Ekonomi: Rritja e kuotave të açuges do të jetë proces i ri i negocimit të MSA

05/03/2021 10:04 PM 0 komente

Flet ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi

 

Shqipëria do të nisë negocimin e MSA-së për zgjerimin e produkteve përpunuese të peshkut, që do të mund të eksportohen në Bashkimin e Europian pa tarifë doganore.

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, në intervistën për “Monitor” tha se shtimi i kuotave të açuges nuk është vetëm në vullnetin e qeverisë shqiptare, por edhe parlamenteve të vendeve anëtare te BE-së. Znj. Ekonomi tha se me Komisionin Europian është ngritur çështja e kuotave të pamjaftueshme për açugen, por prej tyre është kërkuar një negocim më i gjerë se sa produktet e peshkimit.

“Rritja (ose heqja e kuotave) të prodhimeve të kategorisë 1604 ka një efekt në buxhetin dhe ekonominë e vendeve anëtare të BE-së: sjell rënie të të ardhurave doganore; mbyllje ose reduktim të fabrikave përkatëse në vendet e BE-së. Kostoja më e ulët e përpunimit në Shqipëri do të sjellë zhvendosje të përpunimit në vend dhe rritje të depërtimit të mallrave të përpunuara në Shqipëri, në tregjet europiane.

Kostot duhet të mbulohen nga hapja e mëtejshme e tregut shqiptar për ato produkte të BE-së të cilat, aktualisht, në Shqipëri paguajnë tarifa doganore. Ky është thelbi i negocimit, pasi MSA është një instrument financiar – tregtar që rregullon tregtinë dypalëshe”, shtoi ajo.

 

Kur ka nisur problemi me përfundimin e kuotave të lejuara për eksportin drejt vendeve të BE-së të produktit të açuges?

Problemi ka lindur që me firmosjen e MSA në vitin 2005, e cila përcaktoi edhe rregullat e origjinës, sikurse edhe brenda 3-4 viteve të mëvonshme, kuota arriti në 1600 tonë dhe filloi të ezaurohej. Megjithatë, industria jonë përpunuese po u mbijeton tarifave doganore të BE, duke mos e çuar përpunimin deri në fund. Kuotat janë për kategorinë 1604 e cila parashikon produkt të gatshëm, final në treg, peshk në vazo qelqi etj., në vaj. Një pjesë e produktit që eksportohet nga Shqipëria është në zërin doganor 0305 (peshk, i tharë, i kripur apo në ujë me kripë; ….).

Pra përpunimi mbyllet deri në filetimin e produktit dhe jo vendosjen e tij në vaj dhe produkt final. Rritja e kuotave të eksportit të kategorisë 1604 do të sjellë rritjen e punësimit dhe shfrytëzimit të plotë të kapaciteteve përpunuese në Shqipëri, duke rritur shkallen e përpunimit dhe sasitë. Vendosja e peshkut në vazo është një proces delikat që kërkon më shume fuqi punëtore dhe çmimi i produktit final është më i lartë.

 

Çfarë zgjidhje parashikon Ministria e Bujqësisë për industrinë përpunuese të peshkut?

Çështja e eksportit të açugeve, sardeleve dhe peshqve të tjerë pelagjikë, të përpunuar, të përfshirë në kodin doganor 1604 është një problem i vjetër dhe i trajtuar shumë herë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR).

Kuotat janë përcaktuar në MSA në Aneksin III të saj dhe përcaktojnë kuota për sardelen në 100 ton/vit pa taksë dhe 1600 tonë/vit açuge pa taksë. Po kështu, tarifa për të gjithë llojet e peshkut të përpunuara sipas Kodit Doganor 1604 (përveç sardele dhe açuge) kanë një tarifë prej 50% të tarifës normale (ose 12.5% të vlerës).

Besoj se ju kujtohet (ose mund të hapni arkivat) se gjatë negocimit të MSA, në maj 2005 e vetmja çështje e pambyllur e MSA ishin kuotat e eksportit të peshkut. Procesi ngeli në vend dhe palët nuk gjetën marrëveshje. Qeveria e asaj kohë preferoi të mos bjerë dakord për MSA duke humbur edhe benefitet politike që rridhnin prej saj, se sa ta miratonte me kuota të ulëta të eksportit të peshkut.

Në nëntor të vitit 2005, KE paraqiti pranë Qeverise shqiptare përsëri MSA me kuota të pandryshuara, ashtu siç ishte propozimi në maj 2005. Qeveria e re, e ardhur pas zgjedhjeve, e miratoi MSA pa marrë parasysh mosndryshimin e kuotave dhe në vitin 2006, MSA përfundoi se ratifikuari edhe nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së dhe u firmos nga palët. Interesi politik mbizotëroi mbi atë ekonomik duke futur në ngërç të gjithë industrinë e përpunimit të peshkut në Shqipëri, që megjithëse nuk ishte në nivelet e sotme, përsëri kishte bërë investime të rëndësishme.

Deri në vitin 2005, Shqipëria eksportonte në BE me tarifë doganore 12.5% dhe kishte një prodhim prej 2000 ton/vit. KE me MSA nuk ndryshoi asgjë nga situata e mëparshme, pasi la një kuotë prej 1000 tonësh (me rritje me 200 tonë/vit deri në 1600 tonë në rast se Shqipëria shfrytëzonte 80% të kuotës) dhe pjesa tjetër me 25%, pra në total sasia prej 2000 tonësh, sa ishte prodhimi i industrisë shqiptare në ato vite, paguante përsëri tarifë doganore 12.5% të vlerës.

Megjithatë industria shqiptare mbijetonte duke luajtur me origjinën. Lënda e parë vinte nga BE, përpunohej në Shqipëri dhe eksportohej përsëri duke mbajtur origjinën e lëndës së parë. Pra hynte në BE si mall i BE dhe nuk paguante tarifa doganore.

Negocimi i kuotave nuk varet vetëm nga vullneti i Qeverisë shqiptare por edhe nga pala tjetër, Bashkimi Europian, pra parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Ministria i ka bërë kërkesë zyrtare me shkrim Komisionerëve Vella dhe Hahn me shkresën nr. 9667 të Prot. datë 29/12/2017, sikurse ka ardhur edhe përgjigjja nga Komisioneri Vella më datë 15/02/2018, ku shprehet gatishmëria për të negociuar për këtë çështje.

Gjithashtu, çështja e negocimit të kuotave është ngritur në të gjitha takimet e nënkomitetit BE-Shqipëri dhe të Këshillit të Stabilizim Asocimit, çdo vit.

Më datë 3 dhjetor 2020, u zhvillua takimi i 12-të i Nënkomitetit “Bujqësia dhe Peshkimi”. Konkluzioni zyrtar i këtij takimi në lidhje me këtë çështje është si më poshtë:

Lidhur me kuotat e peshkimit, palët diskutuan mbi çështjen delikate të rinegocimit të kuotave të eksportit të produkteve të peshkimit. Pala shqiptare, duke marrë në konsideratë situatën aktuale të këtij sektori, shprehu interesin për fillimin e këtij procesi.

Pala europiane informoi se është në dispozicion për një takim dypalësh të veçantë pas diskutimit të tyre të brendshëm, por me kusht që të fillojnë negociatat për tre kategori produktesh: produktet bazë, të përpunuara dhe ato të peshkimit. Të dyja palët do të kenë një diskutim të brendshëm në mënyrë që të kenë një dritë jeshile për hapjen e këtyre negociatave.

 

Kompanitë pohojnë se kjo është më tepër një çështje teknike që ka mbetur pa u zgjidhur nga neglizhenca. Sipas tyre janë shumë llojesh peshq që përpunohen nga fasonët dhe më pas eksportohen në Europë, të cilët njihen si kuota pavarësisht se paguhen taksat. A është e nevojshme në këtë rast të bëhet një rregullim me kodet doganore të konservave që eksportohen? 

Kjo nuk është një çështje teknike. Gjatë këtyre viteve kemi negociuar me KE edhe për ta trajtuar si çështje teknike, si zgjidhje më e shpejtë por nuk gjetëm mirëkuptimin e tyre. Açuget eksportohen në kavanoza në vaj, ku vaji përbën gati 50% të sasisë, e cila llogaritet në peshën e kuotës. Nga ana jonë, një nga propozimet ishte që të llogaritej vetëm pesha e peshkut (pa vaj) gjë që sillte dyfishim të kuotës, por kjo nuk u pranua.

Siç shikohet edhe nga konkluzionet zyrtare të takimit të 3 dhjetorit 2020, pala europiane (KE) kërkon një negocim më të gjerë se sa produktet e peshkimit. Rritja (ose heqja e kuotave) të prodhimeve të kategorisë 1604 ka një efekt në buxhetin dhe ekonominë e vendeve anëtare të BE: sjell rënie të të ardhurave doganore; mbyllje ose reduktim të fabrikave përkatëse në vendet e BE-së.

Kostoja më e ulët e përpunimit në Shqipëri do të sjellë një zhvendosje të përpunimit në Shqipëri dhe rritje të depërtimit të mallrave të përpunuara në Shqipëri, në tregjet europiane.

Këto kosto duhet të mbulohen nga hapja e mëtejshme e tregut shqiptar për ato produkte të BE-së të cilat, aktualisht, në Shqipëri paguajnë tarifa doganore. Ky është thelbi i negocimit, pasi MSA është një instrument financiar – tregtar që rregullon tregtinë dypalëshe.

MBZHR, në parim, ka rënë dakord me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të filluar këtë proces negocimi. Negocimi do të kryhet nga MBZHR, MFE dhe grupet e interesit në industrinë përpunuese të peshkut dhe eventualisht, edhe të industrive të tjera të cilat mund të preken nga hapja (heqja e tarifave doganore) për mallrat e BE. Prania e operatorëve të tregut është shumë e rëndësishme gjatë gjithë fazave të negociatave me KE-në. Siç u shpjegua edhe më lart, e gjitha është një proces i ri i negocimit të MSA-së.

 

Sa janë eksportet e industrisë së peshkimit për 2020 dhe a parashikohet zgjerim i tyre për këtë vit?

Për vitin 2020 eksportet e industrisë së peshkut, zënies dhe përpunimit arritën vlerën 12,9 miliardë lekë, ose 16,331 tonë. Me të gjitha përmirësimet në legjislacion, skemat e ndihmës, të dhëna si grant nga programet mbështetëse të Bashkimit Europian, ky vit parashikohet të këtë rritje. Pesha e sektorit të açugeve në vlerë në totalin e industrisë së peshkimit që eksportohet për përpunim zë në vitin 2020 afërsisht 30%.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of