Më shumë se 30 vjet kanë kaluar nga rrëzimi i sistemit komunist. Shpresat e 30 viteve më parë për “kthimin e Shqipërisë si e gjithë Europa”, i kanë lënë vendin skepticizmit dhe pesimizmit që të detyron realiteti i sotëm ekonomik. Me gjithë avantazhet natyrore, Shqipëria mbetet sot një nga vendet më të varfra të kontinentit, ku të ardhurat për frymë janë sa 31% e mesatares së Bashkimit Europian.
Tridhjetë vite më pas, ekonomia shqiptare nuk po krijon ende një model të ri zhvillimi, të bazuar në industri prodhuese, inovacion dhe rritjen e vlerës së shtuar. Sektorët kryesorë të ekonomisë mbeten thuajse të pandryshuar – bujqësi, burime natyrore, dhe ndërtim publik e privat – dhe tregojnë një strukturë problematike dhe të paaftë për të përmirësuar apo për të ndryshuar veten. Megjithëse sipërmarrës dhe qeveritarë e njohin dhe e pranojnë problemin, tre dekada pas ndryshimit të sistemit duket se asgjë nuk po ndryshon.
Renditja e “200 kompanive më të mëdha sipas fitimeve”, një publikim i përvitshëm i “Monitor”, në vijim të atij të “200 më të mëdhenjve sipas të ardhurave”, tregon se vendi ka rënë pre e modelit parazitar, që për fat të keq po nxitet dhe po stimulohet nga vetë sektori publik, i cili duhet të nxiste konkurrencën dhe inovacionin.
Sipërmarrjet që po fitojnë më shumë, janë projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP), në pjesën më të madhe të të cilave rrezikun financiar e mban shteti. Ndërtimi, po ashtu, po lulëzon, përtej çdo pritshmërie dhe logjike të kërkesë-ofertës dhe si në listën e fitimeve, ashtu dhe të ardhurave, numri i kompanive nga ky sektor po rritet ndjeshëm.
Industria përpunuese është më e “diskriminuara” në listë. Pjesa më e madhe e kompanive që operojnë në sektorë të tillë, si prodhimi i veshjeve dhe këpucëve, përpunimi i miellit, përpunimi i qumështit rezultojnë me norma fitimi minimale (2-6%), ose dhe me humbje, duke mos qenë lakmuese për tërheqje kapitali. Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e fut ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet, edhe për shkak të hapjes së tregjeve.
Bizneset, në mënyrë të natyrshme, do të joshen për të investuar kapitalet e tyre drejt sektorëve që tentojnë kthim të lartë dhe të shpejtë. Politikat qeveritare, në pjesën më të madhe, nuk po i vijnë në ndihmë ekonomisë për të nxitur një model të qëndrueshëm dhe për të rritur konkurrueshmërinë e industrisë përpunuese.
Normat e larta të fitimit për koncesionarët dhe ndërtimin po krijojnë probleme të tjera afatgjata për ekonominë. Pagesat e larta për koncesionarët do të bllokojnë hapësirën fiskale për qeveritë e ardhshme, pavarësisht votës së qytetarëve. Rreziku që ndërtimi paraqet për sektorin financiar është i njohur. Vetëm 12 vite më parë, ekonomia botërore, por edhe ajo shqiptare, kaluan krizën më të madhe të 80 viteve të fundit, për shkak të ekspozimit të tepërt.
Mbi të gjitha, këto norma fitimi rrezikojnë të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme edhe atë pak treg konkurrues që Shqipëria kishte ndërtuar këto 30 vjet. Koncesionet, të cilat ende nuk kanë një vlerësim të saktë e të pavarur për vlerën publike që ofrojnë, po e përqendrojnë pasurinë dhe kapitalin në duart e një grupi shumë të ngushtë individësh dhe kompanish lokale.
Këto fitime, të cilat lënë pas çdo aktivitet tjetër ekonomik, po sigurojnë një avantazh konkurrues të pathyeshëm për përfituesit e tyre, megjithëse nuk ka asnjë element inovator, apo vlerë të shtuar, në shumë prej shërbimeve që ofrohen prej koncesioneve në fjalë. Në vend që të shqetësohej nga kjo tendencë, sektori publik dhe qeveria janë mbështetësit e saj më të fortë.
Problemet ekonomike shqiptare nuk janë të panjohura. Edhe në raportin më të fundit të FMN, theksi vihet gjithmonë e më shumë në faktorët strukturorë, institucionalë dhe afatgjatë. Shqipëria vlerësohet si një vend që dështon të krijojë një klimë biznesi të kënaqshme. Hapësirat për nxitjen e nismës së lirë dhe konkurrencës duket se kanë ardhur në rënie.
Reformat e ndryshme fiskale dhe keqadministrimi i financave publike rëndon gjithmonë e më shumë mbi sipërmarrësit e vegjël, duke favorizuar kompanitë e mëdha. Investitorët e huaj, aq të rëndësishëm jo vetëm për kapitalin, por edhe për njohurinë që sjellin në treg, po largohen nga vendi. Me gjithë mesazhet e shumta ndaj qeverisë për t’u fokusuar në këto probleme, edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, fokusi mbetet ende te kontratat koncesionare të ngjashme me vitet e shkuara.
Historia ekonomike tregon se përqendrimi i pasurisë kthehet shpejt në një cikël përforcues nga e cila, ekonomitë dhe vendet nuk dalin lehtësisht. Me kalimin e kohës, ky avantazh fillon e përdoret për të kapur gjithmonë e më shumë shoqërinë, median, politikën, qeverinë dhe, në fund, edhe ligjet e një vendi. E gjitha kjo për të siguruar që avantazhet e përfituesve kryesorë të mos cenohen kurrë. Shqipëria e sotme duket se po i ngjan përherë e më shumë këtij realiteti, dhe jo Europës që ëndërruam 30 vjet më parë..
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.