Tërmeti i 26 nëntorit ka bërë që ekonomia vendase të shënojë rënie në tremujorin e fundit të vitit, me disa sektorë, që kanë shënuar tkurrje, ku më i fortë ishte reduktimi i ndërtimit. Ndërkohë që rritja vjetore vlerësohet të jetë ngadalësuar në 2.2%, nga 4% në 2018-n dhe më e ulëta që nga viti 2014.
Sipas të dhënave të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e katërt të vitit 2019 vlerësohet me rënie prej 0,15 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2018. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Industri, Energji dhe Ujë me +1,06 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,43 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,37 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,23 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,16 pikë përqindje dhe Informacioni dhe Komunikacioni me +0,00 pikë përqindje. Negativisht kontribuani aktivitetet,Ndërtimi me -1,68 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me -0,45 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,38 pikë përqindje dhe aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me – 0,21 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,33 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katër të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018, shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 1,59 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 8,83 %. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë Industria nxjerrëse e cila ka shënuar një rritje me 11,69 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rënie me 14,77 %. Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 2,48 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 0,07 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 9,84 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 6,67 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 6.45 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pësoi rritje 1,20 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 12,48 %. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2,76 %.
Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2019, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, pati rritje prej 2,21 % krahasuar me vitin 2018.
Ngadalësohet konsumi
Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e katërt të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018, shfaqen si më poshtë:
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,64 %.
Konsumi final i qeverisë u rrit me 2,63 %.
Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u ul me 12,08 %.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 9,85 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0,77 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.