Covid-19 ka qenë fjala më e përdorur vitin e kaluar. Ndërkohë, kabineti i Bullgarisë ka grumbulluar një shumë të konsiderueshme parash për të mbështetur sektorët e prekur nga pandemia e koronavirusit. Tani është koha për të bërë një vlerësim të kësaj periudhe. Në një intervistë për BTA, Petar Ganev, ekonomist në Institutin për Ekonominë e Tregut, diskutoi mbi skenarë të ndryshëm në lidhje me zhvillimin e ekonomisë së Bullgarisë mes krizës Covid-19.
Bullgaria është në një gjendje relativisht të mirë krahasuar me vendet e tjera anëtare të BE-së. Sipas Petar Ganev, në vitin 2020, ekonomitë e vendeve të BE-së u tkurrën mesatarisht nga 6% në 7%, ndërsa sipas të dhënave më të fundit të papërpunuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Bullgarisë ra me 4.2%, krahasuar me vitin 2019. Rënia e PBB-së në Estoni, Letoni dhe disa vende në Europën Lindore, ishte e ngjashme.
Moratoriumi për shlyerjet e huasë, i aplikuar në përgjigje të krizës Covid-19 dhe skema e mbështetjes së pagave 60/40 që synon të mbështesë punësimin në këtë vend, janë ndër masat më efikase të paraqitura nga kabineti i vendit.
“Rimëkëmbja e pjesshme e ekonomisë bullgare mund të fillojë këtë vit. Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë se ekonomia nuk është në gjendje të funksionojë me shpejtësi të plotë dhe të tregojë potencialin e plotë për shkak të masave ekzistuese anti-epidemike”, shpjegon analisti.
Rimëkëmbja ekonomike varet edhe nga niveli i vaksinimit në Bullgari. Sipas skenarit më të mirë, në verën e vitit 2021, vendi do të bëjë përparim të mirë për sa i përket vaksinimit dhe në vjeshtë, nuk duhet të shqetësohemi për një karantinë të re. Në këtë rast, rritja ekonomike e këtij viti duhet të jetë rreth ose mbi 3%. Kështu, ne mund të kompensojmë kohën e humbur dhe në vitin 2022, PBB-ja e Bullgarisë mund të arrijë 4 – 5%, që korrespondon me parashikimin e Komisionit Europian. Sipas skenarit negativ, në vjeshtën e vitit 2021, do të nevojiten më tepër masa anti-epidemike, nëse shkalla e vaksinimit është e ulët dhe nëse shfaqen variante të reja të koronavirusit dhe efikasiteti i vaksinave Covid-19 është i ulët.
Për sa i përket çështjes nëse Bullgaria do të jetë në gjendje të përshtatet me botën pas Covid-19, eksperti ekonomik argumenton se, megjithëse pandemia e koronavirusit ka katalizuar disa procese ekonomike si tranzicioni në automatizim dhe robotizim dhe tranzicioni në një ekonomi me vlerë më të lartë të shtuar, pandemia nuk është arsyeja kryesore për trendet e fundit.
“Proceset e globalizimit do të vazhdojnë dhe Bullgaria mund të përfitojë nga kjo. Ky vend është pjesë e tregut të madh europian dhe u ofron investitorëve të huaj kosto konkurruese të biznesit për sa u përket pagave, etj. Kompanitë e huaja mund të ulin shpenzimet, nëse vendosin të investojnë në këtë vend”, u shpreh Petar Ganev nga Instituti i Ekonomisë së Tregut.