Tregu i punës në Bullgari ka ndryshuar shumë shpejt gjatë dy viteve të fundit dhe planet dhe strategjitë afatgjata nuk mund të hartohen më.
Bizneset po hasin vështirësi në gjetjen e një stafi të kualifikuar me potencial të lartë zhvillimi. Mungesa e fuqisë punëtore nuk është për shkak të krizës Covid-19, por për shkak të shpopullimit dhe plakjes së popullsisë në Bullgari.
Mungesa e stafit mund të çojë në një ngadalësim ekonomik. Për këtë arsye, autoritetet e vendit duhet të marrin masa efektive, rezultatet e të cilave duhet të jenë të dukshme brenda 6 muajve, thonë organizatat kryesore të punëdhënësve, partnerë të Konfederatës Bullgare të Punësimit (BEC).
Kohët e fundit, Konfederata Bullgare e Punësimit mbajti një sondazh me 826 punëdhënës bullgarë nga 5 rrethe, që operojnë në 12 sektorë industrialë. BEC i pyeti ata nëse po planifikonin të punësonin më shumë persona në 6 muajt e ardhshëm.
“Sipas rezultateve të sondazhit, 71% e punëdhënësve nuk mund të gjejnë fuqi punëtore të përshtatshme, ndërsa 9 vite më parë, vetëm 42% e të anketuarve thanë se nuk mund të gjenin persona të përshtatshëm për pozicionet e punës në dispozicion”, tha kryetarja e BEC, Nadia Vassileva.
Aktualisht, papunësia në Bullgari është jashtëzakonisht e ulët – nën 5%. Kërkesa për punëtorë industrialë është e lartë, por punëdhënësit ankohen se kanë vështirësi për të gjetur punonjës. Së dyti, ka mungesë të madhe specialistësh në tregti dhe logjistikë, si dhe njerëz që zotërojnë mirë gjuhët e huaja. Ka gjithashtu nevojë të madhe për inxhinierë, ekspertë IT dhe ekspertë të burimeve njerëzore.
“Shumicës së të rinjve u mungon përgjegjësia dhe disiplina. Ata duhet të jenë fleksibël, tolerantë, të aftë për të punuar nën presion, të ndërmarrin nisma dhe të jenë të aftë për të zgjidhur detyra të ndërlikuara. Për më tepër, duhet të jenë kureshtarë dhe të gatshëm për të mësuar nëse duan të kenë një punë të sigurt”.