Ndryshe nga misionet e kaluara, FMN po diskuton me qeverinë pa kushte, në pritje të privatizimit të “Albpetrol”, ndërsa Financat po shikojnë një plan rezervë me Bankën Botërore
Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë mbërritur prej disa ditësh në Tiranë, për të parë nga afër dhe diskutuar me autoritetet shqiptare ecurinë ekonomike të vendit, në kuadër të artikullit IV. Ndryshe nga herët e kaluara, misioni duket se nuk ka ndonjë objektiv primar për të bindur qeverinë të ulë borxhin publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Prej më shumë se një jave, zyrtarët e misionit kanë kryer disa takime rresht me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave. “Monitor” ka mundur të mësojë disa detaje rreth bisedimeve, të cilat, ndryshe nga herët e kaluara, janë shoqëruar me një klimë më të qetë.
“Fakti se qeveria shqiptare po pret të finalizojë shitjen e aksioneve të ‘Albpetrol’, e bën më pak tensionues takimin dhe obligimet morale ndaj FMN-së”, shprehen burime pranë Fondit. Megjithatë, borxhi mbetet meraku kryesor, por edhe në këtë pikë, Financat e kanë të qartë.
Drejtori i menaxhimit të borxhit publik në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, thotë se është e rëndësishme të mos kalojmë kufirin e borxhit publik mbi nivelin 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, madje do të shikohen mundësi për ta ulur. Po si mund të realizohet ky objektiv? Cila do të jetë manovra e qeverisë për të bindur FMN-në se po ecën në rrugën e duhur drejt qëndrueshmërisë së financave? Pothuajse të gjitha zgjidhjet vijnë nga të ardhurat e shitjes së ndërmarrjes shtetërore të prodhimit të naftës, por edhe të katër HEC-eve, ankandi i të cilave do të zhvillohet më 25 nëntor.
Ulet deficiti, ruhet borxhi!
Kjo është teza e Ministrisë së Financave dhe duket se ka bindur Fondin Monetar Ndërkombëtar. Nga takimet mësohet se FMN-ja nuk ka pasur ndonjë objektiv të veçantë, sikurse nuk ka parashtruar kërkesa specifike, edhe pse i ri në Shqipërisë, shefi i misionit, i sapomandatuar Nader Ilahi po fillon të njohë mirë realitetin dhe planet e qeverisë për të ardhurat dhe shpenzimet.
“Në planet tona qëndron ulja e deficitit buxhetor, në dy vitet e ardhshme me 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 3 për qind që është aktualisht”, thotë Demiraj. Në fakt ky është plani i vendosur në muajin gusht, por Financat guxojnë të vendosin një tjetër objektiv, ta ulin deficitin buxhetor me 2.2 për qind. Duket si diçka e pamundur, nëse kujtojmë nivelin rekord negativ të vitit 2009, kur deficiti buxhetor arriti në rreth 7 për qind të PBB-së, duke i shkaktuar borxhit publik në tërësi një kapërcim me gati 5 pikë për qind (plus 800 milionë dollarë).
Ruajtja e nivelit të borxhit, duke mos lejuar rritjen e mëtejshme do të realizohet për “ushqim” të deficitit buxhetor me të ardhurat nga privatizimet. Dihet që deficitet mbulohen nga borxhi që merr qeveria dhe një pjesë nga të ardhurat e privatizimeve. Demiraj tregon se deficiti do të mbulohet për një pjesë të mirë nga të ardhurat e privatizimeve.
Rishikimi i buxhetit
I diskutuar prej më shumë se katër muajsh, tashmë rishikimi i buxhetit ka mbetur thjesht një procedurë rutinë, për vetë faktin se Ministria e Financave ka nisur të zbatojë planin e masave që në fillim të këtij viti. Vendimi për të disiplinuar fondet në buxhet sa u takon shpenzimeve operative ishte thjesht një manovër plotësuese e paktit të heshtur mes institucioneve, të cilat që në muajin shkurt të 2012, kishin nisur të merrnin më pak fonde nga buxheti i Ministrisë së Financave.
Me të ardhura vjetore, që rriten me 3 për qind, qeveria e ka pasur të pashmangshme të mos kursente, qoftë edhe investimet, të cilat deri në muajin gusht regjistronin nivelin 17 për qind më të ulët se viti i kaluar, kurse deficiti buxhetor është mbajtur i kontrolluar, madje diçka më pak.
Rezultati i pritshëm për shitjen e “Albpetrol” dhe ankandi në nëntor i 4 hidrocentraleve të vogla dhe të mesme, ku me shumë gjasa do t’i japë qeverisë dhe arkës së saj një likuiditet përtej parashikimeve, e detyron ministrin e Financave të sjellë në Kuvend një paketë ndryshimesh të buxhetit. Ministria thotë se nuk mendon më për kursime të mëtejshme, pasi ato realisht janë kryer, por një vendosje të re të balancave në buxhet, sidomos te pjesa e të ardhurave dhe e financimit të deficitit.
Pasiguria e financave e ka shoqëruar ministrin Bode gjatë gjithë muajve të verës, ku askush nuk e priste megaofertën e amerikanëve të “Albpetrol”. Një plan i dytë i ministrit konsistonte në reduktimin e mëtejshëm të buxhetit, me të paktën 12 miliardë lekë, ku gjysma u takonte investimeve, por mesa duket, ky skenar vështirë të realizohet.
Gjithnjë një plan B me BB-në
Kush mendon se projekti i qeverisë për të siguruar financim shtesë nga Banka Botërore është çështje që i përket së shkuarës, gabohet. Në fakt, dukej si projekt i harruar, prej 8 muajsh, për shkak edhe se palët u përfshinë në diskutime të forta dhe vendosje kushtesh të anasjella, por situata aktualisht paraqitet e qetë.
“Monitor” mëson se Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë zhvilluar një seri takimesh javën e shkuar, duke pasur në fokus, ndër të tjera, edhe mundësinë e një akordimi huaje. Tashmë nuk flitet për mbështetje buxhetore, sikurse ishte rasti i parë, por për një manovër për të siguruar financim me kushte të buta dhe më tej, të likuidohen borxhet me kosto të lartë.
“Po shikojmë mundësinë të marrim kredi me kushte të mira nga Banka Botërore, me afat të gjatë, gati 30-vjeçar. Me këto para synojmë të shlyejmë kredi afatshkurtra dhe me kosto të lartë. Jemi në diskutime dhe ende nuk ka një paketë të qartë financimi”, thotë drejtori i menaxhimit të borxhit publik në Ministrinë e Financave.
Shuma që diskutohet vërtitet rreth 150 milionë dollarë dhe konsiderohet me leverdi për qeverinë shqiptare. Por sërish, edhe në këtë diskutim, hyn në lojë privatizimi i “Albpetrol”. Qeveria, ose më saktë ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk duket më i shqetësuar si në periudhën janar-shkurt të këtij viti kur i kërkonte me pahir Bankës Botërore 300 milionë dollarë. Madje dhe në atë kohë, edhe pse qeveria e kërkonte me ngulm financimin, Banka Botërore i vendosi kushte, kurse pala shqiptare u tërhoq, për shkak të plotësimit të disa kritereve.
Bilanci
Borxhi
Për FMN-në, borxhi nuk duket edhe aq shqetësues, për aq kohë sa ka marrë garancinë nga qeveria shqiptare që nuk do të kapërcejë kufirin me ligj prej 60 përqindësh të Prodhimit të Brendshëm Bruto
Rreziku
Pavarësisht garancive, rreziku ekziston, për shkak se Ministria e Financave në muajin gusht ka miratuar një plan të ri, duke e mbajtur borxhin pranë kufirit 59.8 për qind në raport me PBB-në, deri në vitin 2015
Investimet
Ekonomia po vuan edhe nga stimuli i munguar i qeverisë, fakt i evidentuar edhe nga BSH-ja, duke pasur parasysh ecurinë e investimeve publike, të cilat ishin gati 17 për qind më pak se vitin e kaluar
Albpetrol, Vetro Silkroad Equity renditet e para, pritet të fitojë tenderin
Shtohen shpresat për arkëtimin e 850 milionë eurove në buxhet
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pritet të çojë për miratim në qeveri renditjen e kompanive që morën pjesë në tenderin për privatizimin e Albpetrol, ku konsorciumi Vetro Silkroad Equity, rezulton se ka marrë pikët maksimale në procesin e tenderit, sipas deklarimeve të zëvendës ministrit të ekonomisë, z. Sokol Dervishaj, gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, kompania ka marrë pikët më të larta dhe plotëson kapacitetet financiare, ndërkohë që garancia bankare që ka pasur kompania në bankën amerikane ka rezultuar e vlefshme. 75% të pikëve kompania i mori nga oferta e lartë në vlerë, prej 850 milionë euro, ndërsa 25% të pikëve i ka oferta teknike.
Nga këto të dhëna kjo kompani është pretendentja kryesore për të fituar tenderin, por vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i Ministrave, pasi Komisioni i Ofertave çon fituesin për miratim në qeveri.
Zëvendës ministri i ekonomisë, z. Sokol Dervishaj ka pohuar gjatë një konference për shtyp se në këtë proces morën pjesë 6 kompani, Bankers Petroleum, Win Bussines, Vetro Energjy, Gazprom, Ecolog dhe Amber Shine.
Fillimisht u skualifikuan kompania Gaz Promo, pasi nuk kishte garanci dhe Ecolog. “Komisioni në mbledhjen e tij të parë pas mbylljes së procesit të dorëzimit të dokumentacionit filloi analizimin e dosjeve dhe Ecolog International nuk kishte garanci oferte, dhe ofertë financiare dhe për këtë u skualifikua. Gjithashtu “Gazprom” nuk ishte totalisht me kriteret e kërkuara dhe s`kishte garancinë bankare dhe kështu komisioni vendosi që kjo kompani të skualifikohej ” tha Dervishaj.
Më pas Komisioni ka kërkuar informacione shtesë nga katër kompanitë e mbetura, duke skualifikuar edhe kompaninë e tretë, Amber Shine. “Amber Shine nuk zotëron certifikatën ISO dhe nuk ka kapital të konsoliduar prej 100 milionë euro”, tha Dervishaj.
Mes tre kompanive të mbetura në garë, Bankers Petrolium, Win Bussines, Vetro Energjy, pikët maksimale i mori Vetro Silkroad Equity, sipas vlerësimeve të konsulentit që kishte pajtuar qeveria, Paton Boggs; e dyta u rendit Win Bussines dhe i treti Bankers Petroleum.
Rrenditja sipas konsulentit Patton Bogs:
1-Voltro Silkiroad Equite Ltd ofron 850 mln euro
2-Consorcium Win Bussines ofron 297 milionë e 600 mijë euro
3-Bankers Petrolium ofron 303.8 milionë euro
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.