Ekonomia shqiptare u rrit me pothuajse 6% në tremujorin e parë të vitit, duke dëshmuar se në këtë fazë efekti i valës inflacioniste ka qenë i kufizuar.
Sipas të dhënave nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto u vlerësua në rritje me 5,97% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontributin kryesor në rritjen ekonomike e ka dhënë sektorët e ndërtimit dhe ai i tregtisë.
Më konkretisht, Ndërtimi dha një kontribut pozitiv me +1,95 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,55 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,91 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,66 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,26 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,24 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,03 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,01 pikë përqindje.
Kontribut negativ në prodhimin e brendshëm bruto dhanë sektorët Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,35 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me – 0,18 pikë përqindje. Ndërkohë, Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,89 pikë përqindje.
Në terma të rritjes vjetore, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,11%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 1,38%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 25,49%.
Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 10,55%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 0,89%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 11,96%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 14,86%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe
Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 11,88%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rënie prej 1,29%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 14,44%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 7,03%.
Me matjen sipas metodës së shpenzimeve, shifrat e INSTAT tregojnë se rritja ekonomike u mbështet kryesisht tek investimet dhe tek konsumi privat, ndërsa kontributi i sektorit publik rezultoi në rënie.
Më konkretisht, konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 8,63%. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 2,79%.
Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 15,5%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 25,25%, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 17,62%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.