Lufta kundër korrupsionit, punësimi, vaksinimi i popullatës kundër Covid-19, rritja e prodhimit, eksportit, si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike do të jenë prioritetet e Albin Kurtit, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Njohësit e ekonomisë kanë folur për “Monitor” për ekonominë në Qeverinë Kurti
Nga Fatos Shala
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, prezantoi programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se dëshirojnë “të nxjerrin Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.
Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, siç ka deklaruar Kurti, do ta ketë në fokus të menjëhershëm përballjen me pandeminë e koronavirusit, ku do të krijohen kushtet që shpjegimet dhe rekomandimet e ekspertëve të jenë bazë për çdo vendim që do të merret nga institucionet.
Ekonomia që ai synon, siç ka thënë, duhet të jetë pa monopole, por me ndërmarrje publike, të cilat operojnë suksesshëm, si dhe një ekonomi ku fuqizohen komunat në mënyrë që ato të vendosin vetë për prioritetet.
Por, si e shohin njohësit e ekonomisë dhe përfaqësuesit e odave ekonomike ardhjen e Albin Kurtit në pushtet dhe çfarë presin ata në aspektin ekonomik.
“Monitor” ka marrë deklarata dhe prononcime nga ata që e njohin ekonominë e Kosovës më së miri.
Kryetari i Odës Ekonomike i Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se është mirë që qeveria e re të merret sa më shpejt me trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia.
Rukiqi ka folur për disa nga çështjet të cilat duhet të jenë prioritet ekonomik i qeverisë së ardhshme.
“Qeveria e re duhet ta trajtojë menjëherë çështjen e rikuperimit të dëmeve të shkaktuara nga pandemia dhe pasojat e shkaktuara në vitin që lamë pas, por edhe sfidat e këtij viti. Duhet të merret me buxhetin, ndarjen e tij, prioritetet që duhet të vendosen”, ka thënë Rukiqi
I pari i Odës Ekonomike ka thënë se hapat e parë të qeverisjes së ardhshme duhet të jenë: fokusimi në forcimin e sektorit privat, sektori i energjisë dhe angazhimi në drejtim të shkathtësive të tregut të punës.
“Pasojat e shkaktuara nga pandemia janë ende evidente, prandaj ky duhet të jetë fokusi kryesor, pa anashkaluar asnjëherë forcimin e sektorit privat, aftësimin në shkathtësitë që i kërkon tregu, krijimin e vendeve të punës, si dhe fokusimin në sektorin e energjisë”.
Rukiqi ka dhënë edhe një mendim lidhur me raportet Kosovë-Shqipëri, duke thënë se dy shtetet duhet të bëjnë më shumë për të fuqizuar bashkëpunimin.
“Nuk kisha dashtë të flas shumë për raportet politike mes dy shteteve. Por, ajo që është me rëndësi për shtetet tona, janë problemet ekonomike që përballemi tash e shumë vite. Në këtë aspekt, edhe qeveria në ardhje duhet të punojë më shumë, edhe qeveria e Shqipërisë duhet të jetë më e hapur në krijimin e kushteve më të mira”.
Edhe drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë se si pasojë e stabilitetit politik në vend, sektori privat është përballur dhe vazhdon të përballet me shumë sfida.
Ai ka bërë thirrje për krijimin sa më parë të institucioneve të reja.
“Ne si Odë e Afarizmit e Kosovës jemi duke monitoruar punën të cilën është duke e kaluar sektori privat. Si pasojë e mungesës së qeverisjes stabile dhe stagnimit të shumë ligjeve dhe projektligjeve që kanë të bëjnë me ekonominë, sektori privat vazhdon të sfidohet”.
Krasniqi ka thënë se bizneset në Kosovë po përballen me humbje të mëdha.
“Bizneset në Kosovë po përballen me humbje të mëdha. Kjo po ndodh edhe si pasojë e pandemisë, por edhe jostabilitetit politik. Bizneset janë duke u përballur me vështirësi financiare, pa mundur t’i mbulojnë as shpenzimet”.
Kurse, eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se formimi i shpejtë i qeverisë duhet të ndodhë në funksion të zhvillimit ekonomik, mirëqenies sociale dhe proceseve integruese.
“Besoj se në këto zgjedhje fitoi Kosova dhe qytetarët e Kosovës, gjë që treguan modelin që duhet të ndiqet edhe nga vendet e ndryshme europiane dhe një dalje e tillë masive e qytetarëve për të votuar është mesazh i qartë se qytetarët janë për ndryshim dhe për një ardhmëri siç e meriton civilizimi. Në këtë drejtim, dua të besoj se është obligim moral i fitueseve që të bëjnë çmos që të krijojnë institucionet e reja dhe demokratike në interes të shtetit dhe të qytetarëve, gjithnjë duke pasur parasysh kohën e pandemisë që jemi”, ka thënë ai.
Gërxhaliu u shpreh se çdo bllokadë politike për formimin e institucioneve do të shkojë në disfavor të ekonomisë së vendit dhe në favor të kundërshtarëve politikë të Republikës së Kosovës.
“Problemet e grumbulluara janë shumë të mëdha, qoftë në aspektin politik, ekonomik, social, integrues dhe psikologjik. Prandaj, dua të apeloj tek lidershipi që të mos krijohet bllokadë ekonomike, pasi do ta dëmtojnë Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe kjo bllokadë do të shkonte në favor të kundërshtarëve të Republikës së Kosovës”.
Ai ka thënë se qeverisja e re duhet t’i ketë në fokus ndërmarrjet publike, ruajtjen e partneritetit me ShBA-në dhe Europën, si dhe fokusimin në kapacitete gjeneruese.
Sipas Gërxhaliut, udhëtimet e para të kryeministrit të ri duhet të jenë në Uashington, Bruksel dhe Berlin.
Fokus i veçantë, sipas Gërxhaliut, duhet t’u jepet ndërmarrjeve publike, gjegjësisht sipas tij, qytetarët e Kosovës, duhet ta dinë se çfarë do të ndodhë me to.
“Në kampanjën zgjedhore kemi parë programe teorike, por qytetari i Kosovës duhet ta dijë çfarë do të ndodhë me ndërmarrjet publike që janë shndërruar në barrë të rëndë për qytetarët si Posta dhe Telekomi i Kosovës, ‘Trepça’ dhe çfarë do të ndodhë me kapacitetet prodhuese që i ka Kosova, dhe po ashtu cili do të jetë fati i procesit të privatizimit që nga AKP-ja është ndërruar në biznes privat. Duhet të dimë, po ashtu, se a do të bëhet një reformë e administratës publike pa e anashkaluar rëndësinë e dialogut për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe shumë sfida të tjera”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.