“PASDITE NË RRUGËN DON BOSKO”, 140 x 50 cm, 3,000 EURO
Edmond Gjikopulli është një ndër zërat më të rëndësishëm të artit vizual, post viteve ‘90.
Lindur në vitin 1967, ai jeton dhe punon në Tiranë.
I diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve, ai është biri i piktorit të njohur Jorgji Gjikopulli, i cili njihet si një nga autorët më origjinalë në pikturën tonë, me shumë vepra, në të cilën spikat një paletë koloristike vibrante dhe që i ka rezistuar kohës, duke na u ofruar përherë e freskët.
Prej vitesh është drejtues i atelierit të pikturës së kavaletit në Universitetin e Arteve. Edmond Gjikopulli ka ekspozuar në Varshavë, Athinë, Firence, Prishtinë, Budensdorf, Selanik, Londër etj.
Në vitin 2009, Edmond Gjikopulli prezantoi ekspozitën e tij personale “Synopsis 2003 – 2008” në Galerinë Zeta, Tiranë, dhe në vitin 2014, ekspozitën e dytë “Juxtaposition / Kthim në muzeun e idhujve” po në Galerinë Zeta dhe FAB, Tiranë.
Përgjithësisht, shumë artistë të cilët rriten nën hijet e prindërve piktorë të konsoliduar, e kanë të vështirë të krijojnë individualitete artistike të ndryshme nga trashëgimia familjare.
Ky nuk është rasti i Edmond Gjikopullit, i cili duke qenë dëshmitar i ndryshimeve sociale, ekonomike, politike dhe kulturore në vendin tonë, u tërhoq nga dinamika e këtyre lëvizjeve, duke i pasqyruar ato me shumë besnikëri dhe duke mos lejuar që asnjë nga këto nuanca t’i anashkaloheshin.
Qartësia e tij në pasqyrimin e realitetit, duke operuar në të me një kujdes klinik, e ka bërë që të jetë në gjendje të konvertojë historitë në metafora të luftës së përditshme të njeriut të thjeshtë.
Në veprën e tij, Gjikopulli pasqyron dinamikën e “etheve të arit” postkomunist. Të gjithë lëvizin me shpejtësi, ekzaminojnë, negociojnë dhe komunikojnë përmes gjuhës së trupit, ku çdokush ka diçka për të marrë ose për të dhënë.
Pavarësisht amullisë së organizuar me tejet elegancë kompozicionale, personazhet e përshkruara në veprat e Gjikopullit marrin atributet e njeriut të përditshëm, ku përmes atmosferës me dritë mesdhetare dhe leximit të pluhurit të përditshëm e kemi të pamundur të mos t’i duam këto personazhe, ku të gjithë jemi në gjendje të dekodojmë njerëzit tanë më të afërt.
Humanizmi është tejet i pranishëm në kompozimet e tij, ku lexohet dëshira për jetën, kërkesa për një të ardhme më të mirë dhe iluzionin që konsumerizmi i ofron individit. Në njëfarë mënyre vepra e tij lidhet përmes një filli ironik, ku lexohet nënshtresëzimi pezmatues i triumfit të presionit të të kërkuarit më tepër.
Veprat e Edmond Gjikopullit karakterizohen nga një teknikë e perfeksionuar e pikturimit, të cilën ai e zotëron dhe e përdor me shumë efikasitet në kompozimet e tij, vizaton me një saktësi klinike dhe ka aftësinë e materializimit të teksturave, të cilat i kthen në vlera unikale.
Në imazhet e përcjella prej tij, ne dashurohemi me tullumbacet lodrues halogjenike, kalimtarët të cilët kalojnë pranë tyre, pa i vënë re, a thua se këto objekte janë frymorë të ngjashëm.
Dëshira për të sjellë diçka për të treguar i bën të tërë të jenë në kërkim të diçkaje për të dhënë dhe për të marrë. Por në fund, në veprën e Gjikopullit, si çdo Eldorado, ka dhe një ironi të fatit, ku protagonistët përherë kthehen në pikën e fillimit, ashtu si në mëngjesin e ditës që ata nisen, në kërkim.
Nëse do donim të bënim një autopsi të shoqërisë sonë në 20 vitet e fundit, mjafton të analizojmë krijimtarinë e Gjikopullit dhe në të gjejmë një lloj dëshmie kokëfortë, ndaj së cilës nuk mund të fshihemi, duke filluar nga kërkimi i nevojave bazë për të jetuar, dhuratat iluzionike, tek papagajtë vanitozë të lukseve të pajustifikuara.
Revista “Monitor”, në këtë edicion të saj, ofron për lexuesit disa nga veprat e Edmond Gjikopullit.
Genci Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.