Efekti i pandemisë në sigurime drejt shuarjes, numri i kontratave me rënien minimale prej një viti

31/05/2021 1:07 PM 0 komente

Tregu i sigurimeve të jo-jetës është drejt amortizimit të impaktit të drejtpërdrejtë të pandemisë të krizës në numrin e përgjithshëm të kontratave.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për katërmujorin e parë të vitit numri i kontratave të sigurimit ishte në rritje për të gjitha klasat, me përjashtim të grupit që mbulon aksidentet dhe sëmundjet. Në pjesën dërrmuese, ky grup përbëhet nga kontratat e sigurimit të aksidenteve në udhëtim, produkt ky i lidhur direkt me lëvizjet ndërkufitare të individëve. Për shkak se këto lëvizje ngelen ende shumë të kufizuara, sidomos me vendet e Bashkimit Europian, ky grup është i vetmi që nuk e ka rikuperuar plotësisht rënien krahasuar me një vit më parë. Në fund të katërmujorit, kjo rënie sidoqoftë u zbut në 63.6%, nga 72.5% që ishte qenë në fund të tremujorit. Megjithëse rënia në numër kontratash ngelet e thellë, këto janë kontrata sigurimi afatshkurtër dhe me vlera të vogla të primeve, ndaj edhe ndikimi i tyre në volumet e tregut të sigurimeve është mjaft i kufizuar.

Klasat e tjera të sigurimit këtë vit janë të gjitha në rritje, duke sinjalizuar se tregu ka ndjekur normalizimin gradual të aktivitetit ekonomik. Rritja më e lartë e numrit të kontratave ka ardhur në produktet e kreditit dhe garancisë, me 24% dhe të përgjegjësive civile, me 22%. Ndërkohë, grupi më i rëndësishëm për tregun, ai i produkteve motorrike, paraqitet në rritje me 17.8%. Rënia e numrit të përgjithshëm të kontratave për prillin zbriti në nivele njëshfrore, me 6.6% më pak; në fund të tremujorit rënia e numrit të kontratave kishte qenë 15.9%.

Një tjetër zhvillim që tregon se efekti i krizës në tregun e sigurimit po tejkalohet është edhe ecuria e primeve të shkruara bruto. Të dhënat e AMF tregojnë se në muajt e fundit tregu i është kthyer rritjes me ritme dyshifrore. Për katërmujorin 2021, kjo rritje ishte 13.34% më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2020. Rritja më e shpejtë në dy muajt e fundit është ndikuar edhe nga një ndryshim i konsiderueshëm i bazës krahasuese: marsi dhe prilli 2020 ishin muaj nën efektin e masave kufizuese drastike për frenimin e pandemisë, çka dha një efekt të madh edhe në tregun e sigurimeve.

Pjesa më e madhe e produkteve të sigurimit tashmë po sjellin prime në rritje. Ndër produktet kryesore, sigurimi nga zjarri dhe forcat e tjera të natyrës edhe në muajt e parë të këtij viti po shfaq ritme të larta të rritjes vjetore, me rreth 32%. Sidoqoftë, në numër kontratash rritja është më e ulët, me rreth 11%: kjo dëshmon se rritja po mbështetet sidomos nga prime më të larta, që mund të shpjegohet me më shumë sigurime të aktiviteteve të biznesit.

Edhe këtë vit tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga sigurimet motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Primet nga këto produkte janë në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë dhe përbëjnë rreth 59% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of