Ekonomia në dorë të qeverisë…, dhe parasë publike

26/09/2020 9:45 PM 0 komente

EDITORIAL MONITOR / Që ekonomia ndodhet në një situatë tepër të vështirë, kjo tashmë është diçka që nuk mund të fshihet. Të dhënat që po dalin për tremujorin e dytë, kur vendi ishte në karantinë totale, flasin për një goditje të fortë të disa sektorëve, sidomos shërbimeve, ndërsa ka rezistuar vetëm tregtia e përqendruar në mallrat e domosdoshme.

Volumi i shitjeve në hoteleri, bar-restorante, agjenci turistike ka rënë me më shumë se 50% me bazë vjetore në tremujorin e dytë. Investimet e huaja po tkurren, jo vetëm nga pandemia, por edhe nga përfundimi i projekteve të mëdha.

Eksportet nuk po arrijnë të rimëkëmben, pasi janë të përqendruara në tekstile-këpucë dhe lëndë të para. Të ardhurat buxhetore janë me rënie, duke e detyruar qeverinë të zhytet në borxhe për të financiar rindërtimin dhe për të dhënë atë pak mbështetje për të punësuarit që u goditën nga kriza. Mbështetje që gjithsesi pak duket se ka funksionuar, teksa zyrtarisht, në pak muaj, të paktën 50 mijë persona dolën të papunë.

E ardhmja duket e vështirë, për më tepër, kur e njëjta tendencë është në fakt në gjithë botën. Pandemia e COVID-19 i ka futur të gjitha vendet në një udhëkryq dhe secili prej tyre po përpiqet të gjejë një rrugëdalje, për një nga krizat më të thella që po kalon njerëzimi në 100 vitet e fundit.

Për vetë strukturën e ekonomisë sonë, të mbështetur te tregtia e shërbimet, të paktën 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto rezulton të jetë e prekur rëndë. Goditjen më të madhe duket se po e marrin mikrobizneset dhe vetëpunësimi, që ndonëse nuk janë të rëndësishme për të ardhurat në buxhet, kanë një kontribut të rëndësishëm në punësim, me rreth një të tretën e totalit.

Edhe përpara se të shpërthente pandemia e COVID-19, vendi nuk po arrinte të rritej. Në vitin 2018, që zgjerimi ishte më i larti i dekadës së kaluar, në 4.1%, ishte nga faktorë rastësorë, si projektet e përkohshme si TAP apo Statkraft, apo energjia e ndihmuar nga shiu. Është e qartë se stanjacioni po kthehet në një problem më vete për ekonominë e vendit. Ekonomia ishte bazuar te konsumi dhe sipërmarrjet i janë përshtatur këtij modeli.

Në renditjen e “Monitor 200”, të sipërmarrjeve më të mëdha sipas qarkullimit vjetor, prej vitesh mbizotërojnë biznese të tregtimit të naftës dhe produkteve të përditshme (importi), që kanë pak të punësuar dhe një normë fitimi minimale prej 2-5%. Ndryshe nga tendenca europiane dhe ajo rajonale, struktura e ekonomisë nuk ka pasur hyrje të reja që vijnë nga risitë teknologjike apo nga ndonjë model biznesi i suksesshëm. Përkundrazi, marrëdhënie me shtetin, në kuptimin e pjesëmarrjes në prokurime publike apo kontraktimi i shërbimeve koncesionare, është modeli i ri i biznesit të shumë sipërmarrjeve, që ose kanë marrë koncesione (ku fitimi është i garantuar pasi riskun e mban përsipër shteti), ose mbështeten në aksesin që kanë në fondet publike.

Teorikisht, COVID-19 duhet ta nxjerrë jashtë loje këtë model biznesi. Buxheti i shtetit do të duhet shtrëngohet në periudhën në vijim, pasi ulja e borxhit do të jetë e domosdoshme. Por, praktikisht, mund të ndodhë edhe e kundërta. Nëse vijohet me keqmenaxhimin e fondeve buxhetore, ndërhyrja e shtetit do të ndikojë edhe më fort në një ekonomi të tregut të tronditur nga pandemia. Afrimi i periudhës së zgjedhjeve rrezikon më shumë që të çorientojë institucionet nga prioritetet reale.

Ekonomia ka arritur pikën kritike dhe ajo që i duhet vendit sot është shpresë. Konsumatorët dhe bizneset kanë nevojë që të shpresojnë se e ardhmja do të jetë më e mirë, se ajo do të jetë ndryshe. Kthesa fillon nga një qeverisje e përgjegjshme, e cilësdo përkatësi që të jetë, e cila do të duhet të menaxhojë me përgjegjshmëri paratë e taksapaguesve.

Modeli i biznesit, drejt një zhvillimi të qëndrueshëm do të kërkojë pak më shumë kohë të orientohet. Bizneset, si gjithnjë, do ta gjejnë vetë rrugën, por ajo që shteti duhet të bëjë është të ndalojë krimin që zapton gjithmonë e më shumë terren në ekonomi, t’i japë rrugë konkurrencës, të mos favorizojë grupe të caktuara, të vërë përpara drejtësisë përgjegjësit e projekteve të Partneritetit Publik-Privat në dëm të dukshëm ndaj shtetit apo publikut, të ulë abuzimet me tenderët, të përmirësojë cilësinë e edukimit në vend dhe të nxisë sektorët me vlerë të shtuar, si dhe t’i japë fund marrëzisë së ndërtimit, apo dhe zgjerimit të aktiviteteve jo produktive!

Edhe për ekonominë e vendit, shteti, qeveria posaçërisht, duhet të jetë i pari që duhet të vërë gurin e themelit drejt një të ardhmeje ndryshe. Në të kundërt, sa më shumë do të rritet pesimizmi në ekonomi, zgjidhja e vetë qytetarëve do të orientohet drejt emigracionit, me pasoja të rënda për dekadat që do të vijnë…

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of