Edhe këtë vit qytetarët e Kosovës djegin miliona euro në fishekzjarrë

16/12/2019 10:41 AM 0 komente

Festat e fundvitit po afrohen, e siç ndodh për çdo vit, mjetet piroteknike nuk mungojnë në Kosovë. Ndezja e tyre është bërë diçka e zakonshme për qytetarët e Kosovës. Në Doganë kanë treguar se edhe këtë vit trendi i importimit të mjeteve piroteknike është i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Gjatë këtij viti i tërë importi i fishekzjarrëve ishte nga Kina.

Edhe këtë vit qytetarët e Kosovës duket se kanë planifikuar të shpenzojnë miliona euro për mjete piroteknike.
Në Dogën e Kosovës kanë treguar se edhe këtë vit trendi i importimit të mjeteve piroteknike është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.
“Deri me tani kemi importuar mbi 81000 mijë kilogramë mjete piroteknike. Ka trend të njëjtë pasi vitin e kaluar kishim rreth 100.000 mijë kilogram, derisa sivjet jemi tek 81.000 mijë kilogramë dhe presim që viti të përmbyllet me sasinë e përafërt me vitin e kaluar”.
Importimi i kësaj sasie të mjeteve piroteknike, arrin vlera milionëshe. Deri tani për këto 81 mijë kilogramë të importuara, janë shpenzuar rreth 6.3 milionë euro.
“Vlerë monetare e deritashme është rreth 6.3 milionë euro derisa taksat e paguara janë rreth 2 milionë euro”, thonë në Doganë.
Importimi i mjeteve piroteknike është bërë kryesisht nga Kina.
Kurse, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë edhe afate se kur fillon përdorimi i mjeteve piroteknike.
Në këtë institucion kanë bërë me dije se në bazë të ligjeve, shitja e mjeteve piroteknike fillon nga 19 dhjetor dhe përfundon më 31 dhjetor.
Ligji për përdorim civil të eksplozivëve, tek dispozitat ndëshkuese, parasheh gjobat që mund t’u shqiptohen të gjithë atyre që shkelin rregullat e përcaktuara me këtë ligj.
“Neni 48: Personi juridik për kundërvajtje dënohet me gjobë në shumë prej njëmijë (1000) deri shtatëmijë (7000) Euro nëse shkelet paragrafi 3.15 i këtij neni. Neni 49: Punëtorët e organeve të autorizuara dënohen për kundërvajtje me gjobë në shumën prej njëqind(100) deri pesëqind (500) Euro nëse shkelet paragrafi 1.5 i këtij neni; dhe Neni 50: Punëtori i organeve të autorizuara dënohet me gjobë në shumën prej njëqind (100) Euro në vendin e kryerjes së kundërvajtjes, nëse nuk e prezanton licencën me kërkesën e zyrtarit policor”.
Gjatë viteve të kaluara nga përdorimi i mjeteve piroteknike ka pasur shumë të lënduar, sidomos të rinj e fëmijë. Madje, ka pasur të atillë që kanë humbur edhe gishtërinjtë si pasojë e lëndimeve të marra nga pakujdesia gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike.
Për këtë shkak shumë nga komunat e Kosovës vitin e kaluar morën vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of