Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot në parim projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.
Në hapje të mbledhjes, kryetari i komisionit z. Ahmetaj, u shpreh se themeli i ndryshimeve në lidhje me PPP, ka të bëjë me heqjen e propozimeve të pa kërkuara në disa sektorë. Sipas Ahmetaj, kjo është iniciativë e kësaj mazhorance.
Kryetari Ahmetaj tha se me anë të këtij projektligji që nga data 1 korrik 2019 , do të hiqen ofertat e pa kërkuara kryesisht në infrastrukturë, si dhe do të hiqet bonusi për propozimet e pa kërkuara. Gjithashtu, ai tha se Ministria e Financave do të luaj një rol të rëndësishëm, atë kontrollues.
“Deri më sot janë bërë 217 konçensione, nga të cilat 183 janë bërë para vitit 2013. 99% janë bërë në formën e ofertës se pa kërkuar dhe shumë prej tyre janë bërë me kosto të drejtpërdrejtë buxhetore, për sektorin privat. Me ndryshimet ligjore rritet niveli i transparencës”, sqaroi z. Ahmetaj.
Në prezantimin e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj, tha se synimi i këtij projektligji është përmirësimi i kuadrit ligjor për dhënien e koncesioneve dhe PPP.
“Synimi është të përmirësojmë kuadrin ligjor për dhënien e koncesioneve dhe PPP. Duhet të theksojmë se në hartimin e këtij projekti janë marrë në konsideratë edhe opinionet e ndërkombëtarëve si FMN, BB, SIGMA. Të lejohen propozimet e pa kërkuara vetëm për realizmin e porteve, aeroporteve dhe të energjisë. Për ndërtimin, operimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë nuk do të ketë propozime të pa kërkuara. Përmes këtij projektligji hiqet bonusi për propozimet e pa kërkuara dhe do kompensohen me vlerë monetare që nuk do jetë me e lartë se 1% e investimit”- tha ministrja.
Ajo tha se Ministria e Financave do të luaj një rol të rëndësishëm, lidhur me vlerësimin dhe miratimin e të gjithë projekteve të konçensionit të PPP, në pikëpamjen e implikimeve fiskale, për shpenzimet buxhetore, etj.
Gjithashtu, ministrja Denaj u shpreh se është parashikuar dhe krijimi i Komitetit të Përzgjedhjes së Projekteve të konçensionit të PPP, me qëllim rritjen e cilësisë së studimeve të fizibilitetit, i cili do të jetë organ kolegjial për zgjedhjen e këtyre projekteve.
Roli i Ministrisë së Financave, tha Denaj është dukshëm i shtuar për të minimizuar risqet fiskale dhe buxhetore, si dhe për të sjellë kundërshtime, që të mos merren përsipër vendime që mund të vënë në rrezik këto element.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.