Zyrtarët do të jenë në gjendje të eliminojnë objektet “ku kanë prova për rrezikun e sigurisë së konsumatorëve” – tha eBay.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo do të përfshijë Zyrën e Produkteve dhe Standardeve dhe rregullatorin e internetit Ofcom. Tregjet online, si eBay, janë angazhuar në një betejë të vazhdueshme për të zbuluar objekte jo të sigurta të shitura nga përdoruesit e tyre. Kjo pjesërisht, pasi kushto mund të krijojë një njoftim në faqet e ankandeve online.
Gjatë viteve, hetuesit kanë gjetur pajisje elektroshtëpiake jo të sigurta, lodra dhe bateri në shitje në një gamë të gjerë tregjesh online – mes të cilave Amazon dhe faqja kineze Wish. Lëvizja e fundit – tha eBay – synon të përshpejtojë eliminimin e “objekteve ilegale ose të pasigurta”, duke mos pritur miratimin e kompanisë.
Vetëm autoritetet e përzgjedhura dhe të besuara do të kenë akses tek mjetet e reja. Por ato që do ta bëjnë do të kenë “aftësinë për të eliminuar çfarëdo njoftimi nga vetë tregu” – tha shoqëria. Më shumë se 50 autoritete nga e gjithë bota janë përfshirë në fazat e para të projektit – shtoi eBay.
Produkte të dëmshme
eBay tha se tashmë ka sisteme “të gjera” raportimi për klientët për t’i përdorur dhe ka marrë masa “pro-aktive” për të eliminuar artikujt e ndaluar.
Por “eliminimi i nevojës të një niveli të dytë miratimi e përshpejton procesin, duke e bërë më efikas heqjen e produktit dhe duke zvogëluar rrezikun për blerjen e produkteve të dëmshme – tha Lesley Rudd, drejtuese ekzekutive në Electrical Safety First. – Ne mirëpresim çdo lëvizje që përshpejton procesin e eliminimit të mallrave të rrezikshëm online”.
“Hetimet tona kanë gjetur vazhdimisht pajisje elektrike të rrezikshme, pa markë, me defekte të dukshme në shitje te konsumatorët e Mbretërisë së Bashkuar. Këtyre pajisjeve shpesh u mungojnë disa prej karakteristikave bazë të sigurisë”.
Znj. Rudd shtoi se duhet bërë më shumë punë për të ndalur produkte të tilla në shitje.
“Tregjet në internet duhet të njihen ligjërisht si një shitës me pakicë, në mënyrë që të trajtojnë çështjen e mallrave të rrezikshme që shiten nëpërmjet faqeve të tyre dhe ne e nxisim qeverinë t’i përfshijë këto faqe në projektligjin e tyre të ardhshëm të Sigurisë Online,” tha ajo.
Një tjetër ent me akses është Ofcom, i cili, ndër të tjera, rregullon valët e radios të përdorura për transmetimin dhe sinjalet wireless. Disa tipe kit radiosh wireless janë të rregulluara mirë – në mënyrë që të mos ndërhyjnë me sinjalet e mbrojtura – dhe parashikon të përdorë instrumente të reja për eliminimin e pajisjeve të tilla në shitje. Murray Lambell, drejtues i eBay në Mbretërinë e Bashkuar, tha se pandemia i bëri blerjet online “një pjesë edhe më të rëndësishme në jetën e të gjithëve ne”.
“Tregjet online duhet ta marrin më seriozisht përgjegjësinë për sigurinë e konsumatorëve, por bashkëpunimi me autoritetet është jetik” – shtoi ai.
Burimi: BBC