Edhe qeveria e re në “luftë” me Serbinë për taksën

21/09/2019 10:00 PM 0 komente

Janë bërë 10 muaj që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë për mallrat serbe. Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të vendosë taksë 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Vendimi erdhi si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës. E tani kur Kosova është në zgjedhje dhe pritet që shtetin ta drejtojë një qeveri e re, taksa ndaj Serbisë vazhdon të jetë tema më e nxehtë. “Lufta” mes Kosovës dhe Serbisë duket se do të vazhdojë.

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

 

Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e cila pritet të formohet pas zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 6 tetor, do t’i duhet të gjejë një zgjidhje për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e re duhet që me pa tjetër të ballafaqohet me Serbinë edhe për taksën, që i është vendosur shtetit fqinjë prej 10 muajsh. Deri më tash, të gjithë kandidatët e partive politike që janë në garë për kryeministër të Kosovës, janë deklaruar për taksën. Të gjithë njëzëri thonë se ajo nuk duhet të hiqet.

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmani, ka thënë se tarifa do të jetë pjesë e masave në paketë që qeveria e saj do të aplikojë ndaj Serbisë. Osmani, duke folur për taksën në një deklarim publik, ka thënë se ende pa filluar zgjedhjet, ajo bashkë me deputetin Korab Sejdiu kanë propozuar vendosjen e reciprocitetit të plotë me Serbinë që do të ishte i pranueshme edhe për faktorin ndërkombëtar. Ajo tha se kryeministri Ramush Haradinaj e vendosi taksën për të mbuluar gabimet e tij dhe që të fitojë votën.

“Ne nuk do ta heqim taksën por do ta bëjmë pjesë të masës së reciprocitetit. Pra taksa do të jetë pjesë e masave të tjera që do t’i marrim ndaj Serbisë dhe do të kërkojmë që Serbia të kthehet në tavolinë për të biseduar për këto tema. Do të diskutojmë ccështjet tregtare, lëvizjen e lirë, njohjen e dokumenteve sepse Serbia nuk njeh vulat tona doganore, as certifikatat mjekësore e as ato të sigurisë veç pse kanë vulën e Kosovës”, tha ndër të tjera, Vjosa Osmani. E kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të thotë se dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka bllokuar taksa, por aspiratat territoriale të Beogradit.

“A po e shihni se Taksa nuk e ka bllokuar dialogun, por aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës! E po Kosova është shtet sovran me këta kufij, ndërkombëtarësh të njohur dhe të pandryshueshëm, dhe sa më parë ta kuptojë këtë fakt lidershipi në Serbi, është më mirë për ta”.
Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se pezullimi i taksës në shkëmbim të një dialogu pa kufi, çfarë është parë në të kaluarën, abuziv dhe pa garanci se çfarë do të ndodhë në fund të cilësdo periudhë, është i dëmshëm për Kosovën.

“Askush nuk e jep tregun falas, çdo treg, çdo e mirë e ka një kundërvlerë. Tregu i Kosovës për Serbinë është treg me vlerë. Në kundërvlerë, kërkojmë t’i prijmë një marrëveshje politike, marrëveshjes ekonomike, marrëveshjes për tregti të lirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ky është qëndrim i tij dhe i Qeverisë dhe ky nuk është refuzim i kërkesës së Amerikës, por është mendim i tij si kryetar i qeverisë, sepse përshpejtohet marrëveshja nëse taksa mbetet në fuqi.

Kurse nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, foli ditë më parë për procesin e zgjedhjeve të parakohshme. Ai tha se taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjë – Hercegovinës do të mbetet, nëse Qeverinë e ardhshme do ta udhëheqë kreu i PDK-së. “Fatkeqësia është se taksa është bërë ‘jorgan’ për t’i mbuluar çështjet e tjera dhe problemet e tjera në Kosovë, kur e kemi vendos këtë tarifë është vendosur si mjet kundërshtimi për agresionin diplomatik dhe kjo tani është bërë si qëllim e jo si mjet, kryeministri Ramush Haradinaj e ka kthyer në qëllim, ne e kemi pas një propozim në koordinim me aleatët e Kosovës për suspendim të taksës”, është shprehur Krasniqi.

 

Reciprocitet apo taksë

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë ka thënë se reciprociteti ndaj Serbisë do të ishte politikë shumë më e qëlluar dhe më e drejtë se sa tarifa 100%, pasi sipas tij e njëjta do të mirëkuptohej edhe nga faktorët ndërkombëtarë. “Ne, prej fillimit, kemi pasur politikën tonë të qartë, reciprocitet me Serbinë dhe kur është vendosur taksa 100%, ne e kemi përmendur edhe atëherë reciprocitetin si politikë shumë më të qëlluar e më të drejtë se sa tarifa 100%.

Po them kështu, sepse kur thua një mall serb nuk duhet të kushtojë pesë euro, por duhet të kushtojë dhjetë euro, po ja vendos vetës njëfarë çmimi dhe kjo nuk i lë shije të mirë integritetit dhe dinjitetit, më mirë është reciprociteti i plotë, por kemi shprehur edhe qëndrimin tonë se kur Serbia ka dy herë në javë (Aleksandër) Vuçiç, (Ana) Brnabiç, (Ivica) Daçiç, (Aleksandër) Vulin e kërkojnë heqjen e tarifës 100% është e pamundur që të bëhet një gjë e tillë”.

Ai ka thënë më tej se reciprociteti me Serbinë nënkupton që Serbia nuk do të mund të fusë mallra në Kosovë sepse, sipas tij, certifikatën e prodhimit të mallit në Kosovë me Republika e Kosovës ata nuk e pranojnë pra efektivisht malli i Serbisë nuk do të mund të hyjë, bile tani mund të hyjë nëse janë të gatshëm të paguajnë tarifën. Kur janë bërë gati 10 muaj që Kosova ushtron taksë doganore 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, qëndrim ndaj këtij veprimi nuk ka ndryshuar as ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, që është zyrtar i partisë së Fatmir Limajt, i cili është kandidat për kryeministër të Kosovës.

Endrit Shala ka thënë se vendosja e taksës ishte bërë me qëllim për të “fuqizuar prodhuesit vendorë” dhe ekonominë e Kosovës. Ministri Shala thotë se ky vendim duhet të mbetet në fuqi edhe pas zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen në tetor. “Taksa 100% duhet të mbetet derisa nuk eliminohen arsyet të cilat na kanë detyruar që të marrim një vendim të tillë. Ky është vendimi që kemi marrë si Ministri, por është edhe qëndrim i Nismës. Pra edhe nëse jemi në ekzekutivin e ardhshëm qeveritar, kjo taksë do të mbetet”.

 

Presioni për taksën nuk ka të ndalur

Theksojmë se ditë me parë, shtetet e Quintit kanë kërkuar nga Kosova që të largojnë taksën 100 për qind dhe të rifillohet dialogu me Serbinë. Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet se ato janë bashkuar në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Kurse gjatë ditës se mërkurë, ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, ka thënë se çështja e Kosovës është një prej pengesave kryesore për raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Beogradit. Scott ka thënë se nga Qeveria e ardhshme presin që të heqë taksën ndaj produkteve serbe në shërbim të progresit, në negociatat për të arritur një “kompromis të vështirë”.

“Shpresojmë që, pas zgjedhjeve në Kosovë, ne do të kthehemi shpejt në punë për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, që do t’i kontribuojë paqes në këtë rajon”, ka thënë Scott. Qeveria e Kosovës, e cila tashmë është në dorëheqje, fillimisht, më 6 nëntor të vitit 2018, mori vendim që të vërë taksë prej 10% për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Më 21 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, mori vendimin tjetër për rritjen në 100% të taksës për mallrat e këtyre dy vendeve. Ky vendim erdhi vetëm një ditë pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL dhe është parë si një kundërpërgjigje ndaj politikës agresive të Serbisë ndaj këtij anëtarësimi, si dhe lobimit të diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Përderisa autoritetet e Serbisë e kanë kushtëzuar vazhdimin e dialogut me Kosovën me heqjen e kësaj takse, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar nga Kosova që ta pezullojë vendimin për taksën, në mënyrë që të bëhet i mundur vazhdimi i dialogut që synon arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme, gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese ndërmjet dy vendeve.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of