2019-a shënoi një kthim në rrjedhën normale të tregjeve në zhvillim. Është një ndryshim rrënjësor nga viti 2018, që solli mjerim për të gjithë ata që besonin në rritjen e shpejtë të ekonomive në botë, pasi indeksi MSCI i tregjeve në zhvillim shënoi një rënie shumë të lartë. Në vitin 2019, indeksi u rrit me 14 për qind. Edhe pse kjo është një vlerë e kënaqshme, ajo është sa gjysma e fitimit të parë në disa prej tregjeve të zhvilluara. Indeksi gjithashtu mbetet poshtë vlerës prej 6 për qind (në terma të dollarit amerikan) që nga fillimi i vitit 2018, shkruan Alex Rankine për “Money Week”.
Viti 2019 ka qenë i trazuar për shumë ekonomi në zhvillim. Tensioni i vazhdueshëm tregtar SHBA-Kinë ishte një goditje e fortë për ekonomitë, që varen nga eksportet, në Azinë në zhvillim, ku eksportet e Koresë së Jugut u ulën me 14.3 për qind në nëntor, me bazë vjetore. Trazirat civile bënë që Hong Kongu të hynte në recesion, ndërsa në Amnerikën Latine trazirat civile tronditën shumë shtete, me indeksin e MSCI në Kili që ra me rreth 16 për qind.
Bankat Qendrore të tregjeve në zhvillim iu përgjigjën një situate të tillë duke iu bashkuar trendit global dhe duke shkuar drejt lehtësimit monetar. Banka e Rusisë ka proceduar me pesë ulje të njëpasnjëshme të normave të interesit deri në dhjetor, shprehet Simon Kennedy nga Bloomberg. Në Turqi dhe Ukrainë, Bankat Qendrore ulën normat me 2% në fillim të këtij muaji.
Vendet me ecurinë më të mirë
Europa në zhvillim u dallua për disa “performanca të mira” gjata 2019, shprehet Ben Hobson nga Stockopedia. Tregu i Greqisë u godit rëndë në vitet pas krizës financiare, por një ekonomi më e mirë dhe stabiliteti politik i dhanë asaj një “rikuperim të lartë” këtë vit, ku indeksi kryesor shënoi një rritje pre 49%.
Rumania është një shtet tjetër që mund të përmendet si shembull në këtë drejtim, theksuan Veronika Glyas dhe Irina Vilcu nga Bloomberg. Me një “qeveri të re në krye dhe mbi të gjitha miqësore ndaj tregjeve”, Rumania arriti që të shënojë një rritje prej 30 për qind në tregun e aksioneve të saj gjatë 2019-s.
Megjithatë aksionet e saj janë ende në nivele shumë të ulëta. Aksionet ruse gjithashtu shënuan rritje gjatë 2019, me një fitim rreth 39 për qind. Rikuperimi në Rusi është “një fenomen më shumë sesa një vjeçar”, shprehet Sumit Roy nga etf.com.
Aksionet iShares MSCI Rusia ETF janë rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga viti 2016, kur aksionet e vendit morën “një goditje shumë të rëndë” si pasojë e sanskioneve të vendosura nga Perëndimi dhe ndryshimit të çmimit të naftës.
Rusia është akoma një ndër tregjet më të lira në botë, por kjo ndodh sepse ajo mund të shkaktojë rreziqe të shumta gjeopolitike dhe sidomos në drejtim të çmimeve të naftës. Indeksi i aksioneve kineze CSI 300 shënoi një rikuperim mbresëlënës prej 35 për qind, një rikuperim ky i pritur prej shumë kohësh, pasi investitorët ishin shumë të shqetësuar për rënien prej 27 për qind, të shënuar në 2018.
Cilat janë pritshmëritë për 2020
Ekonomitë në zhvillim do të përballen me shumë pengesa të mundshme në vitin 2020, shprehet Paul Wallace nga Bloomberg. Ngadalësimi i rritjes në Kinë dhe Indi kërcënon të dëmtojë klasën e aseteve në tërësi, megjithatë ekzistojnë shumë specifika për shtete të ndryshme në veçanti. Në një këndvështrim më pozitiv, vendimi i Rezervës Federale amerikane për të mos rritur më normat e interesit deri në vitin 2021, mund të jetë një avantazh në këtë drejtim, shprehet Jerome Powell.
Normat e ulëta të interesit për një periudhë të gjatë, do ta mbajnë dollarin amerikan në nivele të ulëta, që do të thotë gjithashtu kosto më e lirë e huazimit. Sipas, Capital Economics, lehtësimi monetar do të vazhdojë në të gjithë ekonomitë në zhvillim.
Me ciklin e elektronikës aziatike dhe çmimet e mallrave kryesore në rritje, rritja e eksportit është si pasojë e një rikuperimi të mundshëm. Megjithatë, ata që shpresojnë të rikthehen në periudhën e fillimit të viteve 2000, ku rritja ishte shumë e shpejtë, mund të zhgënjehen gjatë dekadës së ardhshme.
“Procesi i reformës dhe liberalizimi i tregut ka ngecur në shumë tregje të mëdha në zhvillim”. Investitorët duhet të tregohen të zgjuar dhe të zgjedhin “ekonomi të pozicionuara mirë dhe të mirë menaxhuara”, nëse duan të kenë një performancë sa më të mirë gjatë 2020.