Egjipt, zbulohet fabrika më e vjetër e birrës në botë

17/02/2021 1:15 PM 0 komente

Një ekspeditë e përbashkët egjiptiano-amerikane zbuloi fabrikën e birrës në Abydos, një vend varrimi i lashtë në shkretëtirë. Ata gjetën një numër njësish që përmbajnë rreth 40 enë që përdoreshin për të zier një përzierje gruri dhe uji për të bërë birrë.

Sipas Këshillit Suprem të Antikiteteve, fabrika e birrës mund të datojë në epokën e mbretit Narmer. Ai beson se zbulimi mund “të jetë birraria më e vjetër dhe me prodhim më të lartë në botë”. Mbreti Narmer sundoi më shumë se 5 mijë vjet më parë. Ai themeloi dinastinë e parë dhe mendohet se bashkoi Egjiptin.

Fabrika e birrës përbëhej nga tetë zona të mëdha, secila e gjatë 20 metra dhe të gjitha përmbanin rreth 40 enë prej argjile të vendosura në dy rreshta, sipas sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, Mostafa Waziry. Një përzierje drithërash dhe uji, që përdorej për prodhimin e birrës, zihej në fuçi.

Fabrika “mund të jetë ndërtuar në këtë vend veçanërisht për të furnizuar ritualet mbretërore që zhvilloheshin brenda strukturave të varrimit të mbretërve në Egjipt” citon komunikata e Ministrisë së Turizmit të Egjiptit arkeologun dhe bashkëpërgjegjësin e ekspeditës Matthew Adams, nga New York University.

Mendohet se birra është prodhuar në shkallë të gjerë, rreth 22.400 litra të prodhuara në të njëjtën kohë. “Prova të përdorimit të birrës në ritet e flijimit u gjetën gjatë gërmimeve në këto struktura” – shkruhet në deklaratë. Abydos është një nga qytetet më të vjetra në Egjipt, me shumë varreza dhe tempuj.

Zona ndodhet në provincën jugore të Sohag, në Egjiptin e Sipërm, ku ndodhet edhe qyteti Luxor, një ndër vendet më të njohura turistike. Në fillim të këtij muaji, një ekspeditë që punonte pranë Aleksandrisë zbuloi disa mumie rreth 2000-vjeçare, me gjuhë prej ari në gojën e tyre.

Burimi: BBC

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of