Kur flasim për variacion ngjyrash, shteti i Groenlandës (Greenland – toka e gjelbër) ndryshe nga cka thotë emri i saj për të, ka shumë pak për të ofruar, sepse në pjesën më të madhe të kohës është e mbuluar nga bora.
Por, nuk mund të themi të njëjtën gjë për ndërtesat e saj, të cilat janë të gjitha të lyera me një ngjyrë të veçantë.
Ndoshta shumëkush që do t’i shikonte, do të mendonte se ato janë lyer qëllimisht për të tërhequr turistët dhe për të marrë më shumë pëlqime në rrjetet sociale. Jo, e vërteta është krejt tjetër. Secila prej ndërtesave është lyer me një ngjyrë të caktuar, sipas shërbimeve që ofron.
Pesë janë ngjyrat me të cilat janë lyer ndërtesat në Groenlandë: e kuqe, e zezë, e verdhë, e gjelbër dhe blu.
Sistemi i kodimit të ndërtesave sipas ngjyrave në Groenlandë daton që në shekullin e 18-të.
Në atë kohë asnjë rrugë nuk kishte emër, apo një numër të caktuar, çdo gjë rrotullohej rreth ngjyrave. Ngjyra e çdo godine përfaqësonte një shërbim të caktuar.
E verdha përfaqësonte çdo gjë që kishte të bënte me shëndetin. Të gjitha spitalet dhe shtëpitë ku jetonin mjekët dhe infermierët ishin lyer me këtë ngjyrë.
E kuqja përfaqësonte një dyqan ose një kishë, ndërsa bluja një fabrikë.
E gjelbra është ngjyra e industrisë së telekomunikacionit.
Megjithatë, studiuesit shprehen se ky sistem padyshim që ka mangësitë e tij, sidomos në vitet e para kur filloi të ndiqej në praktikë.
Edhe në ditët e sotme, shumë prej shtëpive në Groenlandë janë të lyera me ngjyra të ndryshm. Megjithatë asnjë prej tyre nuk shpreh shërbimet e së kaluarës, madje sot të gjithë mund t’i lyejnë me çfarëdo ngjyre që duan shtëpitë.
Megjithatë, një pjesë e madhe e spitaleve, edhe sot kësaj dite janë të lyera në të verdhë dhe një numër i madh katedralesh janë në ngjyrë të kuqe.