Agjentja kroate e emigracionit sheh me dyshim kartën time të vaksinimit ndaj Covid-19, e lëshuar nga CDC. Letra, e mbushur me shenja me vija blu nga një farmacist në Huston, më shumë se një muaj më parë, duket si diçka mjaft e lehtë për t’u falsifikuar, shkruan Rob Schmitz për NPR.
“Data juaj e dytë e vaksinimit nuk ka ardhur ende”, thotë agjentja e emigracionit, duke ngritur njërën vetull dhe duke treguar datën: 04-12-2021. Unë i shpjegoj se në Shtetet e Bashkuara, ne shkruajmë në fillim muajin, pastaj ditën. “Oh!” reagon ajo duke qeshur.
Ajo ia tregon kartelën një agjenti tjetër. Duke qartë se atyre nuk u pëlqen sesa joprofesionale duket karta amerikane e vaksinimit. Pastaj agjentja vulos pasaportën time dhe më mirëpret në Kroaci.
Toka e plazheve dhe kështjellave është një nga vendet e para europiane që hapi kufijtë për amerikanët e vaksinuar, duke mos pritur miratimin e Bashkimit Europian, i cili është zhytur në debatet mbi etikën dhe pasojat e “pasaportave të vaksinimit”, ende i pavendosur se çfarë rruge duhet të ndjekë. Por për Kroacinë, vendin më të varur nga turizmi në Europë, hapja me shpejtësi e kufijve është thelbësore për ringjallërimin e kësaj ekonomie të goditur rëndë nga pandemia.
Në qytetin bregdetar të Adriatikut, në Split, midis katakombeve poshtë pallatit 1700-vjeçar të ndërtuar për perandorin romak Dioklecian, dëgjohet zhurma e një radioje që po transmeton një ndeshje futbolli, një nga shenjat e vetme të jetës. Para pandemisë, në këto katakombe dyndeshin me mijëra turistë në ditë, por që kur filloi pandemia, Yusuf Khan është ulur këtu i vetëm, i rrethuar nga kisha prej guri, kryqe dhe suvenire të tjera që nuk i blen askush.
“Kam humbur 90% të të ardhurave gjatë një viti dhe tre muajve të fundit”, thotë ai. Khan, me origjinë nga Pakistani, ka shitur suvenire në këtë stendë për 20 vjet. Para pandemisë, ai fitonte rreth 500 dollarë në ditë. “Tani fitoj rreth 30 dollarë”, thotë ai me një buzëqeshje të trishtuar.
Qeveria kroate e ka ndihmuar me paga mujore që janë pjesë e ndihmave pandemike, por drejtori i bordit turistik të qytetit Split, Josko Stella, e pranon se kjo nuk është e mjaftueshme. “Ç’është më e keqja, – thotë ai, – në vitin para pandemisë, Kroacia mirëpriti një numër rekord turistësh”.
“Ne shpresonim që viti 2020 do të ishte viti më i mirë sepse po prisnim amerikanë, britanikë, kinezë, dhe koreanë”, thotë Josko Stella. “Kam udhëtuar në shumë vende dhe kam vënë re se të gjithë donin të vizitonin Kroacinë, por më pas, na ra bomba e pandemisë!”
Në qytetin Split, më parë prenotoheshin rreth 18 milionë qëndrime brenda natës, tashmë ato u ulën në vetëm 8 milionë, në një sezon të vetëm turistik. Gjendja u përkeqësua në të gjithë vendin, ku në total, prenotimet për qëndrimet brenda natës u ulën me 86% midis viteve 2019 dhe 2020. Kjo ishte një goditje tepër e rëndë për një vend që zakonisht varet nga turizmi për më shumë se një të pestën e PBB-së së tij. Sipas Bordit Kombëtar të Turizmit, në Kroaci prenotoheshin më shumë se 400 milionë qëndrime brenda natës, në vitin 2019. Vitin e kaluar, numri ra në 54 milionë.
Banorët vendas nuk kanë parë kaq pak turistë për herë të parë në vite. Qindra milje poshtë bregdetit, brenda qytetit të lashtë të Dubrovnikut, jeta është bërë mjaft e qetë, si në kohët kur nuk ishte përhapur turizmi. Rrugicat e ngushta dredha-dredha, zakonisht të mbushura me zhurmën e mijëra turistëve në këtë kohë të vitit, tani janë bosh, dhe në to dëgjohen vetëm tingujt dhe zërat e vendasve: një fëmijë që i bie pianos, zhurma e një televizori, bisedat midis fqinjëve.
Baristja Petra Ercegovic, e cila punon në qytetin e vjetër të Dubrovnikut, po pret me padurim të kthehet në punën e mëparshme në një kroçerë. Përpara pandemisë, ato mbërrinin çdo ditë në qytet.
“Në kohën e lavdishme të vitit 2019, para se të niste pandemia, qyteti ishte i mbipopulluar, – kujton ajo. – Anijet kroçere vinin çdo ditë. Aeroporti është shumë afër. Një aeroplan ngrihej çdo shtatë minuta dhe ulej çdo 10 minuta”. Tani biznesi ka filluar të rritet. Të nxitur nga vendimi i Kroacisë për të pranuar amerikanët me karta vaksinimi, linjat ajrore United dhe Delta, në korrik do të rifillojnë fluturimet e drejtpërdrejta nga qytetet e SHBA-së drejt Dubrovnikut. Linja e kroçeres ku punonte, e ka thirrur gruan që të kthehet në punë në shtator.