Flet Elton Domnori, Pedagog/Përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë Kompjuterike, Universiteti Metropolitan
Një nga problematikat e kompanive vendase është se nuk përqendrohen te tregu vendas, duke qenë ky një treg i vogël dhe jo shumë përthithës i ideve të reja.
Kështu shprehet Elton Domnori, pedagog në fushën e shkencave kompjuterike.
Sipas tij, po hidhet vështrimi drejt “out-sourcing”, ku Shqipëria të përdoret si një mundësi për të zhvilluar produkte/shërbime me kosto të ulët dhe kjo bën që kryesisht të rinjtë, nisur nga faktori ekonomik (pagesat) dhe siguria në tregun e punës (klienti tashmë ekziston) të mos joshen të ngrenë një sipërmarrje të tyre…
Në listën e 200 kompanive më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, nga një kërkim që ka bërë “Monitor” rezulton se nuk ka sipërmarrës të rinj aksionerë. Mbizotërojnë aksionerët e ditëlindjes së para viteve 1970. Sipas jush, pse mungojnë sipërmarrësit e rinj në bizneset më të mëdha në vend?
Në parim, që një kompani të arrijë nivele të tilla (top 200) i duhet një maturi kohore dhe natyrshëm janë kryesisht persona që kanë hyrë në fushën e biznesit në një kohë të hershme.
Për më tepër, në fushën e teknologjisë ku jam më i familjarizuar me tregun vendas, janë të pakta ato kompani që mund të kenë xhiro vjetore kaq të lartë.
Ka një numër të konsiderueshëm sipërmarrjesh të vogla dhe të mesme që, megjithëse individualisht mund të mos jenë konkurruese për nga madhësia e kompanisë, luajnë rol të rëndësishëm në ekonomi për sa i përket shtrirjes dhe numrit të të rinjve të përfshirë.
Çfarë duhet bërë për të nxitur rritjen e sipërmarrësve të rinj?
Një nga problematikat që vërej te kompanitë është se nuk përqendrohen tek tregu vendas, duke qenë ky një treg i vogël dhe jo shumë përthithës i ideve të reja.
Kryesisht po hidhet vështrimi drejt “out-sourcing”, ku Shqipëria të përdoret si një mundësi për të zhvilluar produkte/shërbime me kosto të ulët. Ka një interes të shtuar të kompanive nga vendet e BE-së për t’u përqendruar në vendin tonë.
Kjo bën që kryesisht të rinjtë, nisur nga faktori ekonomik (pagesat) dhe siguria në tregun e punës (klienti tashmë ekziston) të mos joshen të ngrenë një sipërmarrje të tyre.
Pse ekonomia shqiptare nuk është e orientuar drejt inovacionit, që do të mundësonte zhvillimin e bizneseve të mëdha nga të rinjtë dhe çfarë duhet bërë për ta ndryshuar këtë?
A) Nevojitet që në vend të kemi një mbështetje për “know-how” në nivel zhvillimi/përmirësimi të produkteve/shërbimeve, në mënyrë që të jemi ne ofruesit e parë dhe jo nënkontraktorë.
B) Të ketë një mbështetje për të aksesuar tregun rajonal (së paku) në mënyrë që sipërmarrja të zgjerojë tregun potencial.
Në afatin e gjatë, çfarë problemesh pritet t’i sjellë ekonomisë shqiptare mungesa e sipërmarrësve të rinj dhe bizneseve inovative?
Në situatën aktuale, është e natyrshme që të joshim investimet nga kompanitë e huaja dhe të konsoliduara, duke ofruar një krah të lirë pune.
Në terma afatgjatë, duhet një politikë e ngjashme me vendet e Lindjes, të cilat, për shembull, pasi sollën fabrikat e prodhimit të pajisjeve elektronike, u bënë projektuesit e modeleve të reja si (Xiaomi, Huawei, etj.), apo si disa vende të BE-së (si p.sh. Italia) me anë të sipërmarrjeve të vogla/të mesme u përqendruan në disa produkte/shërbime specifike, por elitare.
Lexoni edhe:
Brezi i “humbur”; Pse mungojnë sipërmarrësit e rinj te VIP-at në Shqipëri?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.