Kina po përpiqet të mbrojë ekonominë e saj nga trysnia perëndimore. Rezultatet janë të ndryshme, shkruan The Economist
Në një mesazh për inxhinierët dhe studiuesit kinezë të hapësirës ajrore me rastin e “Ditës së Rinisë”, presidenti Xi Jinping shprehu ambiciet për industrinë.
Punëtorët e rinj duhet të ndihmojnë në përpjekjet e Kinës për t’u mbështetur te vetja, tha ai, duke ndjekur gjurmët e paraardhësve kinezë që krijuan një armë bërthamore, raketë dhe satelit, të prodhuar në atdhe, me pak ndihmë të huaj, gjatë fushatës së epokës së Mao Ce Dunit, të quajtur “Dy bomba, një satelit”.
Në pamje të parë, ky është një mesazh i çuditshëm për një vend që ka përfituar më shumë se çdo tjetër nga vala më e fundit e globalizimit.
Në vitin 2000, Kina ishte partneri më i madh tregtar i vetëm një numri të vogël vendesh. Ndërsa tani, është partneri më i madh i më shumë se 60 vendeve. Midis viteve 1985 dhe 2015, eksportet kineze në Amerikë u rritën me një faktor prej 125. Si rezultat i bumit të prodhimit, PBB-ja për frymë në Kinë u rrit me më shumë se 8% në vit nga 2001 deri në 2020.
Por qeveria kineze nuk ka qenë kurrë plotësisht e kënaqur me globalizimin, pavarësisht nga përfitimet e tij. Procesi i “reformës dhe hapjes”, i nisur nga Deng Xiaoping në vitet 1970, gjatë të cilit Kina liberalizoi prodhimin dhe tregtinë, ka qenë gjithmonë i pjesshëm.
Partia Komuniste nuk ka ndër mend të heqë dorë nga një rol komandues në ekonomi. Ajo shqetësohet për depërtimin e ideve perëndimore në vend. Prandaj, kapitali dhe ekspertiza e huaj janë joshur dhe janë shpërblyer, por njëkohësisht janë kufizuar dhe sulmuar.
Thirrjet e presidentit Xi për mbështetje te vetvetja, pasqyrojnë pikëpamjen e tij se baraspesha e rreziqeve dhe përfitimeve të globalizimit, ka ndryshuar. Ai beson se Kina është bërë shumë e varur nga demokracitë liberale, duke përfshirë Europën dhe Japoninë, por veçanërisht Amerikën.
Një rrezik është se Perëndimi mund të përjetojë tjetër ngadalësim ekonomik të ngjashëm me krizën financiare të viteve 2007-‘09, duke ulur kërkesën për mallra dhe shërbime kineze.
Një shqetësim tjetër, i theksuar nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, është se vendet perëndimore mund të përdorin fuqinë e tyre ekonomike për të dobësuar Kinën.
Për të shmangur rreziqe të tilla, Xi dëshiron të ndryshojë pozicionin e Kinës në ekonominë botërore. Ka dy elemente të ndërlidhura që ndikojnë në atë që Xi e quan “të bëhesh i fortë”. I pari është të ndërtohet një pozicion komandues në industritë që qeveria i konsideron si strategjike – teknologjia dhe energjia – në mënyrë që askush të mos jetë në gjendje të pengojë rritjen ekonomike të Kinës.
Kina e di se roli i saj vendimtar në zinxhirët e furnizimit global ndihmon në ruajtjen e sistemit të saj autokratik nga sulmet e huaja. Objektivi i dytë është që Kina të mbështetet më pak për tregtinë dhe financat në partnerët potencialisht armiqësorë perëndimorë dhe të gjejë partnerë të rinj dhe më të mirë pranë vendit.
Nisma “Rruga e Re e Mëndafshit”, një strategji e madhe globale e zhvillimit të infrastrukturës, është vetëm një metodë me anë të së cilës Kina shpreson të gjejë miq të rinj ekonomikë.
Mos blini, por prodhoni
Kina ka pasur njëfarë suksesi me industritë strategjike. Hulumtimi i publikuar nga Goldman Sachs në vitin 2020, zbuloi se vetëmjaftueshmëria e Kinës në produktet e teknologjisë së lartë po përmirësohej shumë (shih grafikun 1).
Në shumë industri, prodhimi vendas po arrin kërkesën e brendshme, çka do të thotë se Kina ka nevojë për më pak produkte nga jashtë. Në të vërtetë, pasi arritën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në vitet 2004-‘06, importet e mallrave dhe shërbimeve të Kinës kanë rënë ndjeshëm në raport me PBB-në e vendit (shih grafikun 2).
Në disa industri, nxitja për vetëmjaftueshmëri ka dhënë më shumë fryte sesa në energjinë diellore. Kina përbën mbi 70% të prodhimit të lëndëve të para të përdorura për prodhimin e qelizave diellore, por edhe të vetë qelizave dhe moduleve në të cilat ato montohen.
Dan Wang, analist në Gavekal Dragonomics, një firmë kërkimore, thotë se epërsia e Kinës në teknologjinë diellore ka të ngjarë të jetë e pakthyeshme.
E njëjta gjë është e vërtetë për bateritë për industrinë e automjeteve elektrike. Energjia e erës është gjithashtu e rëndësishme. Kina shtoi më shumë kapacitete të energjisë së erës në vitin 2021, sesa gjithë pjesa tjetër e botës në pesë vitet e mëparshme.
Në fakt, Kina ka arritur të mbizotërojë shumë biznese në këtë mënyrë. The Economist shqyrtoi të dhënat e eksportit për 120 industri globale prodhuese. Ne vlerësojmë se në vitin 2005,
Kina pati rritje (e përcaktuar si një pjesë e eksporteve globale prej më shumë se një të katërtën) në 42% të tyre. Në vitin 2019, ajo arriti në 67%, një rekord. Pjesa e tregjeve të eksportit ku mbizotëronte Kina (pra ku zinte mbi gjysmën e një pjese tregu), u trefishua gjatë së njëjtës periudhë, në një të tretën.
Megjithatë, në shumë aspekte të rëndësishme, përpjekjet e Kinës për mbështetje te vetja kanë dështuar. Edhe pse Xi ka reduktuar faturën e përgjithshme të importeve të Kinës në raport me PBB-në, ai nuk ka arritur të ulë varësinë e saj nga komponentët e huaj që përdoren për të prodhuar mallra të teknologjisë së lartë.
Kina shpenzoi 2.7% të PBB-së për komponentët e importuar për elektronikën kur Xi erdhi në pushtet në 2012 dhe 2.6% në 2020. Fatura e përgjithshme për importet që kërkojnë sasi të mëdha kërkimi dhe zhvillimi, është ulur vetëm paksa.
Për më tepër, Kina mbështetet shumë te rivalët gjeopolitikë për furnizimet me mallra të tillë, duke përfshirë Tajvanin dhe demokracitë perëndimore. Në aviacion dhe anije kozmike, bota demokratike ende furnizon 98% të komponentëve të importuar të Kinës.
Kina është gjithashtu gjithnjë e më e varur nga ekspertiza e huaj. Shumica dërrmuese e dosjeve të patentave kineze janë të prodhuara në atdhe, por pjesa që përfshin të huajt është rritur nga 4.8% në 5.9% që nga viti 2012.
Shkencëtarët me bazë në BE, Japoni dhe Amerikë, janë partnerë gjithnjë e më të zakonshëm me krijuesit kinezë, edhe pse kompanitë dhe universitetet perëndimore diskutojnë për shkëputje nga Kina në një përpjekje për të ndaluar spiunazhin industrial.
Në vitin 2020, Kina ishte përgjegjëse për 8.4% të totalit të pagesave ndërkufitare globale për përdorimin e pronës intelektuale, niveli më i lartë i të gjitha kohërave.
Objektivi i dytë i madh i zotit Xi – gjetja e partnerëve më të mirë tregtarë dhe investues – është një tjetër përpjekje e vështirë. Marrim tregtinë. Kina është miqësuar me Rusinë, e cila është shmangur nga Perëndimi.
Ajo ka përqafuar gjithashtu Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, një marrëveshje tregtare mjaft e cekët, por e gjerë, që përfshin 15 vende aziatike që përbëjnë pothuajse një të tretën e PBB-së globale. Ajo ka aplikuar për t’u bashkuar me bazën e Partneritetit Trans-Paqësor, një pakt ambicioz tregtar i konceptuar nga Amerika, por më pas i braktisur prej saj.
Në një anketë të politikëbërësve, udhëheqësve të biznesit dhe kompanive të mëdha nga Azia Juglindore, e publikuar në fillim të këtij viti, 77% e të anketuarve e quajtën Kinën si fuqinë ekonomike më me ndikim në rajon.
“Unë po vë re se Azia Lindore dhe Juglindore po tërhiqen gjithnjë e më shumë brenda sferës së forcës gravitacionale të ekonomisë kineze. Kjo është e pashmangshme”, thotë Henry Gao nga Universiteti i Menaxhimit të Singaporit.
Sfera të mbivendosura
Megjithatë, ekonomitë e mëdha perëndimore vazhdojnë të ushtrojnë tërheqje ndaj Kinës. The Economist mblodhi të dhëna mbi stokun e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), investimet e portofolit (blerja e aksioneve, bonove dhe të ngjashme) dhe tregtinë ndërkombëtare, për gati 120 vende. Për secilin tregues, ne renditëm çdo vend bazuar në fuqinë e marrëdhënieve dypalëshe me Kinën, më pas kombinuam renditjen.
Vendet me të cilat Kina ka marrëdhënie më të ngushta ekonomike, janë të gjitha perëndimore, ose me prirje perëndimore: Amerika, Koreja e Jugut, Singapori, Gjermania dhe Japonia. Dhe gjatë sundimit të Xi, shumica e ekonomive perëndimore janë ndërthurur më shumë me atë të Kinës.
Për shembull, stoku i IHD-ve gjermane në Kinë është dyfishuar. Investitorët afatgjatë kinezë e kanë dyfishuar ekspozimin e tyre bruto ndaj Australisë, edhe pse politikanët në të dy vendet kanë sulmuar njëri-tjetrin. Ndërkohë, lidhjet e Kinës me vendet që mund të bien në sferën e saj të ndikimit, si Indonezia dhe Rusia, janë dobësuar.
Industritë e eksportit të Kinës mbeten gjithashtu shumë të varura nga kërkesa perëndimore për mallrat e tyre. Në dekadën përpara se Xi të vinte në pushtet, pjesa e eksporteve të mallrave kineze që ishin të destinuara për në BE, Japoni dhe Amerikë, kishte rënë nga 50% në 39% (shih grafikun 3). Por që atëherë, nuk është bërë asnjë përparim i mëtejshëm.
Vendet me të cilat Kina dëshiron të zhvillojë marrëdhënie më të ngushta tregtare, janë thjesht shumë të vogla për të zëvendësuar tregjet e mëdha të Amerikës, Europës dhe Japonisë.
Në të njëjtën kohë, është e vështirë që të prodhohen më shumë mallra dhe shërbime të teknologjisë së lartë dhe të pritet që të rritet pjesa e tyre e shitur në vendet më të varfra dhe jo në ato të pasura. Pavarësisht shtrëngimeve të ngrohta të duarve midis Xi dhe Vladimir Putinit, Rusia blen vetëm 2% të eksporteve të Kinës.
Vitet e fundit, Kina është përpjekur të zhvillojë lidhje më të ngushta financiare me vendet që beson se janë dashamirës ndaj objektivave të saj. Kjo përfshin një përpjekje për të promovuar përdorimin e monedhës së saj në nivel ndërkombëtar.
Ideja është që të zvogëlohet varësia e Kinës nga dollari, dhe kështu ajo të bëhet më pak e ndjeshme ndaj sanksioneve financiare amerikane. Për këtë qëllim, Kina ka hapur ngadalë tregun e saj të bonove për investitorët e huaj. Në fillim të viteve 2010, Banka Qendrore nisi nënshkrimin e marrëveshjeve për këmbime në juan me banka të tjera qendrore.
Ajo ka punuar shumë për të zhvilluar një monedhë dixhitale juan, me synimin për ta bërë tregtinë më të shpejtë dhe më të lehtë për t’u monitoruar. Firmat kineze kanë paguar për importet e mallrave ruse në juan këtë vit, gjë që e ndihmon Rusinë, duke zvogëluar ndikimin e sanksioneve perëndimore dhe duke rritur edhe profilin ndërkombëtar të juanit.
Por lidhjet financiare të Kinës me vendet e afërme mbeten të dobëta. Marrim si shembull tregun e bonove. Një studim i ri i katër ekonomistëve, Christopher Clayton, Amanda Dos Santos, Matteo Maggiori dhe Jesse Schreger, shqyrton zotërimet e investitorëve privatë të bonove në juan. Vitet e fundit, pjesa dërrmuese e prurjeve në këto asete, ka ardhur nga Amerika, Eurozona dhe Japonia.
Një studim i botuar në vitin 2018 nga Camilo Tovar dhe Tania Mohd-Nor në FMN, shqyrtoi rëndësinë e juanit për monedhat e tjera. Studiuesit nuk gjejnë “asnjë provë që tregon se juani është monedha mbizotëruese në Azi, duke ndikuar në kursin e këmbimit në rajon, ose përmes zinxhirëve të furnizimit aziatik”.
Me pak fjalë, përpjekjet e Kinës për një ekonomi më të vetëmjaftueshme, nuk kanë qenë plotësisht të suksesshme. Për më tepër, përpjekja për të krijuar një të tillë, ka nxjerrë në pah një sërë kontradiktash. Për shembull, dëshira për të promovuar përdorimin e juanit jashtë vendit, bie ndesh me përpjekjet për të izoluar Kinën nga luhatjet financiare globale.
Ngatërresa që rezulton nga kjo, nuk e ka ndihmuar Kinën të jetë një forcë e madhe në financat globale dhe as nuk e ka mbrojtur nga lëvizjet e tregjeve që janë jashtë kontrollit të saj. Pjesa e monedhës kineze në pagesat ndërkufitare të regjistruara nga SWIFT, një rrjet i mesazheve financiare, është rreth 2% në shumicën e muajve, siç ka qenë në pjesën më të madhe të pesë viteve të fundit.
Edhe kjo e mbivlerëson shtrirjen e monedhës, pasi shumica e transaksioneve që përfshijnë juanin jashtë Kinës Kontinentale, ndodhin në Hong Kong, i cili është pjesë e Kinës, por përdor një monedhë të ndryshme.
Në shkallë globale, juani është një “spirancë” për disa monedha të tjera (shih grafikun 4). Numri i këmbimeve të reja në juan është ngadalësuar ndjeshëm.
Hulumtimet e publikuara vitin e kaluar nga Michael Perks, Yudong Rao, Jongsoon Shin dhe Kiichi Tokuoka, zbuluan se sistemi bankar kinez ende luan rol të vogël në financat globale, krahasuar me atë të Amerikës (shih grafikun 5).
Një studim i ri nga Yi Fang në Universitetin Qendror të Financës dhe Ekonomisë në Kinë, zbulon se tregjet kineze “janë më të ndikuara nga tregjet financiare në ekonomitë e G7 sesa anasjelltas”. Kur Amerika teshtin, pjesa tjetër e botës ftohet. Kur Kina teshtin, shumica e vendeve nuk e ndiejnë.
Një problem tjetër në përpjekjen e Kinës për t’u mbështetur te vetja, ka të bëjë me produktivitetin. Produktiviteti total i faktorëve (d.m.th., sasia e prodhimit për njësi të punës dhe kapitalit) është rritur shumë pak nën presidentin Xi, me një ngadalësim të dukshëm që nga periudha përpara krizës financiare (shih grafikun 6).
Qeveria beson se synimi për vetëmjaftueshmëri në industritë e teknologjisë së lartë, do të nxisë risinë dhe do të rrisë produktivitetin. Në fakt, e kundërta ka më shumë gjasa të ndodhë.
Në përpjekjet për të nxitur kampionët vendas dhe tregtinë me vendet mike, qeveria ndoshta do të përfundojë duke u dhënë përparësi firmave që nuk janë furnizuesit më efikasë, ose më të aftë të një produkti të caktuar, duke ulur kështu produktivitetin.
Për shkak se rritja e produktivitetit është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të rritur standardet e jetesës, kjo është një perspektivë shqetësuese.
Edhe të veçanta, secila nga ambiciet e presidentit Xi – qoftë mbrojtja e Kinës ndaj dobësive ekonomike dhe teknologjike apo gjetja e një grupi partnerësh më të besueshëm për tregtinë dhe investimet – do të ishte një nismë masive.
Të marra së bashku, ato tashmë po krijojnë kontradikta që ka gjasa të shtohen. Tregtia dhe investimet krijojnë përfitim të ndërsjellë dhe rrjedhimisht, edhe cenueshmëri të ndërsjellë. Udhëheqësit e Kinës kanë të drejtë kur thonë se varësia nga teknologjia perëndimore, tregjet dhe hidraulika financiare i lë ata të cenuar, por e kanë gabim nëse mendojnë se mund t’i shpëtojnë këtij telashi.
Alternativa e vetme ndaj ndërvarësisë është dobësimi, çfarëdo që t’u thotë Xi shkencëtarëve të raketave të Kinës.
Përktheu: Lira Muça