Ekonomia nuk e merr veten as në janar, të ardhurat buxhetore rënie me 2.4%, tkurren fitimet e bizneseve

01/03/2021 2:48 PM 0 komente

Ekonomia e vendit shfaqi dobësi edhe në këtë fillim viti. Këto zhvillime u reflektuan në ritmet e dobëta të grumbullimit të te ardhurave buxhetore.

Sipas të dhënave zyrtare që i takojnë muajit janar 2021 arkëtimet në buxhet gjatë janarit arritën në 35,1 miliardë lekë me një rënie 2.4 për qind më janarin 2020, kur kriza e koronavirusit ende nuk e kishte prekur vendin tonë.

Duke parë rezultatet buxhetore, shihet se përformaca me negative është në të ardhurat e Tatimit mbi Fitimin të cilat shënuan rënie me 31 për qind në raport me një vit më parë. Të ardhurat nga ky tatim kanë pasqyruar dobësitë që biznesi ka kaluar vitin e kaluar ku për shkak të kufizimeve të karantinës së pranverës  mbyllen aktivitetin ose punuan nën kapacitet. Kjo gjendje është reflektuar në fitime më të ulta dhe për rrjedhojë në më pak pagesa në buxhet.

Të ardhurat në tatimet kryesore si TVSH-ja, Akciza, TVSH kanë shfaqur ecuri më të mirë. Pasi ulja ka qenë shumë më e ulët në raport me janarin 2020. Arkëtimet nga TVSH-ja ishin 11.2 miliardë lekë me një rënie 2.5 për qind në raport me një vit më parë. Edhe kjo rënie u shkaktuar më së shumti nga disbursimet e larta të TVSH në janar 2021. Të dhënat tregojnë se gjatë muajit të kaluar u rimbursuan mbi 2 miliardë lekë TVSH ose 54 për qind më shumë se një vit më parë.

Taksat e punës, TAP dhe sigurimet shoqërore kanë pësuar rënie të lehtë përkatësisht me 2.2% dhe 1 % duke treguar se punësimi kanë nisur rikuperimin.  Gjithashtu të ardhurat nga pushteti lokal ishin më të larta se në janarin 2020 duke shënuar rritje me 9.4%.

Shpenzimet kapitale rriten 63 % në janar, por deficiti në kontroll

Në krahun e shpenzimeve, shihet një tkurrje më e madhe në raport me vitin e kaluar. Gjithsej gjatë muajit janar u alokuan 31,4 miliardë lekë ose 3.3 për qind më pak se vitin e kaluar, duke mbajtur kështu në kontroll edhe treguesin e deficitit buxhetor që pësoi zgjerim 6.2 % në raport me vitin 2020.

Ndër zërat e shpenzimeve rritjen më të madhe e patën shpenzimet e personelit, pagesat e interesit dhe shpenzimet kapitale.

Për shkak të rritjes së pagave në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit shpenzimet për paga në janar 2021 ishin 4% më të larta se në janar 2020. Gjithashtu rritja e borxhit publik ka ndikuar negativisht shpenzimet për interesa të cilat ishin 6 % për qind më të larta se në janar 2020.

Shpenzimet kapitale arritën në 963 milionë lekë në janar me një rritje prej 63 për qind në raport me janarin e vitit të kaluar. Kjo ishte rritja më e lartë në zërat e shpenzimeve e ndikuar nga procesi i rindërtimit dhe projekte të tjera të nxitura nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.  Rënien më të mëdha në krahun e shpenzimeve e kishte ndihma ekonomike me një ulje 43 % në raport me vitin e kaluar dhe shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes me 10%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of