Jo të gjithë njohin tregjet në mbikëqyrje të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare. Në kuadër të edukimit financiar si dhe ndërgjegjësimit për aspektet pozitive që sjell njohja e tregjeve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka nisur nga studentët e Durrësit.
Në një leksion të hapur, në Fakultetin e Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi, vuri theksin tek nisma e institucionit që ai drejton në funksion të edukimit financiar.
“Iniciativa për të rritur edukimin financiar, e cila filloi me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, do të shtrihet më gjerë, për të përcjellë informacione të kuptueshme për të gjithë publikun, në mënyrë që në një të ardhme të afërt, produktet financiare, si sigurimet, fondet vullnetare të pensioneve, apo fondet e investimit të mos jenë më detyrime për t’u përmbushur apo mekanizma financiarë të largët, por të shndërrohen në pjesë të jetës sonë ekonomike” tha Koçi.
Gjatë aktivitetit, studentëve iu është shpërndarë një pyetësor, si pjesë e një fushate anketimesh, e nisur nga AMF për të identifikuar njohuritë dhe adresuar më mirë kërkesat e të rinjve për edukim financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.
Me qëllim rritjen e edukimit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit, AMF ka krijuar një drejtori të posaçme si pjesë e strukturës së re, ndërsa ka nisur edhe zbatimin e strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF dhe dekania e Fakultetit të Biznesit, Azeta Tartaraj nënshkruan gjithashtu edhe një marrëveshje bashkëpunimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.