Numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore në 6-mujorin e parë të vitit 2020 ra me 55 mijë e 367 persona, në raport me fundin e vitit 2019, sipas të dhënave të siguruara nga ‘Monitor’, ne raportimet e institucioneve.
Të dhënat tregojnë se, numri i kontribuuesve në skemë ka rënë me 7.5% në raport me numrin mesatar të kontribuuesve në vitin 2019.
Shkak për rënien është bërë pandemia e Covid-19 dhe mazat izoluese që u ndërmorën në tremujorin e dytë për parandalimin e saj.
Siç shihet nga të dhënat, numri i kontribuuesve ka rënë për të gjitha kategoritë në sektorin privat, duke përfshirë edhe fermerët dhe të vetëpunësuarit, përveçse në sektorin publik, ku nuk ka ndryshime domethënëse.
Të vetëpunësuarit me sigurime ishin 79,632 mesatarisht në gjashtëmujorin e parë, ose rreth 5% më pak se mesatarja e vitit 2019.
Rënie ka pësuar edhe numri i kontribuuesve në sektorin e biznesit, me rreth 26,919 persona, ose 6.4% në raport me mesataren e kontribuuesve më 2019.
Pandemia duket se ka goditur më të njëjtin intensitet, madje edhe më fort, sektorin bujqësor. Për gjysmën e parë të vitit 2020, kanë kontribuar në skemë mbi 44 mijë fermerë, me një rënie 27,7% në raport me mesataren e vitit 2019. Mbi 17 mijë fermerë nuk kanë mundur të paguajnë sigurimet këtë vit.
Siç shihet nga të dhënat mujore, numri i kontribuuesve në skemë është ulur në 3-mujorin e dytë të vitit për të gjitha kategoritë, periudhë e cila përkon edhe me masat kufizuese në lëvizje.
Nga ana tjetër, rënia në të ardhurat nga sigurimet shoqërore ka qenë më e moderuar për të njëjtën periudhë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, arkëtimet nga kontributet ishin 40,4 miliardë lekë, me një rënie -2.2% në raport me faktin e 6-mujorit të parë 2019.
Pandemia Covid -19 ka dhënë një impakt të lartë në tregun e punës në Shqipëri, në raport me rajonin.
Arsyet lidhen me nivelin e lartë të vetëpunësimit me 34.7% të totalit dhe së dyti me punësimin informal (% e totalit të të punësuarve), që vlerësohet mbi 50% po të marrin në konsideratë numrin e të punësuarve nga anketa e punës dhe atyre që paguajnë sigurime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.