Një sasi shtesë prej 50,000 dozash të vaksinës ruse Sputnik V kundër Covid arriti në Serbi të hënën në mëngjes, në vendin e Ballkanit Perëndimor, i cili ka qenë më i suksesshmi në fushatën e tij të vaksinimit masiv.
Deri më tani, rreth 1.2 milion (17% e popullsisë) kanë marrë dozën e parë ndërsa mbi 400,000 kanë marrë edhe të dytën.
Sputnik V është një nga katër vaksinat në dispozicion në Serbi, së bashku me Sinopharm të Kinës, Pfizer-BioNTech dhe AstraZeneca. Kryeministrja Ana Brnabic konfirmoi se të hënën 46,800 doza të tjera të Pfizer-BioNTech do të mbërrijnë gjatë ditës, me parashikimet që Serbia të marrë në total rreth dy milion doza.
Vendi ballkanik ka arritur një marrëveshje me Rusinë edhe për prodhimin në territorin e tij të Sputnik V, që mund të fillojë deri në fund të këtij viti.
Së bashku me vendet e tjera në rajonin e Ballkanit, Serbia është përfshirë në një listë të vendeve që përfitojnë nga plani Covax për Shtetet me të ardhura të ulëta, por Beogradi gjatë muajve të fundit – falë disponueshmërisë financiare – dhe marrëdhënieve të mira midis Presidentit Aleksandar Vuçiç dhe udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës – ka vendosur të lëvizë në mënyrë autonome, duke nënshkruar marrëveshje bilaterale me prodhuesit e vaksinave. Kjo i ka mundësuar Serbisë edhe të dhurojë vaksina në vendet fqinje. (ANSAmed).