Industria e futbollit, konfirmon, edhe një herë, ndikimin e madh në ekonomi. Në mënyrë të veçantë, Premier League, e cila, gjatë sezonit 2019/2020, një nga më të vështirët për shoqëritë dhe për botën e sportit (sa u ndërpre për më shumë se tre muaj për shkak të pandemisë), ka kontribuar me 7.6 miliardë paund në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar. Kjo është një rritje me 840% krahasuar me 0.7 miliard paund në sezonin 1998/99.
Sipas raportit të EY, Premier League ka luajtur një rol të rëndësishëm në thesarin britanik. Premier League ka gjeneruar një kontribut fiskal në vlerën 3.6 miliardë paund (3.1 miliardë paund më shumë krahasuar me sezonin 1998/1999). Ky është një tregues i mëtejshëm i vlerës së jashtëzakonshme ekonomike të së gjithë Premier League, që rendit 6 klube në top 10 të klasifikimit të Forbes të klubeve më të pasura në botë.
“Ky raport i ri i EY tregon se si ne dhe klubet tona vijojmë të japim një kontribut të rëndësishëm në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar dhe kemi ofruar ndihmën aq shumë të nevojshme në të gjithë nivelet e futbollit dhe komuniteteve në një moment kur pandemia solli, pa precedentë, sfida dhe paqartësi për shumë – thotë Richard Masters, CEO i Premier League. – Jemi krenar për nivelin e mbështetjes që i ofrojmë piramidës së futbollit”.
Po aq i kënaqur është edhe Rishi Sunak, Kancelar i Thesarit në qeverinë Johnson. “Është fantastike që Premier League ka kontribuar me miliarda në ekonomi gjatë pandemisë. Ndër të tjera, po vazhdojmë të investojmë në lojën e futbollit nëpërmjet mbështetjes sonë për strukturat bazë në komunitetet e të gjithë vendit. Kjo do të ndihmojë brezin e ardhshëm të lojtarëve të realizojnë ëndrrën e tyre, që të luajnë në kampionatin më të madh në botë, nga kudo të vijnë”.
Premier League dhe klubet e saj kanë pasur një rritje të konsiderueshme të punësimit për një periudhë të gjatë kohore, me 94 mijë vende pune të mbështetura në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është një rritje me 7 mijë vende krahasuar me më shumë se 87 mijë vende pune të mbështetura në sezonin 2019/2020 (dhe një rritje me 650% krahasuar me 11 mijë vende në sezonin 1998/1999).
Është i dukshëm edhe interesi që nxit Liga. Sipas të dhënave, në sezonin 2019/20, kampionati tërhoqi më shumë se 3.1 miliardë tifozë ose jo, dyfishi i vlerës së regjistruar nga UEFA Champions League, kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Europë.
Për më tepër, para pezullimit të shkaktuar nga pandemia, të gjitha stadiumet e ligës angleze regjistronin çdo javë një përqindje kapaciteti të barabartë me 97.8%. Ky është sukses që mundëson investime të vazhdueshme dhe më të mëdha në komunitete, në nivel kombëtar dhe lokal, si dhe në futboll në të gjitha nivelet. Nuk është rastësi që Premier League ka siguruar pagesa solidariteti për 138 klube në EFL dhe National League, në total 455 milionë paund në sezonin 2019/20.
/ Forbes