Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë do të mbajnë sot sërish grevë, pasi përpjekjet për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre, deri më tani nuk kanë treguar rezultate.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit, Bashkim Latifi, ka thënë se sot janë mbi 500 punëtorë që po mbajnë grevë.
“Nëse në dy ditët e mëparshme kemi pasur grevë njëorëshe, respektivisht dyorëshe, sot greva do të zgjasë 6 orë. Ajo do të nisë në ora 08:00 dhe do të përfundojë në orën 14:00”. Ai ka thënë se nuk do të heqin dorë deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre.
“Në këtë periudhë nuk do të ofrohet asnjë shërbim komercial. Numri i punëtorëve që u janë bashkuar grevës është më i madh se ditët e kaluara”, është shprehur Latifi. Ai ka thënë se për hapat e radhës që do të ndërmerren, nëse nuk u plotësohen kërkesat, sot në orën 16:00 do të mblidhet kuvendi i sindikatës për të marrë një vendim.
Kurse dje, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, ka paralajmëruar se menaxhmenti do të marrë masa ligjore ndaj grevistëve, të cilët pengojnë procesin e punës dhe rrjedhimisht shkaktojnë vonesa në fluturime.
“Iu kërkojmë ndjesë të gjithë udhëtarëve për vonesën, meqenëse ne kemi marrë të gjitha masat paraprake për grevë mirëpo duke u bazuar në takimin e djeshëm me udhëheqësin e sindikatës së ANP-së, ne nuk kemi marrë në konsideratë se do të ketë veprime jashtë të gjitha kornizave ligjore te grevave për të penguar procesin e punës”.
Pesë kërkesat e tyre kyçe të punëtorëve karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës janë kompensimi dhe benefitet për rrezikshmërinë, të eliminohen dallimet në pagesë në rastet ku punëtorët kanë detyrat dhe përshkrimin e njëjtë të punës, orët e njëjta të punës duke ngritur pagat e ulëta në nivelin e barabartë me kolegët, pagesën për përvojë të punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen, si dhe pagesa e shujtës.
Në dy ditët e mëparshme, greva ka shkaktuar vonesa dhe amulli në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke bërë që shumë fluturime të shtyhen./Fatos Shala për Monitor.al./.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.