë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme.
“Në mënyrë që të shmanget bllokada totale e vendit ne bëjmë thirrje që deputetët të jenë të arsyeshëm për aq sa ka dhënë hapësirë Gjykata Kushtetuese, që të mbajnë një seancë dhe të miratojnë buxhetin për vitin 2021 përkatësisht ndarjet buxhetore 2021. Nëse nuk ndodh kjo, jo që nuk mund të flasim për rimëkëmbje por do të jetë skenari më i dëmshëm për vendin që nga paslufta për shkak se nuk ka asnjë hapësirë ligjore dhe instrument financiar që do të mund ta mbajë funksional vendin dhe ta mbajë ekonominë në lëvizjes. Prandaj është thirrje e komunitetit të bizneseve që kjo përbërje e parlamentit në mesin e pak punëve të mira që kanë bërë për ekonominë, së paku ta përmbyllin këtë vit dhe këtë mandat me një vendim të mirë dhe të mirëpritur për biznese dhe qytetarët e vendit”, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi në një konferencë për media.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nesër nga ora 11:00 është në procedurë Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat sipas tij, janë shumë në interes të Kosovës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se këto ligje tashmë nuk janë ligje për një qeveri apo për një koalicion qeverisës, duke shtuar se nesër votohet për stabilitetin financiar të vendit.
“Është përgjegjësi e secilit deputet dhe grup parlamentar që përtej interesit politik ditor, ta vendosë stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Muajt në vazhdim do të karakterizohen nga një krizë e thellë institucionale – kërkohet përgjegjësi dhe pjekuri politike nga ne! LDK është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë”.
Më 30 nëntor, Qeveria e kishte bartur Projektligjin për Buxhetin 2021 në Kuvend, por nuk është votuar ende. E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars. Në momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për Buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.
Pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.
Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal. Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2.4 miliardë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.