Cili do të jetë ndikimi ekonomik i Katarit, që do të mirëpresë Kampionatin Botëror të Futbollit? Të dhënat e disponueshme dhe përvoja e së shkuarës të bëjnë të hamendësosh një rezultat negativ.
Merrni në konsideratë provat:
FIFA thotë se do të kujdeset për gjithë kostot operative gjatë muajit të kampionatit. Kostoja më e lartë përfaqësohet nga 440 milionë dollarë në çmime, nga të cilat 42 milionë do t’i shkojnë ekipit fitues.
Të gjitha skuadrat, që nuk do të arrijnë të kualifikohen në fazën e grupeve, do të fitojnë 9 milionë dollarë secila. Duhet të theksojmë se në Kampionatin e fundit të Futbollit për Femra, në vitin 2019, shifra totale ishte vetëm 30 milionë dollarë, rreth një e gjashta krahasuar me Kupën e Botës për Meshkuj.
Zërat e tjerë kryesorë të kostos operative përfshijnë 247 milionë dollarë për operacionet televizive, 326 milionë dollarë, kostot e klubeve pjesëmarrëse dhe 207 milionë dollarë për menaxhimin e fuqisë punëtore.
Kostot operative totale vlerësohen në 1.7 miliardë dollarë, që do të mbulohen nga FIFA, e cila nuk i bën të ditura të ardhurat që do të vijnë nga televizioni ndërkombëtar, biletat, mikpritja dhe sponsorizimet e kompanive. Sipas projeksioneve, këto të ardhura duhet të arrijnë në 4.7 miliardë dollarë.
Edhe pse mbetet e mjegullt, duket se Katari duhet të marrë përsipër një pjesë të madhe të kostove të sigurisë (të cilat lehtësisht mund të kalojnë 1 miliard dollarë), si dhe një sërë kostosh operative.
Rezultati final për FIFA-n është 4.7 miliardë dollarë të ardhura dhe 1.7 miliardë dollarë kosto, me fitim neto 3 miliardë dollarë. FIFA do të marrë rreth 10% të kësaj nga operacionet e veta dhe do t’ia shpërndajë pjesën tjetër më shumë se 200 federatave kombëtare të futbollit në botë, për të promovuar zhvillimin e këtij sporti.
Cili është rezultati final për Katarin? Sipas mediave, Katari ka shpenzuar të paktën 220 miliardë dollarë për organizimin e Kupës së Botës. Nga këto, më pak se 10 miliardë dollarë janë shpenzuar për ndërtimin e shtatë stadiumeve nga Katari për ndeshjet dhe për rikonstruktimin e një stadiumi të vetëm.
Pjesa tjetër është shpenzuar për transportin, mikpritjen, telekomunikacionin dhe infrastruktura të sigurisë, duke përfshirë 36 miliardë dollarë për metronë në zonën e Dohës, një aeroport të ri, një ndërtim të gjerë rrugësh dhe mbi 100 hotele.
Për të vënë në kontekst 220 miliardë dollarë, PBB e Katarit është rreth 180 miliardë dollarë në vitin 2022. Katari fitoi të drejtën për organizimin e Kupës së Botës në vitin 2010 – pra ka shpenzuar mesatarisht 18.3 miliardë dollarë më vit, ose mbi 10% e PBB së tij.
Kjo do të ishte e barabartë me shpenzimet nga SHBA të 2.3 trilionë dollarëve në vit, për 12 vjet. Po flasim për një angazhim të jashtëzakonshëm të Katarit.
Natyrisht, ndërkohë që investimi prej 220 miliardë dollarësh lidhej me Kupën e Botës, disa nga këto investime, kontribuojnë në afat të gjatë, në zhvillimin e Katarit, ndërkohë që të tjera nuk dihen apo kanë ndikim mjaft të vogël.
Për shembull, metroja apo autostrada që lidh dy stadiumet në dy anët e Dohës mund të japë një ndihmesë të rëndësishme në lehtësinë e transportit gjatë lojërave, por nuk përfaqëson thuajse asnjë kontribut në ekonominë e Katarit.
Është gjithashtu e rëndësishme të vërehet se kostot e mikpritjes do të vijojnë të rriten edhe pas fundit të kampionatit. Parashikohet që pjesë të disa stadiumeve do të çmontohen dhe do të dërgohen diku tjetër.
Stadiumet dhe ndërtesat e tjera që do të mbeten do të kërkojnë miliona dollarë në vit shpenzime operative dhe për mirëmbajtjen (duke mos marrë në konsideratë që Katari ka vetëm 300 mijë rezidentë të përhershëm dhe pak histori futbolli).
Këto struktura do të vijojnë të kenë vlerë si pasuri të paluajtshme, duke përjashtuar përdorime të tjera të mundshme. Hotelet e ndërtuara për të mirëpritur tifozët e Kupës së Botës do të mbeten në pjesën më të madhe bosh. Punëtorët e ardhur, do të dëbohen.
E gjithë kjo lidhet me kostot. Po të ardhurat? Katari deklaron se pret 1.3 milionë vizitorë nga Kupa e Botës. Le të supozojmë se, mesatarisht, çdo tifoz do të qëndrojë katër ditë e do të shpenzojë 300 dollarë në ditë.
Supozojmë, ndër të tjera, se udhëtimet e tjera turistike apo ato për punë nuk do të ndikohen negativisht nga mbipopullimi i parashikuar, rritja e çmimeve dhe problemet e sigurisë. Në bazë të këtyre supozimeve, Katari do të fitonte 1.56 miliardë të ardhura nga mikpritja.
Katari, natyrisht, shpreson në përfitime të tjera. Thuhet se kjo ngjarje e madhe do të ndiqet nga miliarda njerëz në gjithë botën dhe do ta vendosë Katarin në hartën e botës, duke nxitur turizmin, tregtinë e jashtme dhe investimet. Ndoshta do t’i japë Katarit edhe një rol më të rëndësishëm në gjeopolitikë.
Problemi i këtyre pretendimeve mbi rritjen e “soft power” dhe përfitimet ekonomike në afat gjatë është se dëshmitë historike nuk janë pozitive. Të jesh në skenën botërore është një rrugë me dy korsi. Katari po merr shumë publicitet, por pjesa më e madhe nuk është pozitiv. Ai korruptoi rrugën për të fituar të drejtën e mirëpritjes.
Ka importuar dhjetëra mijë punëtorë të huaj, duke i nënshtruar në sistemin shtypës të punës kafala*, i cili thuhet se ka shkaktuar mijëra të vdekur. Për shkak të temperaturave ekstreme, kampionati u shty në nëntor / dhjetor. Projektet e papërfunduara të investimit do të jenë gjerësisht të dukshme.
Dëbimi i punëtorëve të huaj nga banesat e tyre dhe nga vendi për të mirëpritur tifozët e futbollit dhe episode të tjera të turpshme, nuk kanë gjasa të ndërtojnë “soft power” pozitive për Katarin.
Në fund të kampionatit, Katari do të ketë shpenzuar tre ose katër herë më shumë se çdo vend tjetër për të organizuar një kompeticion sportiv. Mosbalancimi akut mes kostove dhe të ardhurave për të mirëpritur Botërorin e Futbollit 2022 mund të ndodhte vetëm në një vend jodemokratik.
/ Sportivo / *Andrew Zimbalist, profesor i ekonomisë në Smith College
Zimbalist është autor i librave të shumtë mbi ekonominë e sportit, ku përmendim Circus Maximus: The Economic Gamble Behind Hosting the Olympics and the World Cup.
*Sistemi Kafala – që do të thotë “sistem sponsorizimesh” – është një sistem i përdorur për të monitoruar punëtorët emigrantë, që punojnë kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe të brendshëm në Shtetet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe në disa vende fqinje, si Bahrjeni, Kuvajti, Libani, Katari, Omani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sistemi parashikon që gjithë punëtorët emigrantë të kenë një sponsor në vend, zakonisht punëdhënësi, i cili është përgjegjës për vizën e tyre dhe statusin e tyre ligjor. Kjo praktikë është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut, pasi krijon mundësi të lehta për shfrytëzimin e punëtorëve, ku shumë punëdhënës marrin pasaportat dhe abuzojnë me punëtorët e tyre, me pak mundësi për pasoja ligjore.