Banka e Shqipërisë publikoi për herë të parë rezultatet financiare kombëtare, të cilat kanë për qëllim të llogarisin kursimet në para në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Llogaritë totale e nxjerrin ekonominë shqiptare më 2017 deficitare, me rreth 702 miliardë lekë, vlerë kjo e akumuluar ndër vite.
Totali i detyrimeve financiare (borxheve) në ekonomi rezultoi 6,1 trilionë lekë, teksa totali i mjeteve (kursimeve) ishte rreth 5,4 trilionë lekë. Individët, suficitarë në kursime, financuesit kryesorë të qeverisë dhe biznesit. Prej nga vijnë dhe ku shkojnë paratë në ekonominë tonë
Në Shqipëri vetëm familjet e kanë bilancin pozitiv cka do të thotë se kursimet i kanë shumë më të larta se borxhet. Në fund të të vitit 2017 pasuria neto e familjeve shqiptare i kaloi te 1.55 trilionë lekët (rreth 12 miliardë euro) duke u bërë kështu huadhënësi kryesor për qeverinë dhe bizneset. Të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, bizneset, qeveria dhe disa pjesë të sistemit financiar janë në borxhe. Rekordin e mban qeveria, e cila ka borxhin më të lartë në vend, prej rreth 5.6 miliardë eurosh. Edhe bizneset raportojnë detyrime të larta, por një pjesë e konsiderueshme e tyre është investime.
Për herë të parë, Banka e Shqipërisë publikoi rezultatet e një “skaneri” të ekonomisë shqiptare, i cili tregon flukset e kursimeve (mjetet) dhe borxheve (detyrimet) për të gjithë sektorët nga bankat, bizneset, qeveria, individët dhe flukset me jashtë vendit.
Me bilanc pozitiv (Diferenca ndërmjet mjeteve dhe detyrimeve), paraqiten ekonomitë familjare dhe sektori jorezident pozicionohen në kreditorë ose huadhënës neto, ndërkohë që, korporatat jofinanciare dhe qeveria e përgjithshme vijojnë në pozicion debitor ose
huamarrës neto. Për shkak të natyrës së biznesit, korporatat financiare vijojnë në pozicion pozitiv / huadhënës neto, edhe pse të ulët.
Llogaritë totale e nxjerrin ekonominë shqiptare më 2017 deficitare, me rreth 702 miliardë lekë ose 5.4 miliardë euro, vlerë kjo e akumuluar ndër vite. Totali i detyrimeve financiare (borxheve) në ekonomi rezultoi 6,1 trilionë lekë, teksa totali i mjeteve (kursimeve) ishte rreth 5,4 trilionë lekë. Mjetet dhe detyrimet e sektorit financiar paraqiten në volume të konsiderueshme krahasimisht me ato të sektorëve të tjerë, për shkak të rolit ndërmjetës që kanë ato në ekonomi.
Për ekonomitë familjare, mjetet financiare në thelb tejkalojnë detyrimet, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të investimeve në formën e depozitave, si dhe investimeve në formën e pjesëmarrjeve në kapitalin e bizneseve.
Për bizneset, detyrimet tejkalojnë pasuritë financiare në mënyrë të konsiderueshme, me rreth 1.5 trilionë lekë.
Kjo për faktin se: së pari, krahas kredive dhe letrave me vlerë të borxhit, detyrimet përfshijnë gjithashtu vlerën e tregut të aksioneve të emetuara nga korporatat; dhe së dyti, mjetet jofinanciare të korporatave të financuara nëpërmjet kapitalit dhe kapitalit të huazuar nuk janë raportuar në llogaritë financiare. Krahasimisht me dimensionet e sektorëve të tjerë, mjetet dhe detyrimet financiare të sektorit të qeverisë së përgjithshme janë minimale.
Kursimet totale 5.4 trilionë lekë, 33% i zotërojnë familjet
Totali i mjeteve financiare të sektorëve të brendshëm të ekonomisë (sektorëve rezidentë), për vitin 2017, shënoi 5,4 trilionë lekë, në rritje me 9% në harkun kohor të pesë viteve (2013-2017).
Mjetet financiare të të gjithë sektorëve, duke përfshirë edhe marrëdhëniet financiare me jashtë (jorezidentët) ishin 7.1 trilionë lekë, ato u rritën me rreth 857 miliardë lekë (ose 14%) gjatë periudhës. Analiza tregon se në përgjithësi, të gjithë sektorët kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, ku rritja më e madhe është vërejtur në sektorin e biznesit dhe korporatat financiare.
Rreth 2, trilionë lekë (ose 38%) e totalit të mjeteve financiare të brendshme i përkasin sektorit të korporatave financiare. Ky sektor përbëhet nga banka qendrore (24%), korporatat e tjera depozituese (69%), fondet e investimit (4%), shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensionit (1%) dhe institucionet e tjera financiare (2%).
Gjatë periudhës 2013-2017, mjetet financiare të sektorit financiar u zgjeruan me 321 miliardë lekë.
Sektori i dytë më i rëndësishëm, ai i ekonomive familjare, zotëron rreth 33% të totalit të mjeteve financiare të brendshme. Në harkun kohor të 5 viteve, mjetet e këtij sektori u zgjeruan me rreth 88 miliardë lekë dhe në fund të 2017-s shënojnë 1,7 trilionë lekë.
Biznesi ose korporatat jofinanciare zotërojnë rreth 1 trilion lekë mjete financiare, shifër e cila përbën 20% të totalit të mjeteve të brendshme financiare. Mjetet financiare në zotërim të qeverisë së përgjithshme vlerësohen në 492 miliardë lekë, ose 10% të totalit të sektorëve rezidentë.
Sektori jorezident, i cili përfaqëson detyrimet e huaja të sektorëve të ekonomisë vendase kundrejt pjesës tjetër të botës, u zgjerua me 412 miliardë lekë gjatë harkut kohor 5-vjeçar. Ky sektor përfaqësoi 24% të totalit të mjeteve financiare, në fund të vitit 2017.
Detyrimet totale, 6.1 trilionë lekë
Ndërsa detyrimet financiare të brendshme, duke mos i përfshirë jorezidentët, ishin 6,1 trilionë lekë në fund të 2017, ku peshën kryesore e zë sektori i biznesit, me rreth 37% të totalit të detyrimeve të të gjithë sektorëve (ose 43% të sektorëve të brendshëm ekonomikë). Ky sektor ka zgjeruar detyrimet e tij me 49 miliardë lekë, që prej vitit 2013 deri më 2017.
Sektori i korporatave financiare zgjeroi detyrimet e tij me 352 miliardë lekë, gjatë harkut kohor në shqyrtim (2013-2017), duke arritur nivelin e përfaqësimit 29% të totalit të detyrimeve të gjithë sektorëve (ose 34% të sektorëve të brendshëm ekonomikë).
Nga këndvështrimi i instrumenteve financiare, monedha dhe depozita përfaqësojnë instrumentin financiar më të përdorur në ndërlidhjet sektoriale (me rreth 28% të totalit të mjeteve/ detyrimeve në fund të vitit 2017), ndërkohë që huatë dhe instrumentet e kapitalit përfaqësojnë respektivisht 21.6% dhe 21.3% të totalit. Llogaritë e arkëtueshme/pagueshme zënë rreth 14% të mjeteve/detyrimeve dhe zotërohen në masën më të madhe nga bizneset.
Në pozicionin financiar neto, ekonomitë familjare dhe sektori jorezident pozicionohen në kreditorë ose huadhënës neto, ndërkohë që, korporatat jofinanciare dhe qeveria e përgjithshme vijojnë në pozicion debitor, ose huamarrës neto. Për shkak të natyrës së biznesit, korporatat financiare vijojnë në pozicion pozitiv/ huadhënës neto, edhe pse të ulët.
Biznesi, detyrimet rëndojnë më shumë se mjetet
Gjatë vitit 2017, korporatat jofinanciare (ose ndryshe bizneset) shfaqën rënie të lehtë të nevojës për financim në rreth 1.04%. Pozicioni financiar neto i këtij sektori, në fund të vitit 2017, shënon -1.55 trilionë lekë nga -1.57 trilionë lekë në vitin 2016. Kjo ecuri u diktua kryesisht nga zgjerimi i kapitalit të kompanive (instrumenti “aksione ose njësi të fondit të investimit” (AF5)).
Në fund të vitit 2017, mjetet financiare të sektorit të biznesit arritën në rreth 1 trilion lekë, duke u zgjeruar lehtësisht me rreth 1% në terma vjetorë. Zëri “llogari të tjera të arkëtueshme” mban pjesën më të madhe të mjeteve financiare të këtij sektori, në rreth 58.1% të totalit. Kredia tregtare përbën rreth 61% të instrumentit llogari të tjera të arkëtueshme dhe rreth 35% të totalit të mjeteve financiare, duke demonstruar rëndësinë e tij si burim financimi midis njësive institucionale të përfshira në sektorin e korporatave jofinanciare.
“Monedha dhe depozitat” e biznesit u zgjeruan gjatë vitit me 9%, duke arritur nivelin 269 miliardë lekë. Kjo rritje është rrjedhojë e zgjerimit e: (i) likuiditeteve afatshkurtra të mbajtura në arkën e bizneseve (në 68.4 miliardë lekë, nga 60.4 miliardë në fund të 2016); (ii) llogarive rrjedhëse të mbajtura në korporatat depozituese (në 129 miliardë lekë, nga 124 miliardë lekë në fund të 2016); dhe (iii) depozitave me afat (në 71.6 miliardë lekë, nga 62 miliardë lekë një vit më parë).
Nga ana tjetër, “huatë” ranë në terma vjetorë me 12.5%. Huadhënia e korporatave jofinanciare, në fund të 2017-s, shënon 57 miliardë lekë nga rreth 65 miliardë lekë në fund të 2016. Ky kontraktim i detyrohet zvogëlimit të pretendimeve në formën e huasë me sektorët jorezidentë (huatë ndër kompani në marrëdhënie investimi direkt).
“Aksionet ose njësitë e fondeve të investimit” u zgjeruan gjatë vitit me 5%, duke arritur në rreth 66 miliardë lekë, dhe përfaqësojnë rreth 6% të totalit të mjeteve të korporatave jofinanciare.
Në fund të vitit 2017, detyrimet financiare të sektorit të biznesit shënojnë 2.64 trilionë lekë me rënie vjetore prej 0.3%. “Aksionet ose njësitë e fondeve të investimit” kanë financuar bizneset në nivelin 44% të totalit të detyrimeve financiare dhe arritën nivelin 1.16 trilionë lekë nga 1.1 trilionë lekë në vitin 2016. Investitorët kryesorë janë ekonomitë familjare dhe jorezidentët, të cilët zotërojnë përkatësisht 37% dhe 43% të këtij instrumenti.
Detyrimet nën zërin “llogari të tjera të pagueshme” ranë në 760 miliardë lekë, nga 793 miliardë lekë një vit më parë. Ky zhvillim është diktuar kryesisht nga rënia e llogarive të pagueshme ndaj qeverisë në nivelin 167 miliardë lekë, nga 220 miliardë lekë në vitin 2016. Një pjesë e rëndësishme e burimeve të përdorura për financimin e biznesit është siguruar përmes “huave”, të cilat shënojnë 687 miliardë lekë, nga 704 miliardë në fund të vitit 2016.
Huamarrja është siguruar kryesisht nga korporatat e tjera depozituese (sektori bankar), në masën 53%, si dhe nga sektori jorezident (37%). Zvogëlimi në stokun e kredisë nga korporatat depozituese është rrjedhojë njëkohësisht e masave për fshirjen e kredive me probleme, si dhe efektit negativ të kursit të këmbimit. Huamarrja e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit dhe fshirjes së kredive gjatë vitit 2017, shënoi rreth 10.8 miliardë lekë, nga rreth 5.9 miliardë një vit më 2016. Huamarrja afatgjatë vijon mbizotëruese në nivelin e përgjithshëm të huave (në masën 75%).
Pozicioni financiar neto i sektorit të biznesit u ngushtua me 16.4 miliardë lekë ose 1% në terma vjetorë, dhe në fund të vitit 2017 vlerësohet në -1.5 trilionë lekë.
Qeveria me bilancin më të keq në ekonomi
Mjetet financiare të qeverisë së përgjithshme, në fund të vitit 2017, shënojnë 492 miliardë lekë, nga 538 miliardë një vit më parë, me rënie vjetore prej 8%. Ato prezantohen kryesisht në aksione/pjesëmarrje në kapital në korporata publike jofinanciare dhe në llogari të tjera të arkëtueshme, kryesisht kundrejt biznesit, respektivisht në rreth 45% dhe 35%.
Në fund të vitit 2017, instrumenti “aksione/pjesëmarrje në kapital” vlerësohet në 223 miliardë lekë, nga 238 miliardë lekë një vit më parë. Mjetet financiare të përfshira në instrumentin “llogari të tjera të arkëtueshme”, i cili përfshin pretendimet e autoriteteve publike ndaj agjentëve ekonomikë, të tilla si komisione, taksa dhe sigurimet shoqërore, për 2017, vlerësohen në 172 miliardë lekë, nga 224 miliardë në fund të 2016. Zëri “Monedha dhe depozita” u zgjerua në nivelin 48 miliardë lekë, nga 34 miliardë lekë në vitin 2016. Huatë e dhëna nga qeveria e përgjithshme u rritën me rreth 18% gjatë vitit. Në terma nominalë, ky tregues shënon 49 miliardë, nga 42 miliardë lekë në fund të vitit 2016.
Detyrimet financiare të sektorit të qeverisë së përgjithshme vlerësohen në nivelin 1.21 trilionë lekë më 2017, nga 1.18 trilionë lekë në fund të vitit 2016. Instrumenti kryesor i financimit, i përdorur nga qeveria e përgjithshme, vijon të jenë “letrat me vlerë të borxhit”, të cilat përbëjnë rreth 48% të totalit të detyrimeve.
Në terma absolutë, letrat me vlerë afatgjata të borxhit gjenden në nivelin 406 miliardë, nga 373 miliardë një vit më parë, ndërkohë letrat me vlerë afatshkurtra (deri në një vit) ranë në nivelin 181 miliardë, nga 189 miliardë në vitin 2016. Mbajtësit kryesorë të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë janë korporatat e tjera depozituese, në një total prej 343 miliardë lekësh.
“Huatë afatgjata”, ashtu si letrat me vlerë, kanë luajtur rol të rëndësishëm si instrument financues për qeverinë e përgjithshme, dhe zënë 36% të detyrimeve totale. Në fund të vitit 2017, huatë arritën nivelin 434 miliardë lekë, nga 422 miliardë lekë në vitin 2016, me një rritje vjetore prej 2.7%. Financuesi kryesor i borxhit të qeverisë së përgjithshme (hua dhe letra me vlerë) është sektori i jorezidentëve, i cili mban rreth 46% të totalit, i shoqëruar nga sektori i korporatave të tjera depozituese në rreth 34%.
Detyrimet financiare në formën e llogarive të pagueshme të vlerësuara në llogaritë financiare, në terma absolutë, shënuan rreth 190 miliardë lekë në fund të vitit 2017, nga rreth 203 miliardë lekë në fund të vitit 2016. Në vitin 2017, pozicioni financiar neto i qeverisë së përgjithshme, në raport me PBB-në, llogaritet në nivelin -46.2%, nga rreth – 44% një vit më parë.
Shkëlqejnë individët, pasuria neto 1.55 trilionë lekë
Në fund të vitit 2017, totali i mjeteve financiare (kursimeve) të ekonomive familjare, vlerësuar në llogaritë financiare, shënon 1,763 miliardë lekë, nga 1,781 miliardë lekë në fund të 2016. Instrumenti kryesor, i përdorur nga ekonomitë familjare, është “monedha dhe depozita”, i cili përfaqëson në masën 56.4% mjetet financiare të këtij sektori. Në harkun kohor të një viti, monedha dhe depozitat shënuan një zgjerim me rreth 12 miliardë lekë, duke shënuar nivelin 995 miliardë lekë në fund të 2017-s.
Gjatë vitit, individët/ekonomia familjare ka zgjeruar mjetet likuide (të tilla si cash/monedha dhe depozitat e transferueshme) dhe ka ngushtuar investimet në depozita me afat. Kështu, monedha dhe depozitat e tranferueshme, gjatë vitit, u zgjeruan me rreth 14 mld lekë në nivelin 423 miliardë lekë, ndërkohë që depozitat me afat ranë me 2 miliardë dhe, në fund të vitit 2017, shënuan 573 miliardë lekë.
Në të njëjtën kohë, portofoli i individëve në “investime në letrat me vlerë të borxhit” u zgjerua (15%) në nivelin 92 miliardë lekë, në drejtim të zgjerimit të investimeve në letra me vlerë të borxhit afatgjata (zgjeruar nominalisht me 18 miliardë lekë), ndërkohë që portofoli afatshkurtër është tkurrur me 6 miliardë lekë.
Letrat me vlerë përbëjnë vetëm 5% të totalit të mjeteve financiare të sektorit të ekonomive familjare. Aksionet dhe njësitë e fondeve të investimit zënë 32% të totalit të mjeteve financiare dhe shënojnë nivelin stok prej 568 miliardë lekësh, nga 613.5 miliardë lekë një vit më parë. Ndikimin më të madh në këtë rënie e pati kapitali i investuar në korporatat jofinanciare, i cili shënon rënie vjetore prej 53.5 miliardë lekësh (ose 11%). “Llogari të tjera të arkëtueshme” gjatë vitit, u rrit me 3% dhe në fund të 2017, shënon 101.4 miliardë lekë.
Detyrimet financiare të sektorit të ekonomive familjare vlerësohen në 205.9 miliardë lekë, në rritje prej 11.9 miliardë lekësh (ose 6%) referuar një viti më parë. Huatë mbajnë peshën kryesore në totalin e detyrimeve financiare të këtij sektori (95% të totalit). Në fund të 2017, stoku i huave shënon rreth 195 miliardë lekë, nga 183 miliardë lekë në vitin 2016. Në terma maturiteti, huatë afatshkurtra ranë me 0.3 miliardë lekë, ndërkohë huatë afatgjata, të cilat përbëjnë 95% të totalit të huave të ekonomive familjare, u rritën me 12 miliardë lekë ose 7%.
Llogari të tjera të pagueshme, në fund të vitit 2017, shënojnë vlerën e 10.9 miliardë lekëve, duke ruajtur kështu pothuajse të njëjtin nivel të një viti më parë. Për vitin 2017, pasuria financiare neto e ekonomive familjare vlerësohet në më shumë se 1.55 trilionë lekë, nga 1,58 trilione lekë në vitin 2016, ose në rënie vjetore prej 2%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.