Ekonomia e Greqisë u tkurr me 15.2% në tremujorin e dytë të këtij viti, pas një ngadalësimi të aktivitetit ekonomik, që erdhi si pasojë e masave të marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, njofton Instituti i Statistikave ELSTAT.
15 ditët e para të bllokimit në fillim të marsit dëmtuan gjithashtu ekonominë greke në tremujorin e parë, me një tkurrje të PBB-së prej 0.9% krahasuar me tremujorin e parë të 2019-s dhe 1.6% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
PBB-ja e Greqisë u tkurr me 14% midis prillit dhe qershorit, duke shënuar tkurrjen më të madhe tremujore në të paktën 25 vjet.
Në skenarin e saj më të keq, Ministria e Financave kishte parashikuar një tkurrje prej 15.7% për tremujorin e dytë të vitit, me recesionin e vlerësuar në tërësi gjatë këtij viti në rreth 8%, një zhvillim i tillë që do ta çonte ekonominë greke në nivelet e vitit 2017.
Greqia humbi rreth një të katërtën e prodhimit të saj ekonomik gjatë krizës të borxhit 2010-2018, e cila tronditi zonën e euros dhe e detyroi atë të nënshkruajë deri në tre paketa shpëtimi ndërkombëtare në këmbim të reformave jopopullore të përqendruara në kursime.
Greqia ende ka raportin më të lartë të borxhit ndaj PBB-së dhe po priste një rimëkëmbje të fortë këtë vit. Por me ndikimin e pandemisë, ajo tani pret që ekonomia e saj e mbështetur në turizëm të zvogëlohet deri në 10% deri ne fund të vitit. Të dhënat e ELSTAT treguan se eksportet e shërbimeve ranë me 48.3% krahasuar me tremujorin e mëparshëm./Ekathimerini