Efekti në punësim

30/03/2020 10:27 AM 0 komente

Të vetëpunësuarit në të gjithë vendin pothuajse kanë pezulluar punën për shkak të situatës që përkeqësohet çdo ditë nga koronavirusi. Në total, sipas shifrave të INSTAT, për vitin 2018, të vetëpunësuarit në sektorët e ekonomisë janë rreth 102 mijë punonjës. Numri më i lartë i tyre është në sektorin e tregtisë me pakicë. Bizneset fason dhe call center raportojnë ulje me 60% të totalit të të punësuarve. Industria fason ende nuk ka qëndrim të unifikuar për marrje kredie me garanci të shtetit nëse do të hasen vështirësi paguese për pagat.

 

Nga Dorina Azo

Dhimitri dhe bashkëshortja e tij nuk do ta kishin imagjinuar 30 vjet më parë, kur hapën dyqanin e vogël 18 metra katrorë për shitjen e punimeve artistike, se një virus i rrezikshëm do t’i detyronte ta mbyllnin atë. Të dy bashkëshortët nuk do ta mendonin as në vitet ‘91, kur ish-sigurimi i shtetit kërcënonte hapjen e sipërmarrjes private, se do të vetëkarantinoheshin për shkak të pandemisë botërore dhe të mbyllnin dyqanin e tyre të vogël që prej 10 ditësh.

“Biznesi i vogël punon sot për nesër dhe nuk del të paguajmë detyrimet. Paratë për detyrimet ua marrim fëmijëve në emigracion. Dhe sot për t’u ushqyer, paratë na i dërguan fëmijët. Vdekja do të na vinte ngadalë çdo ditë vetë, edhe po të mos vinte koronavirusi”, shprehet i indinjuar 62-vjeçari.

Dhimitri është vetëm një nga ata që preken më shumë nga radhët e biznesit të vogël familjar. Në total, sipas të dhënave të INSTAT, në vend janë 102,017 të vetëpunësuar në të gjitha aktivitetet në vend. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018, në aktivitetin e tregtisë me pakicë, numri i të vetëpunësuarve është rreth 35 mijë punonjës, në aktivitetin e shërbimit ushqimor, ndërsa në akomodim, ku përfshihen nëndegët e bareve, kafeve dhe restoranteve, të cilët kanë pezulluar aktivitetin e tyre të vetëpunësuarit, janë rreth 20 mijë. (Pjesa tjetër e të vetëpunësuarve janë në transport 4,601 punonjës, tregtia me shumicë 2988, ndërtimi me 2,584, agjencitë e udhëtimeve me 892 të punësuar etj).

Për shkak të masave drastike dhe vendosjes së dy fashave të daljeve për qytetarët po vështirësohet puna për shumë aktivitete të ekonomisë. Bizneset e bar-restoranteve dhe kafenetë vazhdojnë të jenë totalisht të mbyllura, për shkak të mospërhapjes të koronavirusit. Nuk ka ende një projeksion zyrtar për humbjen e të ardhurave nga sektori i bujqësisë, pas kufizimeve të lëvizjeve dhe pamundësisë të fermerëve për të shkuar nëpër tregje si më parë dhe për të shitur produktet, por pa diskutim humbja ekonomike është shumë e madhe.

Në planin ekonomik prej 7 pikash të qeverisë parashikohet që fondi prej 65 milionë dollarësh të vihet në dispozicion për pagat e të vetëpunësuarve, për shtresat e margjininalizuara dhe pagesat për të papunët.

Kryetari i Shoqatës të Biznesit të Vogël, Albert Nasto, tha për “Monitor” se fondi është i pamjaftueshëm për të përballuar pagat e të vetëpunësuarve.

“Fondi është i pamjaftueshëm për të mbijetuar biznesi i vogël. Në analizën që kemi bërë me ekspertët, arrijmë në konkluzionin se ky fond nuk plotëson kërkesat e biznesit. Deri tani, 90 mijë biznese kanë mbyllur qepenat, të detyruar pas urdhrit të qeverisë. Për të dalë nga kjo situatë kritike, biznesit të vogël i nevojiten 120 milionë dollarë. Ndërkohë mbi 65% e bizneseve punojnë në ambiente me qira, ku çmimet e ambienteve variojnë nga 200 euro deri në 2.000 euro/muaj. Fondi nuk mund të përballojë pagën minimale për të vetëpunësuarit. Kjo pagesë nuk mjafton as për të paguar detyrimet e shumta të taksave lokale”, thotë Nasto. Përfaqësuesi i biznesit të vogël dhe të mesëm, Albert Nasto, pohon se kjo kategori pa punë mund të mbijetojë vetëm 20 ditë.

 

Vështirësitë në sektorin fason

Punonjësit e fasonerive, të punësuarit në call center, punonjësit e bareve, kafeve, restoranteve dhe zërave të tjerë të jetës ekonomike janë më të prekurit e kësaj situate të paprecedentë në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Disa prej përfaqësuesve të kompanive fason raportojnë se po punojnë me numër të kufizuar punonjësish deri në 60% të totalit të punësuarve.

Nazmi Grori, përfaqësues i kompanisë “Naber” në Durrës, tha për “Monitor” se në tre fabrikat po punohet me 40 % të totalit të punonjësve. “Gjithsej në të tre fabrikat janë të punësuar 800 punëtorë. Në punë kanë ardhur rreth 300 punëtorë, ku 150 prej tyre janë në sektorin e prodhimit, kurse pjesa tjetër janë staf i administratës, shoferët, apo punonjësit e ngarkim-shkarkimit. Punonjësit çdo ditë frikësohen për shkak të përhapjes të virusit. Është edhe gjendja psikologjike, po ashtu edhe deklaratat e kryeministrit për dhënien e pagës të punonjësve që qëndrojnë në shtëpi, kanë ndikuar që ata të largohen”, pohon Grori.

Zoti Grori shprehet se për punonjësit që largohen nuk kishte mundësi financiare t’i paguante. “I kam paguar për një javë. Nuk kemi mundësi, pasi patëm edhe kosto nga tërmeti. Kemi marrë kredi 100 mijë euro për të paguar 3 javë punë të punonjësve pas tërmetit”, thotë Nazmi Grori.

Përfaqësuesi i kompanisë “Naber” shprehet se rezervat e stofrave garantojnë punën edhe për 2 javë të tjera. Për shkak të situatës së rënduar nga koronavirusi, sipas tij edhe nga klientët nga Gjermania i kanë pohuar pezullim të furniznimit, ndërsa furnizimi me Italinë prej 1 muajsh vijon të jetë i paralizuar. “Edhe ata punonjës që vijnë, nuk japin prodhim. Për një linjë prodhimi janë 30 punonjës, dhe aktualisht kanë ardhur në punë 3 apo 4 punonjës. Me kaq punonjës, puna nuk jep rendiment. Edhe klientët po na vënë në vështirësi me punën. Unë kam punë rezervë edhe për dy javë, pas dy javësh nuk kam më punë. Nëse nuk sjellin klientët stofra pas mbarimit të rezervave, nuk kam me çfarë të punoj. Nuk kemi me se t’i furnizojmë më, pasi fasonët presin porosinë. Ne bëjmë vetëm prerjen dhe qepjen, kurse copat na i sjellin. Ndoshta do të vijë dita që punonjësit do të kthehen pasi do t’u nevojitet paga, por edhe do të vijë dita që edhe ne nuk do të kemi çfarë t’ju japim, pasi nuk do të kemi punë”, shprehet Grori.

Sipas të dhënave të Shoqatës të Fasonëve, në këtë sektor janë 76 mijë të punësuar dhe paga mesatare bruto është 42 mijë lekë. Sipas përllogaritjeve, fondi mesatar mujor i pagave për punonjësit e kësaj industrie llogaritet rreth 26 milionë euro.

Situata paraqitet e vështirë edhe për sektorin e prodhimit të këpucëve, për shkak të bllokimit të punës. Donika Mici, përfaqësuese e kompanisë “Donianna”, pohoi më herët se nuk ekziston aftësia paguese e kompanive që të përballojnë kostot e pagave të punonjësve nëse fabrikat nuk punojnë. “Nuk kam atë faturë financiare. Nëse do të kisha kapacitete financiare do t’u jepja 50% të rrogës. Fakti që nuk kam, më bën të shtrij dorën për donacione te klientët, por ata janë më keq se unë, pasi po humbasin 100% tregun. Prandaj kjo faturë i mbetet shtetit, si në të gjithë botën”, pohon zonja Mici.

Në planin financiar të qeverisë, një nga masat që do të ndërmarrë ajo është dhënia e garancisë sovrane për biznesin që ka pamundësi reale të mbulojë pagat e punonjësve, në një shumë prej 100 milionë dollarësh. E thënë më thjeshtë, qeveria nuk do të japë direkt 100 milionë dollarë për pagesën e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve si ato të fasonit, por do të ndërmarrë riskun e garancisë bankare për kredi në banka, kredi që duhet ta marrë punëdhënësi që ka objektivisht pamundësi financiare për të paguar pagat.

Mirëpo shumë biznese në Tiranë dhe Durrës, apo edhe në zona të tjera, pohojnë se janë të ngarkuar edhe me kredi shtesë për shkak të tërmetit dhe nuk janë në gjendje që të përballojë disa kredi njëherësh, duke parë si më të mundshme në këtë situatë mbylljen e punës. Kjo do të shkaktonte një shpërthim të papunësisë dhe një situatë shumë të vështirë për punonjësit që nuk do të merrnin pagat e tyre. Këtu shtohet vetvetiu dhe në mënyrë të kuptueshme edhe braktisja e punës nga punëtorët, për shkak të frikës nga koronavirusi, gjë e cila rëndon gjendjen, duke shtuar konfuzionin e përgjithshëm dhe pasigurinë që mbizotëron sot në sektorin e fasonëve.

Përfaqësues të tjerë të industrisë fason e vlerësojnë pozitive masën e qeverisë për ndërmarrjen e garancisë sovrane për fondin e dhënies së kredive me vlerë 100 milionë dollarë.

Përfaqësuesi i kësaj industrie, Sajmir Bidaj, tha për “Monitor” se kjo masë duhet vlerësuar pozitivisht, pasi garanton qarkullimin e likuiditetit për kompanitë që janë në vështirësi financiare. Të njëjtin vlerësim jep edhe Gjergj Leqezja, nga kompania “Shqipëria Tricot, por sipas tij, shteti duhet të garantojë eliminimin e burokracive, me qëllim që biznesi të ketë lehtësisë në marrjen e kredive.

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Ines Muçostepa, tha për “Monitor” se për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në industrinë fason duhet të shihet mundësia që të ndihmohen nga shteti për të prodhuar maska dhe veshje spitalore, për të mbuluar jo vetëm tregun shqiptar, por edhe për të eksportuar edhe në Europë. Zonja Muçostepa tha se i është propozuar qeverisë miratimi i aktit normativ për mundësimin e eksportit të maskave, me qëllim që kriza nga koronavirusi të shfrytëzohet pozitivisht. “Për këtë arsye dhe duke pasur parasysh që kompani fason kanë marrë kërkesa nga vendet europine për të prodhuar në Shqipëri maska dhe veshje spitalore për përdorim në tregun tonë dhe për vende të tjera europiane, kemi propozuar miratimin e një akti normativ për të eksportuar maskat e prodhuara në Shqipëri, në çdo vend europian e më tej. Kjo mund të jetë një vlerë të shtuar në zhvillimin ekonomik në këtë moment të vështirë, ashtu siç po ndodh në Itali”, tha Muçostepa.

 

Sektori call center rrezikon uljen e punonjësve

Në sektorin e call center, i cili ashtu si edhe industria e fasoneve janë me marzh të ulët fitimi, pesha e madhe e tyre në ekonomi është te punësimi. Sipas të dhënave të INSTAT, në këtë sektor janë të punësuar 23 mijë punonjës, ndërsa paga mesatare është shumë herë më e lartë se paga minimale zyrtare. Mesatarisht pagat mujore në këtë sektor variojnë 60 mijë deri në 70 mijë lekë në muaj.

Lorenc Goga, drejtuesi i kompanisë “Facile.it”, tha për “Monitor” se aktualisht po punon me 40% të totalit të punonjësve. Goga sqaron se për shkak të specifikës së punës dhe moscenimit të të dhënave të sigurisë, vetëm 80 punonjës po punojnë në shtëpi nga 450 që është numri i të punësuarve. Sipas tij, nëse situata do të rëndohet me këto kapacitete të fuqisë punëtore puna mund të vazhdojë vetëm një muaj.

“Aktualisht aty ku mundemi jemi organizuar duke iu dhënë mundësi punonjësve të punojnë nga shtëpia. Aty ku nuk mundemi dhe e kemi të nevojshme, jemi në punë, por me ritëm shumë të reduktuar, pasi kemi përqindje mungesash në punë të lartë. Ne e kemi lënë në dorën e punonjësve, duke respektuar normat e ardhjes në punë. Sigurisht që u kemi kërkuar që kush nuk ndihet mirë në punë, ka grip, apo ankth të mos paraqitet, si edhe ata punonjës që kanë fëmijët në shtëpi për shkak të mbylljes të kopshteve, çerdheve dhe shkollave. Aktualisht në punë janë 40% e kapacitetit total.

Në total kemi 450 punonjës, sot në punë ishin 200 punonjës, ndërsa një ditë më parë ishin më pak se kaq. Ambientet e punës janë organizuar duke respektuar distancën 1.5 metra mes punonjësve, si dhe janë marrë masat për dorezat, alkool dhe është kryer dezinfektimi i ambienteve. Në shtëpi po punojnë 70 deri në 80 punonjës. Kaq është mundësia të procedohet me “smart work”, kjo për shkak të kushteve të sigurisë, pasi ne kemi fushata që trajtojmë karta krediti, pagesa dhe të dalësh jashtë ambientit të mbrojtur nga teknologjia është e rrezikshme”, thotë Goga.

Sipas zotit Goga, nëse situata do të rëndohet, me këto kapacitete të fuqisë punëtore, puna mund të vazhdojë vetëm një muaj, më pas do të sjellë reduktim të stafit. “Ende nuk kemi arritur në një fazë ku të ulemi dhe të bëjmë seriozisht llogaritë mbi dëmet që mund të krijojë kjo situatë. Jemi në një fazë, kur po presim të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Shpresoj që kjo situatë të mos zgjasë shumë, pasi do të ishte shumë e vështirë për ne dhe për çdolloj biznesi që të marrë përsipër pagesat e punonjësve në kushte jo pune. Sektori ynë punon me një marzh të ulët fitimi dhe nuk kemi shumë hapësirë financiare.

60 mijë lekë është gati minimumi i një page për një punonjës, dhe një punonjës që është në regjim nuk paguhet nën këtë shifër. Për momentin jemi të qetë pasi shumë punonjës kanë shfrytëzuar lejen vjetore. Kompania mund t’i mbështesë edhe në një moment të dytë, nëse kjo situatë zgjat më shumë se 1 muaj, në këto kushte ne nuk mund të rezistojmë dot. Pra nuk do të mund të mbajmë dot në punë 450 punonjës, zgjatja e situatës do të sillte reduktim të shumë punonjësve”, pohon zoti Goga.

Gjithë kjo situatë pa diskutim të çon edhe tek një drejtim tjetër negativ. Rritja e papunësisë. Zyrat e punës do të përballen shumë shpejt, nëse ende nuk ka ndodhur, me fluks të të papunëve. Duhet të kujtojmë se biznesi fason ka qenë prej kohësh një strehë e ndërmjetësimeve për punë që zyrat e punësimit bënin me individë nga lista e të papunëve, duke i çuar te kompanitë e fasonerisë. Mirëpo pas gjendjes së vështirë të sektorit ku situata është pesimiste, pritet që edhe një fluks në rritje i të papunëve të mbushë zyrat e punësimit.

Shifra e papunësisë zyrtare qëndron sot te 12.8 apo 13% e forcës së aftë për punë, por askush nuk thotë dot me siguri sa mund të shkojë pas situatës me koronavirusin. Shtimi i radhëve i të papunëve pritet të ndodhë edhe për shkak se punonjësit e pakualifikuar në Shqipëri nuk mund të mbijetojnë pa para për shumë ditë dhe një mjet mbijetese është pagesa e papunësisë prej rreth 7.200 lekë/muaj që i takon një të punësuari në rastin kur ka mbi 6 muaj të paguara sigurimet shoqërore. Këto para janë plani i fundit i mbijetesës së punonjësve në Shqipëri dhe padyshim do të rëndojnë edhe më tej buxhetin e shtetit dhe vetë klimën e pasigurisë në këto kohë.

Ndaj pyetja që pse është e rëndësishme të mbështetet me masa ekonomike në shumat e duhura monetare biznesi në këto kohë ka përgjigjen e vet. Pa mbështetjen e duhur financiare, sistemi ekonomik dhe modeli aktual shkon në kolaps, për shkak të ndërprerjes së shumë hallkave ekonomike që ushqejnë damarët e jetës së përditshme të qytetarëve. Masat ekonomike nuk janë shpikje e jona, por domosdoshmëri e sistemeve të ngritura mbi modelet e kapitalit qarkullues dhe ndërthurjes së interesave të nevojave jetësore të përditshme me punën që bën gjithsecili.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of