Të dhënat e fundit nga zyra e statistikave tregojnë se ekonomia gjermane pësoi tkurrje në tremujorin e parë të 2023, krahasuar me tre muajt e mëparshëm, duke hyrë në recesion.
Produkti i brendshëm bruto ra me 0.3% për tremujor, i rregulluar me ndikimet e çmimeve. Kjo pason një rënie prej 0.5% në tremujorin e katërt të 2022. Një recesion zakonisht përkufizohet si dy tremujorë të njëpasnjëshëm tkurrjeje.
Nga viti në vit, PBB-ja ra me 0.5%, kur u rregullua për efektet e çmimeve dhe kalendarike.
“Nën peshën e inflacionit të jashtëzakonshëm, konsumatori gjerman është gjunjëzuar, duke tërhequr të gjithë ekonominë me vete,” tha Andreas Scheuerle, analist në DekaBank.
Konsumi i familjeve u ul me 1.2% në terma tremujorë. Shpenzimet qeveritare gjithashtu u ulën ndjeshëm me 4.9% në tremujor.
“Moti i ngrohtë i dimrit, rikthimi i aktiviteti industrial, i ndihmuar nga rihapja kineze dhe reduktimi i problemeve të zinxhirit të furnizimit, nuk ishin të mjaftueshme për të nxjerrë ekonominë nga zona e rrezikut të recesionit,” tha kreu global i ING Carsten Brzeski.
Në të kundërt, investimet u rritën në tre muajt e parë të vitit, pas një situate të pafavorshme të gjysmës së dytë të vitit 2022. Investimet në makineri dhe pajisje u rritën me 3.2%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa investimet në ndërtim u rritën me 3.9% për tremujor.
Kontribute pozitive ka pasur edhe nga tregtia. Eksportet u rritën me 0.4%, ndërsa importet ranë 0.9%.
“Rritja masive e çmimeve të energjisë shkaktoi ndikimin e saj në gjysmën e dimrit,” tha drejtuesi ekonomik i Commerzbank Joerg Kraemer.
Një recesion nuk mund të shmangej dhe tani pyetja është, nëse do të ketë rimëkëmbje në gjysmën e dytë të vitit.
“Duke parë përtej tremujorit të parë, optimizmi në fillim të vitit duket se i ka lënë vendin më shumë ndjenjës së realitetit,” tha Brzeski i ING.
Rënia e fuqisë blerëse, ulja e porosive industriale, shtrëngimi agresiv i politikës monetare dhe ngadalësimi i pritshëm i ekonomisë së SHBA-së, të gjitha janë faktorë të aktivitetit të dobët ekonomik.
Bundesbank e Gjermanisë, megjithatë, pret që ekonomia të rritet në mënyrë modeste në tremujorin e dytë, pasi përmirësimi i veprimtarisë industriale do të kompensojë stanjacionin e konsumit të familjeve dhe rënien në sektorin e ndërtimit, sipas një raporti mujor për ekonominë. / Reuters