Industritë e mëdha të prodhimit dhe të shërbimeve në Kinë sapo patën muajin e tyre të parë të rritjes që nga shkurti, sipas sondazheve të publikuara të enjten, pasi kufizimet Covid u lehtësuan në shumë qytete.
Por, hija e izolimeve të mëtejshme qëndron ende pezull mbi ekonominë e dytë më të madhe në botë, pasi Pekini po dërgon mesazhe të ndryshme lidhur me mënyrën më të mirë për të dalë nga pandemia e Covid.
Indeksi i menaxherëve të blerjeve (PMI) i qeverisë kineze për sektorin e prodhimit – i cili mbulon kryesisht bizneset më të mëdha dhe kompanitë shtetërore – u rrit në 50.2 në qershor, hera e parë që kalon shifrën 50 që nga shkurti, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave. Shifra mbi 50 në këtë indeks tregon se aktiviteti është në rritje.
Ndërkohë, PMI-ja zyrtare e sektorëve të tjerë jo-prodhues, ku përfshihet industria e ndërtimit dhe e shërbimeve, arriti shifrën 54.7 në qershor, krahasuar me 47.8 që ishte në maj. Ishte gjithashtu hera e parë që ky indeks hyri në zonën e zgjerimit në katër muajt e fundit, duke shënuar shifrën më të lartë që nga maji i vitit 2021.
Këto sondazhe tregojnë shenjat më të fundit të rimëkëmbjes së ekonominë së Kinës, pasi vendi po rihapet gradualisht për bizneset pas shumë muajve të izolimeve nga Covid.
“PMI-të zyrtare tregojnë një rikuperim çuditërisht të shpejtë në aktivitetin e shërbimeve këtë muaj, pasi u hoq pjesa më e madhe e kufizimeve të virusit,” tha Julian Evans-Pritchard, ekonomist për Kinën në Capital Economics.
Por, ai gjithashtu vuri në dukje dobësinë e vazhdueshme në tregun e punës, duke paralajmëruar se kjo do të thotë që financat e familjeve dhe besimi i konsumatorëve mbeten në nivele të ulëta.
“Pasi të zbehet rritja e shpejtë pas rihapjes nga izolimet, këta faktorë do të pengojnë rikuperimin e mëtejshëm,” shtoi ai.
Shumë qytete – duke përfshirë qendrën e biznesit të Kinës kontinentale, Shangain – kishin qenë nën kufizime të rrepta për shkak të Covid që nga muaji mars, duke rezultuar në një tkurrje të ndjeshme të aktivitetit ekonomik. Njerëzit u izoluan në shtëpitë e tyre, dyqanet dhe restorantet u mbyllën dhe fabrikat ndërprenë aktivitetin. Analistët shqetësohen se ekonomia kineze do të tkurret në tremujorin e dytë, duke e bërë të paarritshëm objektivin e rritjes vjetore të qeverisë prej 5.5% për vitin 2022.
Shenjat e ngadalësimit ekonomik dhe papunësia në rritje kanë tronditur zyrtarët e lartë të qeverisë, të cilët vendosën për të lehtësuar kufizimet e Covid dhe për të rritur besimin e konsumatorëve.
Kryeministri Li Keqiang – numri 2 në hierarkinë e Partisë Komuniste të Kinës – ka ngritur vazhdimisht alarmin për rritjen e papunësisë në muajt e fundit dhe i ka kërkuar qeverisë që të ndërmarrë hapa më të fortë për të mbështetur biznesin dhe për të stabilizuar rritjen ekonomike.
Të hënën, Li vizitoi një qendër trajnimi për punë në Pekin dhe nënvizoi nevojën për “të rikthyer ekonominë në rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur” dhe për “të ulur sa më shpejt papunësinë”.
Në fillim të këtij muaji, shumë qytete hoqën izolimet e tyre ose relaksuan kufizimet e lidhura me Covid-in, përfshirë Shangain.
Të martën, Komisioni Kombëtar i Shëndetit tha se Kina do të përgjysmojë periudhën e karantinës për udhëtarët ndërkombëtarë, një ndryshim i madh në politikën e vendit për trajtimin e pandemisë së Covid.
Por, analistët druhen se Kina mund të vazhdojë t’i qëndrohë kufizimeve të ashpra për Covid edhe për një farë kohe.
Të mërkurën, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ripohoi angazhimin e tij për politikën zero-Covid gjatë një vizite në Wuhan, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, Xi tha se ai më mirë do të “sakrifikonte përkohësisht rritjen ekonomike” sesa “të dëmtonte shëndetin e njerëzve”.
Zhiwei Zhang, president dhe kryeekonomist në Pinpoint Asset Management, pret që rritja e fundit në aktivitetin ekonomik të Kinës të vazhdojë edhe në korrik, pasi të ndodhë një relaksim i mëtejshëm i kufizimeve të lëvizshmërisë. Por, qëndrimi i Xi për politikën zero-Covid do të kufizonte rritjen ekonomike, shtoi ai.
“Kina po i qëndron politikës zero Covid. Mendoj se kjo do të thotë që rritja ekonomike ka të ngjarë të qëndrojë nën potencialin e saj, përpara se kjo politikë të vazhdojë të relaksohet më tej,” tha Zhang./ CNN