EFICIENCA, KRYEFJALA E RE NË BIZNES
Admir Shehu, Drejtor i Shitjeve për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën (AlNMaKo), “Schneider Electric”
“Schneider Electric” është një kompani lider, e njohur në shumë vende për produktet / zgjidhjet në shpërndarjen elektrike dhe automatizimin industrial. Cili është thelbi i Schneider Electric në Shqipëri dhe cili është modeli juaj i biznesit këtu?
“Schneider Electric” ndjek modelin e biznesit të bazuar te partnerët. Ky është modeli ynë global dhe ne po e ndjekim edhe këtu. Ne po rritemi dhe njëkohësisht edhe partnerët, por edhe anasjelltas. Kjo është një qasje shumë e qëndrueshme që po shtyn ekspertët dhe tregjet vendase të përshtaten dhe të përvetësojnë aftësi të reja, qëndrime të reja biznesi dhe mënyra të reja për t’u rritur. Produktet tona arrijnë në treg nëpërmjet distributorëve dhe rishitësve, të cilët përbëjnë tashmë një rrjet të madh që shet pajisje elektrike si çelësa dhe priza, ndërprerës elektrikë, UPS, produkte për industrinë, etj.
Zgjidhjet tona instalohen nga kompani me kompetencë të lartë teknike siç janë: panelet e tensionit të ulët dhe të mesëm, të cilat prodhohen nga kompani inxhinierike vendase; zgjidhje industriale SCADA, të cilat po integrohen sërish nga kompani vendase shumë kompetente dhe që përshtaten shpejt me risitë/zhvillimet aktuale. Në këtë drejtim, ne ndërveprojmë edhe me universitetet dhe përpiqemi të jemi sa më pranë me shoqërinë (komunitetin) dhe të motivojmë brezin e ri.
Do të thosha se zhvillimi i biznesit është mënyra më e mirë për të përshpejtuar zhvillimin e shoqërisë.
Ju personalisht drejtoni një grup prej tre vendesh të vogla. A do të thotë kjo se menaxhimi shqiptar tashmë është mjaft i maturuar për të mbuluar territore të tjera?
Është e qartë se i gjithë rajoni i Europës Juglindore tani perceptohet paksa ndryshe. Ne bëjmë pjesë në një organigramë me Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Në të kaluarën, ekipi drejtues i të gjithë këtij territori kishte disa njerëz nga selia qendrore në Bullgari – të paktën një ose dy menaxherë kyç që vinin nga ekonomitë e maturuara. Në tre vitet e fundit, ne jemi ngarkuar dhe besuar me më shumë përgjegjësi. Menaxheri i përgjithshëm i të gjithë territorit është në Bullgari dhe mua më është besuar nëngrupi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Kompania ka një plan afatgjatë investimi në burime njerëzore. Edhe pse ne jemi ende një ekip relativisht i vogël në vendin tonë, po rritemi vazhdimisht dhe ambiciet tona janë shumë të guximshme. Ekspertët tanë kudo që ata ndodhen në rajon na mbështesin duke dhënë ekspertizën e tyre. Kjo tregon që në ditët e sotme, vendndodhja fizike përbën, gjithnjë e më pak, një faktor që mund të pengojë zhvillimin.
Çfarë dinamikash shihni në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor në krahasim me të gjithë Europën Juglindore? Cilat janë tendencat kryesore si në ekonomi, ashtu edhe në teknologji?
COVID-i ngadalësoi gjithçka për njëfarë periudhe, por dy vitet e fundit, në fakt, nuk kanë qenë aq të vështira për biznesin nga sa e prisnim. Rajoni ynë është mësuar të funksionojë në gjendje krize dhe askush nuk trembet nga kjo gjë. Tregu është i uritur për t’u rritur dhe janë bërë shumë investime në këtë drejtim. Dixhitalizimi është tani motori kryesor i rritjes ku mund të përmendim: ndërtimin e qendrave të të dhënave, automatizimin dhe projektet IoT në industri, monitorimin e energjisë dhe eficienca e saj. Këto janë disa fusha që forcojnë ekonominë dhe sjellin ekspertizën që rajonit do t’i nevojitet në të ardhmen.
Eficienca duhet të bëhet kryefjala në biznes: me çmimet aktuale të energjisë dhe lëndës së parë, çdo humbje në proceset e prodhimit është e rëndësishme. “Schneider” është fokusuar në kërkim-zhvillim në nivel global për të adresuar prodhimin dhe eficiencën e energjisë, e cila ofron një gamë të gjerë zgjidhjesh – pajisje, programe dhe aplikacione që lidhin infrastrukturën elektrike, mjedisin dixhital dhe prodhimin industrial. Krahas termit të mirënjohur Industry 4.0 shohim edhe Electricity 4.0, që përfaqëson pikërisht këtë lidhje midis energjisë elektrike dhe dixhitalizimit. Shumë klientë dhe kompani në ekosistemin tonë mbështeten në zgjidhjet tona për t’u bërë më elastikë financiarisht dhe më të qëndrueshëm.
Ju përmendët qëndrueshmërinë dhe duhet të themi se është një temë e nxehtë në të gjithë botën. Cili është këndvështrimi i kompanisë suaj për të?
“Schneider Electric” është një kompani në të dyja anët e ekuacionit të qëndrueshmërisë.
Nga njëra anë kemi angazhime të qarta për uljen e emetimeve të karbonit deri në vitin 2030. Për shembull, kompania ka një Fabrikë Smart në Bullgari, e cila po rindërtohet për të eliminuar plotësisht përdorimin e gazit natyror dhe për ta zëvendësuar atë me energji fotovoltaike dhe gjeotermale.
Nga ana tjetër, ne mund të mbështesim të tjerët në këtë rrugëtim me kompetencë dhe zgjidhje teknike. Platforma jonë ndërvepruese IoT EcoStruxure ofron “connected products”, “edge control”, “apps and applications” dhe bën që vendimmarrja të jetë e saktë, e shpejtë dhe në kohë. Kompanitë duhet të kuptojnë se të jesh më i qëndrueshëm do të thotë të bëhesh më elastik ndaj ndryshimeve.
Qëndrueshmëria është një qëllim për biznesin që sjell rezultate, të cilat përkthehen edhe financiarisht: të jesh më eficient do të thotë të marrësh më shumë nga ajo që investon. Është vënë re që shumë kompani po hezitojnë të investojnë në sistemet e menaxhimit të ndërtesave (BMS), automatizimin dhe dixhitalizimin e industrisë ose dixhitalizimin e mirëmbajtjes. Ky është një nocion i së shkuarës që duhet të kapërcehet. Prodhuesit më konkurrues, qendrat e të dhënave, ndërtesat dhe përgjithësisht bizneset, do të jenë ata që do të udhëheqin këtë rrugë dhe me kohën, do të kalojnë në mënyra të reja të të punuarit dhe vendimmarrjeje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.