Edhe në 1,000 javët që do të vijnë, “Monitor” do të vijojë të jetë një zë i pavarur dhe do të përpiqet që në informacionin e përçuar, në analizën e bërë apo në opinionin e dhënë të japë kontributin e tij, sado modest, për një të ardhme më të mirë.
Ishte 15 Dhjetor i vitit 2000, kur në treg doli numri i parë i Revistës “Monitor”, në një përpjekje për të hedhur dritë mbi zhvillimet ekonomike të një vendi, që po kalonte fazën e parë të trazuar e kaotike të tranzicionit, nga ekonomia e falimentuar e planifikimit socialist në atë të tregut.
Kohë e ndryshme e Shqipëri e ndryshme nga ajo që jetojmë sot. Legjislacioni i palëvruar, elemente bazike si furnizimi me energji apo ujë, mungonin. Bizneset ishin, në pjesën më të madhe, të pastrukturuara dhe ekonomia prodhonte rreth 6 miliardë euro në vit (prodhimi me çmime korente sipas INSTAT), ndërsa shteti mblidhte taksa sa rreth 20.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Bujqësia ishte aktiviteti kryesor, me rreth 25% të PBB-së. Të ardhurat për frymë ishin rreth 1.200 dollarë (sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar-FMN), më pak se 25% e mesatares së Bashkimit Europian (BE), duke na renditur ndër shtetet më të varfra të Europës.
Por sipërmarrësit dhe qytetarët e vendit kishin energjinë për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe kishin shpresën për një ekonomi që ofronte mundësi për të gjithë. Pavarësisht emigracionit të fillim viteve ’90, që nisi të rrudhte vendin, rreth 53% e popullsisë ishte nën moshën 30 vjeç. Ekonomia kishte hyrë në një cikël rritës, sistemi financiar po zgjerohej, investimet e huaja po rriteshin, pesha e bujqësisë nisi të binte gradualisht, ndërsa tregtia dhe shërbimet po fitonin gjithnjë e më shumë terren.
Që prej atëherë, “Monitor” ka qenë dëshmitare e ecurisë ekonomike (dhe jo vetëm) të vendit. Kemi tentuar të jemi, në modestinë tonë, jo thjesht një dëshmitar pasiv, por të shkojmë përtej informacionit zyrtar me përpunimin e të dhënave dhe analizën e tyre, për të qenë në pararojë të zhvillimeve e pasojave të pritshme.
Si një revistë me fokus ekonominë, në shërbim të fuqizimit të tregut të lirë, kemi mbështetur parimet më të rëndësishme të saj, për krijimin e një mjedisi “free and fair” për të gjithë pjesëmarrësit.
Në këtë mënyrë jemi përpjekur të sjellim një kontribut tonin në gazetarinë në vend, të orientuar nga ekonomia reale, faktet e statistikat, zërat e sipërmarrësve e ekspertëve, përtej çdo paragjykimi politik, por qartazi në një këndvështrim të ndikuar nga mbështetja jonë për një ekonomi tregu funksionale.
Është e natyrshme që fokusi është drejtuar vazhdimisht te sipërmarrjet e problematika e tyre, analizat sektoriale dhe politikat publike, si dhe ndikimi që ato kanë te sipërmarrja.
Revista e sotme e “Monitor” ka një simbolikë të veçantë. Ky është numri i 1,000-të i saj, pas më shumë se 20 vitesh në treg.
Shumë gjëra kanë ndryshuar në krahasim me publikimin e parë.
Tjetër kohë, tjetër Shqipëri!
Ekonomia shqiptare, pa dyshim, është rritur, pasi ndryshimi i sistemit ka çliruar potencialin njerëzor dhe ka krijuar hapësirë për iniciativën e lirë. Prodhimi (me çmime korente) në 2019-n ishte pesëfishuar, duke arritur në 21 miliardë euro. Pesha e bujqësisë ka rënë (ndonëse jo dukshëm), duke zbritur në 18.5% të PBB-së. Investimet e huaja nuk kanë munguar, ndonëse në pjesën kryesore u përqendruan në pak projekte të mëdha. Bizneset janë rritur, maturuar dhe po tentojnë diversifikimin në sektorë të ndryshëm. Kosova ka fituar pavarësinë e ne i kemi përfshirë në fokus të revistës edhe zhvillimet ekonomike “në atë anë të Drinit”.
Por jo gjithçka ka shkuar ashtu siç shumëkush shpresonte dy dekada më parë. Të ardhurat për frymë, vërtet janë rritur vit pas viti dhe kanë arritur në rreth 5,300 dollarë (po sipas FMN-së), por ende në nivelin e 31% të mesatares së BE-së mbetemi sërish ndër të fundit e Europës.
Largimi masiv i rinisë, e sidomos ai “i trurit”, emigracioni i pandalshëm dhe plakja graduale e popullsisë janë kthyer në një problem serioz demografik, me ndikim të madh në tregun e punës. Në fund të vitit 2020, pesha e popullsisë nën 30 vjeç ka zbritur në më pak se 40% dhe tendenca nuk është aspak optimiste, teksa mungesa e shpresës për të ardhmen duket se e ka kapluar brezin e ri.
“Monitor”, në këto dy dekada, ka folur hapur për çdo zhvillim të cilin e ka konsideruar si shqetësim për të ardhmen e vendit, që nga problematikat me konkurrencën në vend, te shpërdorimi i parave publike, te ndikimi në ekonomi i rritjes së fenomeneve të trafikut e kriminalitetit, te mungesa e politikave të qarta zhvillimore afatgjata drejt një modeli të qëndrueshëm te politika fiskale, të cilat kanë efekt te ndrydhja e individit apo sipërmarrjes.
Në fakt, ajo për të cilën ka nevojë më shumë vendi sot është pikërisht kthimi i shpresës te brezi që nuk ka pse ta shohë veten si gjenerata e humbur, por ajo e së ardhmes.
Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është ofrimi i oportuniteteve dhe një platforme të hapur e pa kufizime apo favorizime, ku nisma e pashtershme e këtyre njerëzve të gjejë shpresën e saj! Historia njerëzore, por edhe përvoja jonë 30-vjeçare, ka treguar se kjo është një ekonomi tregu “free and fair for all”!
Kjo është ajo që e ka shtyrë vendin përpara deri tani, pavarësisht se në mënyrë kaotike apo jo të strukturuar! Kjo është e vetmja mënyrë që ta rikthejë këtë shpresë te njerëzit e mbetur e aq më shumë te brezi i ri, i cili ka aspirata për të bërë më mirë në jetë se sa prindërit e tyre!
Ndaj “Monitor”, në këto dy dekada, ka folur hapur për çdo zhvillim të cilin e ka konsideruar si shqetësim për të ardhmen e vendit, që nga problematikat me konkurrencën në vend, te shpërdorimi i parave publike, te ndikimi në ekonomi i rritjes së fenomeneve të trafikut e kriminalitetit, te mungesa e politikave të qarta zhvillimore afatgjata drejt një modeli të qëndrueshëm te politika fiskale, të cilat kanë efekt te ndrydhja e individit apo sipërmarrjes.
Edhe në 1,000 javët që do të vijnë, “Monitor” do të vijojë të jetë një zë i pavarur dhe do të përpiqet që në informacionin e përçuar, në analizën e bërë apo në opinionin e dhënë, të japë kontributin e tij, sado modest, për një të ardhme më të mirë.
Edhe në 1,000 javët që do të vijnë, “Monitor” do të vijojë të jetë një zë i pavarur dhe do të përpiqet që në informacionin e përçuar, në analizën e bërë apo në opinionin e dhënë të japë kontributin e tij, sado modest, për një të ardhme më të mirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.