Sfidat e sistemit bankar janë të lidhura me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së brendshme dhe zhvillimin e prodhimit vendas, si themel për një zhvillim të qëndrueshëm. Një ecuri pozitive do të sillte impaktet e veta në rritjen/gjenerimin e kërkesës se re si dhe uljen e nivelit të kredive të këqija. Gjithashtu, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe situatës politike do të krijonin një klimë të përshtatshme për sa më lart.
Interviste më z. Agan Azemi, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank Shqipëri
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?
Edhe gjatë vitit 2018, sistemi bankar vijoi të zgjerojë veprimtarinë e tij, duke mbetur njëherazi shumë likuid dhe i mirëkapitalizuar. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së bankave mbeten depozitat, të cilat zënë gati 80% të detyrimeve dhe mbulojnë me rreth dy herë vëllimin e kredive të sektorit.
Gjithashtu, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi nivelin 18.24% në fund të vitit 2018, kundrejt 16.6% në fund të vitit 2017, dhe në mënyrë të dukshme mbi nivelin minimal të kërkuar prej 12%.
Cilësia e portofolit të kredisë shënoi një përmirësim gjatë vitit 2018, ku treguesi i raportit të kredive me probleme shënoi nivelin 11.08% në fund të vitit, kundrejt 13.23% të vitit 2017. Fokusi dhe përpjekjet e bankave në këtë drejtim vijojnë të jenë intensive dhe të vazhdueshme.
Sistemi bankar vijon të ketë një përfitueshmëri të mirë, pavarësisht se në nivele më të ulëta krahasuar me vitin paraardhës. Bazuar në sa më lart, sistemi bankar gjykohet të jetë shumë i fortë e i shëndetshëm, me aftësi të lartë për të përballuar rreziqe të mundshme.
Për Bankën ProCredit, 2018-a ka qenë një vit pozitiv, për sa i përket konsolidimit të strategjisë sonë të biznesit për Klientë Privatë, ku zhvillimi i konceptit “Direct Banking” dhe shërbimeve që ofrohen nën të ka qenë prioriteti ynë kryesor.
Gjithashtu kemi vazhduar të investojmë në zhvillimin e marrëdhënieve afatgjata me Klientët SME, duke realizuar mbështetjen e investimeve të shumta në sektorë kyç për ekonominë, siç janë prodhimi, përpunimi, shërbimi si dhe projektet miqësore me mjedisin dhe të eficencës së energjisë. Zhvillim pozitiv kemi pasur për sa i përket rritjes së portofolit të kredisë së biznesit, i cili ka shënuar rritje me rreth 12% krahasuar me një vit më parë. Kemi mbajtur një cilësi të mirë të tij, ku niveli ynë i NPL-se është nën mesataren e tregut. Tregues shumë pozitiv është rritja e portofolit të investimeve “Green”, ku kemi arritur të rrisim me 36% këtë portofol, i cili përbën 14% të totalit të portofolit të bankës.
Për bankën tonë ka rëndësi të veçantë të shërbyerit me përgjegjshmëri dhe kjo realizohet përmes promovimit të kursimit në vend të shërbimeve që nxisin konsumin, si dhe nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të thjeshta bankare, transparente dhe që plotësojnë më së miri nevojat e klientëve tanë pa limit, 24/7. Siç e përmenda dhe më lart, mënyra direkte e operimit (ProCredit Direct) mundëson që Klientët tanë Privatë të arrijnë të shërbehen përmes kanaleve elektronike në çdo moment, duke u dhënë fleksibilitet për menaxhimin e llogarive të tyre dhe shërbimeve financiare direkt nga kompjuteri, tableti apo telefonat e tyre celularë, thjesht dhe lehtë.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?
Bazuar në pritshmëritë mbi rritjen ekonomike të vendit, si dhe në kushtet e një politike monetare lehtësuese, 2019-a pritet të jetë një vit pozitiv për sistemin bankar. Gjithsesi, faktorë domethënës dhe që kushtëzojnë këto pritshmëri vazhdojnë të jenë situata politike në vend dhe realizimi i rritjes ekonomike së pritshme. Konsolidimi dhe përfundimi i ndryshimeve strukturore të ardhura nga bashkimet e bankave mund të kenë efekte përkatëse dhe gjatë vitit 2019. Gjatë këtij viti, pritet të përfundojë ndryshimi i pronësisë së kapitalit aksioner të dy bankave të sistemit, gjë që mund të sjellë ndryshime të mundshme në strategjitë dhe konkurrencën në treg.
Për sa i përket ProCredit, zhvillimi i biznesit me Klientë Privatë, është një ndër prioritetet tona. Klientët tanë të synuar janë ata klientë, të cilat kanë profesione të kualifikuara, qëndrueshmëri në të ardhurat e tyre dhe, nga ana tjetër, vlerësojnë përdorimin e shërbimeve bankare elektronike.
E gjithë infrastruktura e ofrimit të shërbimeve është e ngritur mbi plotësimin me efikasitet të nevojave të tyre bankare, duke mbajtur në fokus të veçantë mbajtjen e marrëdhënies afatgjatë dhe këshillimin financiar të personalizuar. Nga ana tjetër, mënyra e të operuarit Direkt, e konkretizuar nga shërbimet që ofrohen nën ProCredit Direct, ofron mundësi unike për të gjithë ata klientë që e shohin kursimin si mënyrën më të mirë për krijimin e aseteve të tyre familjare.
Nisur nga kjo, gjatë 2019-s, banka ka pritshmëri për rritje të nivelit të depozitave në rang institucional. Ndërkohë që vazhdon të jetë prioritet dhe pikë e fortë e jona, fokusi ndaj SME-ve, të cilat konsiderohen dhe si shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit. Banka ProCredit, si e vetmja bankë gjermane në Shqipëri, e specializuar për bizneset SME, në përmbushje të misionit të saj për të mbështetur bizneset që kanë potencialin për të ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit, edhe gjatë vitit 2019 do të vazhdojë të ketë të njëjtin orientim strategjik për sa i përket mbështetjes së bizneseve SME.
Qëllimi ynë është ofrimi i të gjitha kushteve për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre bizneseve. Fokus të veçantë strategjik për 2019 do të ketë mbështetja e aktiviteteve të prodhimit, përpunimit dhe shërbimeve, si dhe nxitja e investimeve “Green”. Në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, BERZH dhe Komitetin Europian për fondet respektive të garancisë, synojmë që gjatë vitit 2019 të vazhdojmë mbështetjen ndaj kompanive vendase për të implementuar teknologji të reja dhe produkte inovative, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së tyre në treg.
Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?
Sistemi financiar shqiptar vijon të paraqesë nivele të larta të euroizimit, të cilat reflektojnë përdorimin e valutës në shkallë të gjerë në ekonominë shqiptare. Në këto kushte, masat e ndërmarra në sistemin bankar duhet të shoqërohen dhe me masa shtesë në një aspekt më të gjerë, të cilat duhet të synojnë: 1. Rritjen e besimit të depozitorëve ndaj monedhës LEK dhe stimulimin e kursimit në këtë monedhë; 2. Kufizimin e marrëdhënieve tregtare brenda vendit për të cilat shlyerja bëhet në monedhën EUR.
Bazuar në ecurinë e disa treguesve, si p.sh. pesha e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, treguesit e likuiditetit në valutë dhe kredidhënia ndaj ekonomisë në valutë, vihen re ndryshime shumë të vogla gjatë vitit 2018, në linjë me zhvillime historike, pa ndonjë devijim të rëndësishëm.
Në tërësi, vlerat e treguesve ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme nga ato të treguesve për vende me ekonomi të ngjashme. Në këto kushte, mendojmë se është e parakohshme të gjykohet për një efekt të konsiderueshëm nga masat e implementuara tashmë. Nevojitet implementim i masave në të gjitha fushat si më sipër, si dhe një shtrirje më e gjatë kohore, me qëllim arritjen e rezultateve të prekshme.
Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore, sipas jush, dhe si pritet ecuria?
Është e vërtetë që EUR ka pësuar një zhvlerësim historik shumë të lartë gjatë dy viteve të fundit, gjithashtu është e vështirë të analizohen dhe maten efektet e faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar këtë zhvlerësim. Mungojnë analiza dhe një informacion i plotë publik në lidhje me transaksionet valutore në EUR dhe volumet e tyre në ekonomi në tërësi, për të vlerësuar aspektin objektiv, si rezultat i forcave kërkesë – ofertë.
Nga ana tjetër, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm dhe për disa efekte shtesë që mund të kenë ardhur nga faktorë subjektivë të lojtarëve të ndryshëm të tregut, duke filluar nga individët, bizneset dhe operatorët e licencuar (banka, zyra këmbimi valutor). Këto janë fenomene të njohura e të pashmangshme, në kushtet e volatiliteteve të larta dhe pasigurisë në tregjet valutore. Gjykojmë që EUR do të mbetet në të njëjtat terrene zhvlerësimi dhe gjatë vitit 2019.
Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?
Reduktimi i numrit total të bankave nga 16 në 13 në sistemin bankar, është një fenomen normal, rrjedhojë e vendimeve strategjike të grupeve bankare ndërkombëtare, nën kuadrin e rishikimit të prezencës së tyre në rajon. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh zhvillimin dhe nevojat e ekonomisë në vend, ky reduktim nuk do ta kufizojë aspak ofrimin dhe plotësimin e nevojave për shërbime bankare. Këto ndryshime strukturore pritet të ndikojnë në përmirësimin e eficiencës së veprimtarisë bankare dhe të ndërmjetësimit financiar. Nga ana tjetër, gjykojmë që nuk do të cenohen parimet e konkurrencës së lirë. Sfida të reja shtrohen në vijim për bankat, në kuadër të përmirësimit të eficencës së tyre, në mënyrë që të sigurojnë përmbushje të objektivave të biznesit, përputhshmëri me kuadrin rregullator, përfitueshmërinë e synuar dhe qëndrueshmëri në afatgjatë.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfidat e sistemit bankar janë të lidhura me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së brendshme dhe zhvillimin e prodhimit vendas, si themel për një zhvillim të qëndrueshëm. Një ecuri pozitive do të sillte impaktet e veta në rritjen/gjenerimin e kërkesës së re, si dhe uljen e nivelit të kredive të këqija. Gjithashtu, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe situatës politike do të krijonin një klimë të përshtatshme për sa më lart.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.