Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur as me ndihmën e ambasadorëve të QUINT-t, që të afrohen për të krijuar koalicionin qeverisës. Albin Kurti dhe Isa Mustafa pas takimit të mbrëmshëm konfirmuan se partitë e tyre nuk lëvizin sa i përket postit të kryekuvendarit, çka pa lëshuar njëra palë pe e bën të pamundur marrëveshjen. Kurti ka kohë edhe 6 ditë që ta formojë Qeverinë e re.
Fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kohë edhe 6 ditë që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.
Kjo pasi që me afat kushtetues, Kurti ka kohë deri më 4 shkurt.
E partia e vetme, Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën, tash e sa kohë po tenton të gjejë një gjuhë të përbashkët për një marrëveshje, që të bashkëqeverisin, nuk po i pranon kushtet e vendosura nga LVV-ja.
Edhe pas takimit të mbrëmshëm, takimi VV-LDK, në prani të ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, nuk rezultoi me një marrëveshje.
Përfaqësuesit nga shtetet e QUIN-it thanë se “më shumë kemi dëgjuar sa që kemi folur”.
Të gjithë pohuan se ata ishin aty vetëm për t’u informuar për procesin e diskutimeve, e jo për të dhënë këshilla për bërjen e Qeverisë.
Ndërsa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar para mediave se i qëndrojnë ofertës që ia kanë bërë LVV-së.
“Mbesim të hapur në qoftë se LVV-ja si parti e parë i pranon kërkesat tona. Jemi të gatshëm që në çdo kohë të lidhim marrëveshje”, tha Mustafa.
Kurse Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk ka marrëveshje, pasi LDK-ja nuk po ka vullnet që të qeverisin bashkë.
“Do të doja që të thoja që marrëveshja është realizuar. Por nuk mund të them një gjë të tillë, pasi LDK-ja po insiston të kërkesa e tyre e 8 janarit”.
E kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se LDK është duke u treguar këmbëngulëse me versionin e propozuar nga ta, që për të pamundëson një marrëveshje për bashkëqeverisje.
“LDK po shkon me opsionin ‘merre ose lëre’ që do të thotë lëre. Nuk ka marrëveshje me LDK-në sepse ata po shkojnë me versionin e tyre”, është shprehur Kurti.
E kërkesa e LDK-së, që është bërë “mollë sherri” është pozita e Galuk Konjufcës, kryeparlamentar.
Në ofertën e LDK-së kanë kërkuar që ta ketë kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
Në seancën konstituive të 26 dhjetorit, Glauk Konjufca është zgjedhur për kryetar të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Albin Kurtin, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re të vendit, ndonëse ky i fundit nuk i erdhi në zyrë ashtu sikurse ai e kishte ftuar.
Ndryshe, 4 shkurti është afati i fundit për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.