Flet Valentina Telhaj, psikologe klinike
Duhet të veprohet sot për të parandaluar skenarë dramatikë, shprehet për “Monitor”, Valentina Telhaj, psikologe klinike.
Ajo nënvizon nevojën për hartimin e politikave mbështetëse në drejtim të problematikave të reja apo të bartura të individët, që kriza ekonomike mund t’ia theksojë edhe më shumë…
Sa ndikon në shëndetin mendor të popullatës rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ose karburantit, sipas vëzhgimeve tuaja?
Ndryshimet në jetën e individëve mund të sjellin te disa persona probleme serioze në shëndetin mendor. Duhet të veprohet sot për të parandaluar skenarë dramatikë.
Nesër mund të përballemi me rritje eksponenciale vetëvrasjesh, apo të numrit të individëve që shfaqin sëmundje mendore si pasojë e krizës ekonomike dhe pasigurisë që ajo u sjell familjeve, nëse nuk referohen problemet e evidentuara.
Hapi kryesor për këtë është hartimi i politikave mbështetëse, apo reformave në lidhje me shëndetin mendor. Këshillohet t’i kushtohet rëndësi koordinimit shëndetësor, e të hartohen plane kombëtare shëndetësore siç kanë bërë Franca, Italia, Letonia dhe Holanda.
Ne aktualisht kemi qendra komunitare të shëndetit mendor ku ofrohet mbështetja psikologjike nga profesionistë të trajnuar, ose referimi në shërbime shtesë, siç janë dhe shkollat për kujdesin ndaj fëmijëve nga stafi psiko-social, për të siguruar mirëqenien e tyre dhe për të referuar problematikat e evidentuara.
Cilat janë sëmundjet e shëndetit mendor më të përhapura në popullatë vitet e fundit? Nga se janë shkaktuar kryesisht?
Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë po vërtetohet rëndësia e shëndetit mendor në arritjen e qëllimeve të zhvillimit global, gjë që dëshmohet nga përfshirja e shëndetit mendor në Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm.
Në të gjithë botën, më shumë se 450 milionë njerëz vuajnë nga çrregullime mendore. OBSH vlerëson se rreth 151 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, 26 milionë nga skizofrenia dhe 125 milionë nga çrregullimet lidhur me alkoolin.
Rreth 20% e fëmijëve dhe adoleshentëve në botë kanë probleme me shëndetin mendor. Depresioni është një nga shkaqet kryesore të kufizimit të aftësive të tyre. Vetëvrasja, nga ana tjetër, është shkaku i dytë kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës nga 15-29 vjeç. Njerëzit me gjendje të rënda të shëndetit mendor vdesin para kohe – madje edhe dy dekada më herët.
Pavarësisht përparimit në disa vende, njerëzit me probleme të shëndetit mendor shpesh përballen me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, diskriminim dhe stigmatizim.
Çrregullimet e shëndetit mendor po shënojnë rritje në të gjithë botën. Kryesisht si rezultat i ndryshimit demografik, në dekadën e fundit, çrregullimet e shëndetit mendor kanë shënuar rritje prej 13% (deri në vitin 2017).
Çrregullimet mendore mund të ndikojnë ndjeshëm në të gjitha fushat e jetës, si aftësitë për të mësuar dhe për të punuar, marrëdhëniet me familjen dhe miqtë dhe aftësinë për të marrë pjesë në komunitet.
Dy nga gjendjet më të zakonshme të shëndetit mendor, depresioni dhe ankthi, shkaktarët nga më të ndryshëm si; fatkeqësitë natyrore, probleme sociale, ekonomike, mungesa e reziliencës, dhe pasojat e prindërimit jocilësor.
Cilat mund të jenë mekanizmat që të ndihmohen individët me probleme të shëndetit mendor?
Mekanizmat janë të shumtë, por një nga më të rëndësishmit është kur fëmijët rriten në mjedis të dashur, paqësor, kështu ata bëhen anëtarë socialë dhe funksionalë të shoqërisë. Duke u rritur dhe duke zhvilluar, fëmijët përvetësojnë aftësi sociale, aftësinë për të dashur të tjerët, si dhe për të krijuar dhe për të mbajtur marrëdhënie.
Ata fitojnë aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe përvetësojnë kapacitetin dhe aftësinë për të qenë veprues, arsyetimin njohës dhe strategjitë e përballimit të situatave.
Fëmijët priten të arrijnë stade zhvillimore të caktuara në secilën fazë zhvillimi, përkatësisht foshnjëria dhe fëmijëria e hershme, fëmijëria e mesme dhe adoleshenca. Për shembull, atashimi i sigurt me kujdestarët parësorë është thelbësor për zhvillimin emocional të foshnjave.
Ndikon te ndjesia e sigurisë personale dhe aftësia për të menaxhuar emocionet më vonë në jetë. Përvojat gjatë foshnjërisë dhe fëmijërisë së hershme hedhin bazat për të gjithë jetën e fëmijës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.