Ekonomia e Kinës u rrit me gati 5% në tremujorin e tretë

19/10/2020 12:47 PM 0 komente

Kina po vazhdon të rikuperohet me ritme të shpejta nga trazirat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit në ekonomi.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë u zgjerua me 4.9 për qind në tremujorin korrik-shtator krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të qeverisë të publikuara sot.

Rritja ishte më e dobët se sa pritej nga analistët, që kishin parashikuar më herët një rritje ekonomike prej 5.2 për qind.

Nga ana tjetër rritja ishte më e shpejtë se tremujori i dytë prej 3.2 për qind, kur Kina arriti të shmangte recesionin e nxitur nga pandemia që ka kapur pjesën më të madhe të botës.

Ndërsa pjesa më e madhe e botës vazhdon të luftojë me virusin, shërimi i Kinës ka qenë relativisht i shpejtë.

Vendi zbatoi bllokimin e rreptë dhe politikat e gjurmimit të popullsisë që vunë nën kontroll virusin, duke lënë mënjanë qindra miliarda dollarë për projekte të mëdha të infrastrukturës për të nxitur rritjen ekonomike. Ekonomia u rrit me 0.7% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.

“Për më tepër, të dhënat mujore tregojnë se rritja ishte akoma duke u përshpejtuar drejt tremujorit të fundit,” analizoi ekonomisti Julian Evans-Pritchard për Capital Economics.

Prodhimi industrial u rrit me 5.8 për qind në tremujorin e tretë krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sektori i shërbimeve gjithashtu u zgjerua me një ritëm të shpejtë, me 4.3% këtë tremujor krahasuar me 1.9% në periudhën prill-qershor./CNN

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of