Kreditimi i ekonomisë u rrit me ritme të përshpejtuara në muajin nëntor.
Sipas të dhënave Bankës së Shqipërisë, kredia e re e disbursuar nga bankat tregtare kishte vlerën e 26.3 miliardë lekëve, në rritje të lartë me 59% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.
Kredia u rrit në të gjitha segmentet kryesore të tregut. Nëse për individët kreditimi ka qenë në rritje të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, ndikim në rritje, sidomos në gjysmën e dytë të vitit, e ka dhënë rimëkëmbja e kredisë për bizneset.
Për nëntorin, kredia për bizneset shënoi një rritje të lartë me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontributi i kompanive private në kreditim ngelet përcaktues, sepse ato gjenerojnë edhe volumet më të mëdha të kredisë.
Ndikim pozitiv në rritjen e kredisë gjatë nëntorit dhanë për herë të parë gjatë këtij viti edhe kompanitë publike. Statistikat tregojnë se kreditë e reja për korporata publike arritën në pothuajse 3.7 miliardë lekë për nëntorin, me një rritje pothuajse 30 herë krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Kjo rritje ka ardhur për shkak të nevojës së kompanive publike të sektorin energjetik për financime me qëllim importin energjisë elektrike.
Gjatë muajit nëntor, qeveria garantoi 30 milionë euro kredi të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike te dy banka tregtare në vend. Burime nga sistemi shprehen se huamarrja e kompanive publike të energjetikës ka vijuar edhe gjatë muajit dhjetor.
Kredia për individët vijoi ecurinë e qëndrueshme pozitive edhe për muajin nëntor, për një vlerë totale prej 6.8 miliardë lekësh, 28% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e muajit nëntor ka bërë që kredia e re për ekonominë të kalojë edhe nivelet e para pandemisë. Në 11 muaj, bankat kanë disbursuar rreth 223 miliardë lekë kredi, 9.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe afërsisht 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në rritjen progresive të vjetore të kredisë për vitin 2021 kontributi kryesor ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja ka ardhur sidomos nga kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, ku huadhënia këtë vit ka arritur nivelet më të larta historike. Ndërkohë, në segmentin më të madh atë të biznesit, kredia ende është në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar, me 1.9% më pak.
Megjithatë, hendeku i kreditimit me vitin e kaluar është ngushtuar gradualisht, sidomos në gjysmën e dytë të vitit.
Ecuria pozitive kredisë së re po reflektohet edhe në ritmet e rritjes së madhësisë totale të portofolit të kredisë për ekonominë, rritje që tashmë ka arritur nivele dyshifrore.
Në fund të muajit nëntor, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 658.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10.5%.
Edhe në tepricën e kredisë rritja më e lartë regjistrohet në segmentin e individëve, ku portofoli i kredisë është zgjeruar me 11%, ndërsa për bizneset rritja është lehtësisht më e ulët, me 10.2% më shumë.
Portofoli i kredisë për ekonominë po rritet me ritmet më të larta në një dekadë. Kjo rritje është ndikuar nga ecuria e mirë e kredisë së re, por edhe nga faktorë të tjerë.
Gjatë viteve të fundit, ka pasur një rënie të ndjeshme të fshirjes së kredive, që sidomos gjatë periudhës 2015-2018 kishin vlera të larta.
Përveç efektit pozitiv në uljen e raportit të kredive me probleme, ato paralelisht kishin një efekt gërryes në totalin e portofolit.
Element tjetër që po e ndikon pozitivisht madhësinë e portofolit të kredisë është rritja e ndjeshme e peshës së kredisë afatgjatë. Kjo vërehet sidomos nga rritja e lartë e kredisë për pasuri të paluajtshme, jo vetëm për individët, por edhe për bizneset.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.