Si pjesë e planit për socializmin në fillim të viteve 1970, Salvador Allende krijoi projektin Cybersyn. Sipas kësaj ideje, menaxherët e kompanive do të mundësonin informacion në një bazë të dhënash qendrore.
Në këtë mënyrë, burokratët mund të kontrollonin a po rritej prodhimi në sektorin e metaleve, a po ulej ai nëpër ferma, apo çfarë po ndodhte me pagat në sektorin e minierave. Kështu ata mund të analizonin ndikimin e një ndryshimi në rregulloret ose kuotat e prodhimit, shkruan The Economiat.
Por projekti Cybersyn nuk u realizua kurrë. Sidoqoftë, diçka çuditërisht e ngjashme është krijuar në Salina, një qytet i vogël në Kanzas, ku Salina311, një gazetë lokale, ka filluar të botojë një “panel të komunitetit” për zonën, me të dhëna të shpejta mbi çmimet lokale të shitjes me pakicë, numrin e vendeve të lira të punës dhe të dhëna të tjera, pra, mund ta përshkruanim këtë si një elektrokardiogram të ekonomisë.
Këtë shembull e kanë ndjekur një numër gjithnjë e më i madh qeverish kombëtare. Kur filloi pandemia vitin e kaluar, burokratët nisën të studionin tabelat e të dhënave “me frekuencë të lartë”, si pasagjerët ditorë nëpër aeroporte dhe shpenzimet orë pas ore të kartave të kreditit.
Javët e fundit, ata kanë përdorur burime të reja me frekuencë të lartë, për të kuptuar më mirë se ku janë mungesat më të mëdha të fuqisë punëtore ose për të vlerësuar se çfarë çmimesh duhen rritur. Ekonomistët i kanë përdorur këto grupe të reja të të dhënave, duke ndikuar në politikë si kurrë më parë (shih grafikun 1).
3 ndryshimet e mëdha
Kjo ekonomi me ritme të shpejta përfshin tre ndryshime të mëdha. Së pari, ajo mbështetet në të dhëna që nuk janë vetëm të bollshme, por edhe drejtpërdrejt të lidhura me problemet e botës reale. Kur politikëbërësit duan të kuptojnë se çfarë ndikimi kanë masat bllokuese në shpenzimet e argëtimit të konsumatorëve, ata vëzhgojnë rezervimet në restorante; kur duan të kontrollojnë pengesat në zinxhirin e furnizimit, vëzhgojnë lëvizjet e përditshme të anijeve. Grupet e të dhënave të hollësishme dhe në kohë reale, janë për ekonominë, ashtu siç ishte mikroskopi për biologjinë, duke hapur një horizont të ri në mënyrën e studimit të botës.
Së dyti, ekonomistët që përdorin këto të dhëna janë më të prirur për të ndikuar në politikat publike. Më shumë prej tyre po bëjnë kërkime të shpejta në përgjigje të politikave të reja. Akademikët janë dyndur në Twitter për t’u përfshirë në debate.
Dhe, së treti, ky lloj i ri i ekonomisë përfshin pak teori. Praktikuesit pretendojnë se e lënë informacionin të flasë vetë. Raj Chetty, profesor i Harvardit, ka thënë se polemikat midis ekonomistëve duhet të jenë pak a shumë të ngjashme me mosmarrëveshjet midis mjekëve në lidhje me pyetjen nëse kafeja është apo jo e dëmshme: është thjesht një çështje provash.
Ekonomia e valës së tretë
Kjo disiplinë në zhvillim mund të quhet ekonomi e “valës së tretë”. Vala e parë u shfaq me Adam Smith dhe librin e tij “Pasuria e Kombeve”, botuar në vitin 1776. Asokohe, ekonomia mbështetej kryesisht në libra ose dokumente të shkruara nga një person, duke u përqendruar në një çështje të madhe teorike. Smith u përpoq të eliminonte zakonet monopoliste të Europës së shekullit XVIII.
Në shekullin XX, John Maynard Keynes dëshironte që njerëzit të mendonin ndryshe në lidhje me rolin e qeverisë në menaxhimin e ciklit ekonomik. Milton Friedman dëshironte të eliminonte shumë nga përgjegjësitë që politikanët kishin vënë mbi veten, duke ndjekur idetë e Keynes.
Të tre burrat patën një ndikim të madh në politika. Deri në vitin 1850, Smith ishte cituar 30 herë në Parlament. Edhe në vitet 1970, më shumë se gjysma e punimeve mbi ekonominë përqendroheshin vetëm në teori, tregon një studim i botuar në vitin 2012, nga ekonomisti Daniel Hamermesh.
Kjo gjë ndryshoi me valën e dytë të ekonomisë. Deri në vitin 2011, punimet thjesht teorike përbënin vetëm 19% të botimeve. Kompjuterët më të fuqishëm e bënë më të lehtë zbulimin e modeleve dhe atribuimin e shkakësisë (çmimi Nobel i këtij viti u dha për praktikën e identifikimit të shkakut dhe pasojës). Me rritjen e kompleksitetit të analizës, u rrit edhe numri mesatar i autorëve për një studim (shih grafikun 2). Ekonomistët u përfshinë më tepër në politikë: qeveritë e vendeve të pasura filluan të përdornin analizën kosto-përfitim që nga vitet 1950.
Megjithatë, ekonomia e valës së dytë mbeti e kufizuar në të dhëna. Shumica e statistikave kombëtare publikohen me vonesa prej disa muajsh apo vitesh. “Statistikat tradicionale të qeverisë nuk ishin vërtet aq të dobishme – në kohën kur ato dilnin, të dhënat ishin tashmë bajate”, thotë Michael Faulkender, ndihmëssekretar në Uashington.
Cilësia e të dhënave zyrtare ekonomike është e përzier, ato nuk arrijnë të tregojnë një pasqyrë të qartë mbi tregun e banesave dhe shpenzimet konsumatore. Statistikat kombëtare u krijuan në një kohë kur ekonomia ishte më industriale dhe më pak e bazuar në shërbime sesa tani.
Mjegullat e kohës
Sidomos në kohë kur ndodhin ndryshime të shpejta, politikëbërësit kanë vepruar në një mjegull. “Nëse shikojmë të dhënat tani… ne nuk jemi duke përjetuar atë çka normalisht do të karakterizohej si recesion”, argumentoi Edward Lazear, atëherë kryetar i Këshillit Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, në maj 2008.
Pesë muaj më vonë, pasi u rrëzua kompania Lehman Brothers, FMN-ja vuri në dukje se Amerika “nuk po shkonte domosdoshmërisht” drejt një recesioni të thellë. Në fakt, Amerika kishte hyrë në një recesion në dhjetor 2007. Në periudhën 2007-‘09, nuk pati asnjë rritje të botimeve në fushën e ekonomisë. Rekomandimet e ekonomistëve për politikën bazoheshin kryesisht në gjykime, teori dhe një lexim të përciptë të statistikave kombëtare.
Hendeku midis të dhënave zyrtare dhe asaj çfarë po ndodh në ekonominë reale, mund të jetë ende i dukshëm. Mjafton të ecni nëpër supermarketet Walmart në Kanzas dhe do të vini re se ka mungesa të shumë artikujve, nga ushqimi për kafshët shtëpiake, deri tek shishet e ujit. Megjithatë, disa statistika kombëtare nuk i tregojnë probleme të tilla.
Që përpara pandemisë, ishin rritur zërat se po fillonte një valë e tretë ekonomike. Disa ekonomistë po gjenin grupe të reja të dhënash, jashtëzakonisht të detajuara, si regjistrimet anonime të taksave dhe informacionet e vendndodhjes nga telefonat celularë. Analiza e këtyre grupeve gjigante të të dhënave kërkon krijimin e laboratorëve industrialë, ekipe ekonomistësh që filtrojnë dhe hetojnë numrat. Susan Athey, një pioniere në aplikimin e metodave moderne llogaritëse në ekonomi, ka rreth 20 studiues në laboratorin e saj në Stanford (ekipi i zotit Chetty krenohet me numra të ngjashëm).
Edhe firmat po mundësojnë më shumë të dhëna. Visa dhe Square regjistrojnë modelet e shpenzimeve, Apple dhe Google ndjekin lëvizjet dhe kompanitë e sigurisë e dinë se kur njerëzit hyjnë dhe dalin nga ndërtesat. “Kompjuterët qëndrojnë në qendër të çdo marrëveshjeje ekonomike, kështu që natyrisht gjërat do të regjistrohen”, thotë Jon Levin në Stanford.
Jamie Dimon, shefi i bankës JPMorgan Chase, është vërtet një hero në zhvillimin e ekonomisë së valës së tretë. Në vitin 2015, ai ndihmoi në krijimin e një instituti në bankën e tij, i cili përdorte të dhënat nga rrjeti për të analizuar pyetje në lidhje me financat e konsumatorit dhe bizneset e vogla.
Referendumi i Brexit në qershor 2016, ishte ngjarja e parë e madhe kur u vunë në provë të dhënat në kohë reale. Qeveria britanike dhe investitorët duhej të kuptonin këtë tronditje të pazakontë shumë kohë përpara se të dilnin shifrat zyrtare të PBB-së së Britanisë. Ata rrëmuan faqet e internetit për shenja treguese si rezervimet e restoranteve dhe numri i supermarketeve që ofronin zbritje – dhe arritën në përfundimin se megjithëse ekonomia po ngadalësohej, nuk ishte aspak katastrofa që kishin parashikuar shumë veta.
Kompanitë kineze kanë prodhuar prej kohësh të dhëna të hollësishme me frekuencë të lartë, për gjithçka, nga vizitat në kinema, deri tek numri i gotave të birrës që pinë njerëzit çdo ditë. Vëzhguesit e Kinës i përdorën këto të dhëna në janar 2020, kur filluan masat bllokuese në provincën Hubei. Shifrat treguan se ekonomia e dytë më e madhe në botë po shkonte drejt rënies. Dhe ata u treguan ekonomistëve gjetiu se sa të dobishme mund të ishin të dhëna të tilla.
Rrjet i gjerë dhe i shpejtë
Në ditët e para të pandemisë, Google nisi të publikonte të dhëna anonime mbi lëvizjet fizike të njerëzve; kjo i ka ndihmuar studiuesit të masin rreptësinë e masave bllokuese. OpenTable, një platformë prenotimesh, filloi të publikojë informacione ditore për rezervimet e restoranteve. Byroja e Censusit në Amerikë prezantoi një anketë javore të familjeve, duke u bërë atyre pyetje që varionin nga statusi i punësimit deri tek pyetja nëse mund të përballonin qiranë.
Në maj 2020, tre ekonomistë, Jose Maria Barrero, Nick Bloom dhe Steven Davis, filluan një studim mujor të praktikave të biznesit dhe zakoneve amerikane të punës. Amerikanët në moshë pune paguhen për t’iu përgjigjur pyetjeve se sa shpesh planifikojnë të vizitojnë zyrën, apo si do të preferonin të përshëndesnin një koleg pune. “Njerëzit shpesh plotësojnë një anketë gjatë pushimit të drekës” – thotë z. Bloom, nga Universiteti Stanford.
Kërkesa për të kuptuar një situatë konfuze ekonomike është rritur. Brenda pak javësh, u publikua analiza e parë mbi ndihmën javore ekonomike prej 600 dollarësh në Amerikë, e zbatuar në mars 2020. Qeveria britanike e dinte që në tetor 2020, se një skemë për të subvencionuar frekuentimin e restoranteve në gusht 2020, kishte gjasa të kishte rritur infeksionet me Covid-19.
Është më e vështirë të përcaktohet ndikimi politik. Disa ekonomistë tallen me idenë se hulumtimi i tyre ka ndikuar tek politikanët në reagimin ndaj pandemisë. Duke përdorur të dhëna në kohë reale, shumë studime treguan se Programi i Mbrojtjes së Pagave, një përpjekje për të kanalizuar paratë tek firmat e vogla amerikane, nuk po jepte përfitimet e pritura. Megjithatë, lobistët e bizneseve të vogla u siguruan që politikanët të mos e hiqnin qafe atë program për muaj të tërë.
Nga ana tjetër, hulumtimi nga zoti Chetty në fillim të vitit 2021 zbuloi se ndihmat stimuluese ekonomike të dërguara në dhjetor, rritën shpenzimet nga familjet me të ardhura më të ulëta, por jo shumë nga familjet më të pasura. Ai pretendon se kjo informoi vendimin për të vendosur kufij më të fortë të të ardhurave në ndihmat stimuluese të dërguara në mars.
Zhvillimi i bisedës ekonomike
Në maj të vitit 2020, Rezervat Federale rajonale në Dallas dhe Nju Jork, së bashku me ekonomistin e Harvardit, James Stock, krijuan një indeks aktiviteti, duke përdorur një sërë të dhënash ekonomike në kohë reale. Rezerva Federale në St Louis përdori të dhënat nga Homebase për të gjurmuar çdo ditë shifrat e punësimit. Ato treguan një mangësi të aktivitetit ekonomik që përpara daljes së të dhënave zyrtare. Kjo bëri që Rezerva Federale të komunikonte më shpejt qëndrimin e saj tolerant politik.
Të dhënat e shpejta ndihmuan gjithashtu në formimin e debatit ekonomik. Të gjithë e kuptuan se bota ishte në një recesion të thellë shumë më shpejt se në periudhën 2007-‘09. Në pasqyrat e FMN-së për ekonominë globale në vitin 2009, 40% e punimeve të cituara ishin botuar në periudhën 2008-‘09. Në përmbledhjen e publikuar në tetor 2020, mbi gjysma e citimeve ishin të punimeve të botuara po atë vit.
Vala e tretë e ekonomisë ka qenë më e mirë për disa praktikues se për të tjerë. Me fillimin e masave bllokuese, shumë ekonomistë meshkuj mbetën në shtëpi dhe kishin më shumë kohë për të bërë kërkime. Ndërsa ekonomistet femra shpesh mbartnin barrën e kujdesit për fëmijët. Një studim i botuar në revistën Covid Economics, zbuloi se autoret femra përbënin 12% të punimeve në fushën e ekonomisë gjatë pandemisë, krahasuar me 20% më parë.
Ka gjithashtu ndryshime më të thella në vlerën e vendosur për lloje të ndryshme kërkimesh. The Economist ka shqyrtuar renditjen e ekonomistëve nga Ideas Repec, një bazë të dhënash kërkimore nga Google Scholar. Ne i ndamë ekonomistët në tre grupe: “ujqër të vetmuar” (të cilët punojnë me mesatarisht më pak se një bashkautor për punim); “bashkëpunëtorë” (ata që priren të punojnë me më shumë se një bashkautor për punim, zakonisht dy deri në katër persona); dhe “drejtues laboratori” (studiues që drejtojnë një ekip të madh asistentësh).
Rezultonte se bashkëpunëtorët performonin shumë më mirë se dy grupet e tjera gjatë pandemisë (shih grafikun 4). Ujqërit e vetmuar kishin rezultatet më të këqija, ndërsa “drejtuesit e laboratorit” ishin diku në mes. Nuk është shumë e qartë pse bashkëpunëtorët performuan më mirë se drejtuesit e laboratorëve. Ata mund të kenë qenë më të shkathët në zgjidhjen e problemeve që kërkojnë bashkëpunim.
Llojet më të njohura të kërkimit nxjerrin në pah një tjetër aspekt të valës së tretë: dobinë e saj për biznesin. Scott Baker, një tjetër ekonomist, dhe zotërinjtë Bloom dhe Davis (tre nga katër autorët kryesorë gjatë pandemisë), janë të gjithë “bashkëpunëtorë” dhe përdorin të dhënat e gazetave ditore për të studiuar tregjet.
Indeksi i tyre i pasigurisë është përdorur nga fondet e mbulimit për të kuptuar nxitësit e çmimeve të aktiveve. Hulumtimi i zotërinjve Bloom dhe Davis mbi punën nga shtëpia, ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e bizneseve që kërkojnë njohuri mbi kalimin në punën në distancë.
A funksionojnë ato në teori?
Jo të gjithëve u pëlqen drejtimi që po merr kjo disiplinë. Kur ekonomistët thonë se kolegët e tyre po kthehen në shkencëtarë të të dhënave, kjo nuk nënkuptohet si kompliment. Mund të argumentohet gjithashtu se kalimi në një metodë pune të mbështetur në një sasi të madhe të dhënash, po korrigjon një çekuilibër historik.
“Problemi më i rëndësishëm me studimet në ekonomi gjatë dekadave të fundit, është se ato kanë qenë shumë teorike”, thotë Jón Steinsson nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley. Një ekuilibër më i mirë me hyrjen e të dhënave statistikore, do të përmirësonte teorinë. Gjysma e çmimit më të fundit Nobel vlerësoi aplikimin e metodave të reja empirike në ekonomi; gjysma tjetër ishte për teorinë statistikore rreth metodave të tilla.
Ka pasur ankesa edhe për stimujt e rinj me të cilët po përballen ekonomistët. Studiuesit tani po garojnë për të publikuar studime në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike në Amerikë, në mënyrë që të ndikojnë mbi vendimet e politikanëve.
Pavarësisht shqetësimeve, pandemia u ka dhënë ekonomistëve një frymëzim të ri. Gjatë grushtit të shtetit në Kili në vitin 1973, anëtarët e Forcave të Armatosura hynë me dhunë në ambientet e brendshme të Cybersyn dhe shkatërruan grafikët, jo vetëm ngaqë projekti ishte krijuar nga Allende, por edhe sepse ideja e një elektrokardiogrami mbi ekonominë, thjesht dukej paksa e çuditshme. Ekonomia e valës së tretë është ende e pazakontë, por po tingëllon gjithnjë e më pak e çuditshme.