Gjatë vitit 2019, numri i bizneseve në vend ra me 3.1%, ose u mbyllën 3,359 subjekte, sipas rezultateve paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT. Në fund të vitit 2019, në vend kishte 104,091 subjekte (pa përfshirë fermerët).
Por, ndonëse numri i bizneseve është ulur, të dhënat e tjera për xhiron dhe punësimin rezultojnë në rritje, duke treguar për një fuqizim të më të mëdhenjve dhe rënie të të vegjëlve. Shërbimet janë sektori që po udhëheq rritjen.
Sipas INSTAT, në vitin 2019, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.261miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rritje me 3,7% krahasuar me vitin 2018. Investimet e realizuara arritën vlerën 242 miliardë lekë nga 238 miliardë lekë në 2018, duke shënuar një rritje prej 1,4%. Në vitin 2019, operuan 104.091 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 3,1%, krahasuar me vitin 2018, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 2,9%.
Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rritjen prej 3,7% të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +3,3 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +0,4pikë përqindje.
Ekonomia shqiptare është e bazuar në tregti, që sjell gati gjysmën e shitjeve në vend. Gjatë vitit 2019, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 46,1%, i ndjekur nga sektori i industrisë përpunuese me 11,8%. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (3,1%) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,6%).
Situatë e ngjashme paraqitet për treguesin e punësimit. Në rritjen prej 2,9% të punësimit, prodhuesit e të mirave dhanë kontributin më të madh me +1,5 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e shërbimeve kontribuan me +1,4pikë përqindje. Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2019 janë sektori i tregtisë me 24,7% të punësimit dhe sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 20,7%, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6%të të punësuarve gjithsej.
Gjatë vitit 2019, investimet e realizuara u rritën me 1,4%, ku prodhuesit e të mirave kontribuuan pozitivisht me 4,0 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e shërbimeve kontribuuan negativisht me 2,6 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 35,5%të investimeve nga 38,6%që zinin vitin e kaluar. Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2019ka investuar 78.7miliardë lekë duke zënë 32,6%të investime gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restorante (4,3%) dhe industrisë nxjerrëse (6,2%).
Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2019u ul me 3,1%. Në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, prodhuesit e shërbimeve kontribuuan negativisht me nga 2,8 pikë përqindje dhe prodhuesit e të mirave me 0,3 pikë përqindje. Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (40,0%) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (23,0%) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (16,7%). Gjatë 2019, sektori i i energjisë elektrike dhe ujit pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,6% të ndërmarrjeve aktive gjithsej.
Gjatë 2019, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesorë në ekonomi dhe realizuan 46,8% të shitjeve neto, 41,6% të të punësuarve gjithsej dhe 56,3% të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,4% të ndërmarrjeve aktive.
Në prodhuesit e të mirave, numri i ndërmarrje ka pësuar rënie me 2,5% krahasuar me vitin 2018, numri i të punësuarve është rritur me 4,1%, shitjet neto janë rritur me 1,2% ndërsa investimet janë rritur me 6,5%.
Gjatë vitit 2019, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar zunë 5,8% të ndërmarrjeve prodhuese të të mirave dhe realizuan 63,5% të shitjeve neto. Numri i të punësuarve në këtë grup zuri 64,2% të të punësuarve në prodhuesit e të mirave, ndërsa investimet arritën vlerën 95 miliardë lekë dhe përbënë 61,2% të investimeve.
Ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan 68,1% të ndërmarrjeve të prodhuesve të të mirave gjatë 2019 dhe punësuan 9,1%të të punësuarve. Ky grup ndërmarrjesh realizoi 8,0% të shitjeve neto dhe 5,0% të investimeve për prodhuesit e të mirave.
Në prodhuesit e shërbimeve, numri i ndërmarrje ka pësuar rënie me 3,2% krahasuar me vitin 2018, numri i të punësuarve dhe shitjet neto kanë shënuar rritje përkatësisht me 2,2% dhe 5,0%, ndërsa investimet kanë pësuar rënie me 6,7%. Gjatë vitit 2019, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përbëjnë 0,7% të ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e shërbimeve dhe realizuan 38,6% të shitjeve neto. Në këtë grup investimet arritën vlerën 41 miliardë lekë dhe përbënë 47,4% të investimeve. Ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan88,4% të ndërmarrjeve aktive, punësuan 38,3% të të punësuarve të prodhuesve të shërbimeve dhe arritën vlerën prej 7 miliardë lekë investime, duke përbërë 8,6% investimeve të realizuara nga prodhuesit e shërbimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.