Edhe tri raste të dyshimta për koronavirus, një shtetas kinez po trajtohet në QKUK

26/02/2020 10:27 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me virusin e ri, i cili ka marrë edhe emrin zyrtar COVID-19, e që besohet se e ka origjinën në Kinë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës janë alarmuar javëve të fundit rreth përhapjes dhe pranisë së koronavirusit. Vetëm gjatë ditëve të fundit rreth dhjetë personave u janë bërë analizat me dyshimet për koronë. Në QKUK aktualisht janë duke u trajtuar tri raste të dyshimta,  në mesin e tyre një shtetas kinez.

Një qytetar me origjinë nga Kina është shtrirë mbrëmë në Klinikën Infektive në QKUK, i cili po dyshohet se është prekur nga koronavirusi i ri Covid-19.

Pacienti nuk ka simptoma të theksuara të sëmundjes që ka origjinën nga vendi i tij Kina, por pas dyshimeve dhe shqetësimeve që ka pasur është paraqitur në Klinikën Infektive.

Konfirmohet rasti i parë me Covid-19 në Greqi, në Itali preken mbi 320 persona

Vitia emëron këshilltarë në kabinetin e tij një kirurg oral dhe një mjek familjar

Mjekët janë duke observuar gjendjen e tij dhe deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim nëse është prekur nga koronavirusi.

Në QKUK kanë  deklaruar se shtetasi kinez është 28-vjeçar dhe i janë marr mostrat për analiza. Përveç tij janë edhe dy kosovarë që do të testohen për koronavirus të cilët janë të kthyer nga Italia.

“Një shtetas kinez 28-vjeçar, një femër 27-vjeçare studente në afërsi të Romës në Piacenza dhe një burrë 39-vjeçar i punësuar në Milano, u janë marr mostrat dhe pritet rezultati i analizave”.

Në Klinikën Infektive në QKUK gjatë ditës së djeshme janë paraqitur tre persona të cilët kanë pasur simptoma të ngjashme me virusin kinez koronavirus. Bëhej fjalë për një shtetas jokosovar, 69 vjeç, i cili ka qëndruar në Itali si dhe për dy shtetas të tjerë kosovarë, njëri 25 vjeç e tjetri 23, të cilët kanë ardhur dje nga Italia.

Të tria këto raste rezultuan negative me këtë virus.

Mirëpo, përhapja e shpejtë e tij tashmë ka shkaktuar panik te qytetarët. Ata nuk po e fshehin frikën nga përhapja e koronavirusit të ri edhe në Kosovë, pasi që i njëjti tashmë është konfirmuar se ka prekur njerëz në vende të ndryshme botërore.

Shqetësimet janë rritur sidomos ditët e fundit, pas raportimit të rasteve në Itali.

Zyrtarët nga institucionet shëndetësore në vend shprehen të bindur se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për t’i dalë në ballë virusit kinez, koronavirus. Megjithatë ata nuk e mënjanojnë mundësinë që ky virus së shpejti të vijë në Kosovë.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, ka treguar se edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinë, “Adem Jashari”, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të kontrolluar qytetarët që vijnë nga jashtë. Ai tha se në këtë aeroport ka staf shëndetësor.

“Plani strategjik është aprovuar javën e kaluar dhe qysh sot kemi filluar me takime, edhe natyrisht me veprimet të cilat ndërlidhen me ministritë e tjera. Jemi duke punuar që të ndërmerren të gjitha masat”, u shpreh ministri Vitia.

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka filluar përgatitjet për mbrojtje nga koronavirusi. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse tashmë ka bërë gati listën për furnizim me produkte që parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

Pjesë e këtij komitetit janë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Kosovës, Klinika Infektive dhe zyrtarët e Doganës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of