Ecuria e ekonomisë shqiptare përcaktohet deri në masën 80% nga luhatjet në Eurozonë

22/01/2021 2:08 PM 0 komente

Rezultatet sugjerojnë se rreth 60-80% e luhatjeve në treguesit e ekonomisë shqiptare shpjegohen nga luhatjet e ciklit ekonomik dhe financiar global, si dhe atij të Eurozonës.

Një studim i specialistit të Departamentit të kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Bledar Hoda, konfirmon varësinë e lartë të ekonomisë shqiptare nga zhvillimet globale dhe sidomos nga Eurozona.

Studimi arrin në konkluzionin se, rrjedhimisht, prania e faktorëve të Eurozonës dhe likuiditetit global është kritike për përmirësimin e modelimit të ciklit të biznesit dhe atij financiar të ekonomisë shqiptare.

Në material analizohet ndikimi i likuiditetit global, si përafrues i ciklit financiar global, dhe i luhatjeve në ciklin e biznesit dhe atë financiar të ekonomisë së Eurozonës në treguesit makroekonomikë dhe financiarë të ekonomisë shqiptare.

Tregues makroekonomikë, si totali i konsumit dhe investimeve, bilanci i llogarisë korrente ndaj PBB-së dhe kursi nominal i këmbimit synojnë të kapin luhatjet në ciklet e biznesit të ekonomisë shqiptare. Treguesit makrofinanciarë si kredia bankare ndaj PBB-së dhe çmimi real i shtëpive synojnë të kapin dinamikën e ciklit financiar.

Sipas studimit, luhatjet e likuiditetit global (cikli financiar global) shpjegojnë diçka më pak se gjysmën e luhatjeve të kërkesës agregate (totalit të konsumit dhe investimeve) si dhe rreth 36% dhe 15% përkatësisht të kredisë për ekonominë, të matura në raport me PBB-në dhe të çmimeve të shtëpive (të deflatuara).

Luhatjet në dy tregues tipikë të ciklit të biznesit dhe ciklit financiar të Eurozonës, përkatësisht kërkesa agregate dhe kredia për ekonominë në terma realë, shpjegojnë rreth 25% të luhatjeve të ciklit financiar të ekonomisë shqiptare, të matur nga kredia për ekonominë dhe çmimet reale të shtëpive.

Rezultatet sugjerojnë se, prej impaktit prej 60%-80% të faktorëve të Eurozonës dhe atij

global në kërkesën agregate, kredinë ndaj PBB-së dhe kursin nominal të këmbimit, vetëm gjysma e këtyre luhatjeve mund të shpjegohet nga dinamika e treguesve të brendshëm, ndërsa gjysma tjetër identifikohet si luhatje ekzogjene (e jashtme) e secilit tregues të analizuar.

Impakti prej 60-70% i faktorëve të Eurozonës dhe atij global në llogarinë korrente dhe çmimet reale të shtëpive, shpjegohet tërësisht nga luhatjet e jashtme të secilit tregues, ndërsa impakti i faktorëve të tjerë të brendshëm është i papërfillshëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of