Pas një fillim viti pozitiv, me shpresën se ekonomia europiane do të fillonte të rimëkëmbej në pjesën e dytë të këtij viti, lajmet e fundit nga eurozona e kanë përmbysur në drejtim të kundër këtë pritshmëri. Komisioni Europian tha se eurozona nuk do të kthehet tek rritja deri në vitin 2014, duke fajësuar mungesën e kredisë së bankave për papunësinë rekord dhe shtyrjen e rimëkëmbjes. Ekonomia e 17 vendeve të bllokut, që gjeneron pothuajse një të pestën e prodhimit vjetor global, do të tkurret 0.3% në 2013-n, tha Komisioni, duke nënkuptuar se eurozona do të mbetet në recesionin e dytë që nga 2009-a për një vit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht. Sipas Komisionit, përmirësimi i situatës në tregjet financiare është në kontrast me mungesën e rritjes së kredisë dhe dobësinë e perspektivës afat mesme për aktivitetin ekonomike, ndërkohë që tregu i punës është një shqetësim serioz. Kjo pritshmëri, gjithnjë sipas Komisionit, e bën më të ngjarë perspektivën e uljes së interesave nga Banka Qendrore Europiane, që t’i japë një hov ekonomisë, duke reduktuar koston e huadhënies për kompanitë dhe familjet, megjithëse duke pasur parasysh që bankat hezitojnë të kreditojnë, efekti mund të jetë i pandjeshëm.
…Në linjë me zhvillimet europiane, ku pasojat e krizës së borxheve dhe recesionit të eurozonës janë të pashmangshme edhe tek ne, kjo situatë mund të ndikojë negativisht edhe në pritshmëritë për një rimëkëmbje të ekonomisë vendase. Pas një tkurrjeje prej 0.2% në tremujorin e parë 2012, që përkoi me kohën kur kriza e borxheve në eurozonë arriti kulmin dhe u vu në dyshim deri dhe ekzistenca e vetë euros, ekonomia shqiptare u ringjall në muajt në vijim, paralelisht me qetësimin e frikës në eurozonë, dhe të dhënat e fundit të disponueshme flasin për një rritje në tremujorin e tretë prej 2.7%. Një nivel ky që mund të konsiderohet i kënaqshëm, duke pasur parasysh se vendet e tjera të rajonit nuk po arrijnë dot të dalin nga recesioni. Eksportet ishin një nga motorët kryesorë të rritjes. Ato u shtuan me rreth 8% me bazë vjetore në 2012-n, sipas të dhënave më të fundit që janë publikuar nga INSTAT.
Por, tani, që shpresa e një rimëkëmbjeje të shpejtë të eurozonës po zbehet, shfrytëzimi i burimeve të brendshme të rritjes bëhet edhe më i domosdoshëm. Kriza e euros tregoi se vendet më konkurruese po arrijnë që ta përballojnë më mirë situatën, me Gjermaninë që po vuan më pak dhe shtetet e tjera të sëmura të Europës Jugore, si Italia e Greqia, që po lëngojnë më gjatë, madje atyre po iu shtohen dhe ekonomi të mëdha, si Franca, ku sipas të dhënave të fundit kompanitë franceze të shërbimit janë mes atyre që kanë shënuar rënien më të keqe që kur filloi recesioni në 2009-n.
Pikërisht, në kohën kur stimujt fiskalë në vend janë ezauruar dhe ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në nivel të ulët rekord historik prej 3.75% nuk po jep efektin e duhur në rritjen e kreditimit, rritja e konkurrueshmërisë së vendit mbetet një nga faktorët kryesorë që do të stimulonte ekonominë. Në fakt, këto katër vjet krizë, po i mësojnë apo detyrojnë bizneset që të bëhen më eficientë. Një mjedis me taksa të ulëta ka shërbyer si amortizator në këtë periudhë të vështirë. Edhe vendimi i fundit i qeverisë për të hequr TVSH-në për një kategori makinerish e pajisjesh është në linjën pozitive për të lehtësuar e rritur konkurrueshmërinë e biznesit. Por, e rëndësishme është që ky vendim të materializohet në përfitime direkte për sipërmarrjen private, pasi për shkak të listës së kufizuar të pajisjeve të përfshira dhe procedurave të komplikuara për ta zbatuar atë, ai rrezikon që të kthehet thjesht në një premtim elektoral, pa efekt real në ekonomi (për më shumë detaje shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Ka dhe dy elementë të tjerë, që të paktën në afatin e shkurtër do t’i jepnin frymëmarrje ekonomisë. E para janë ndryshimet e kërkuara ligjore nga sistemi bankar për ekzekutimin e kolateralit, që do të çlironin kredidhënien për ekonominë, që në 2012-n u rrit me një normë minimale prej vetëm 2% dhe e dyta që shteti të paguajë detyrimet ndaj biznesit, që kërkesë që po artikulohet fort dhe nga përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare, që kanë vizituar Shqipërinë së fundmi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.