Eksportet e bimëve mjekësore janë dyfishuar në dekadën e fundit, por biznesi është në dilemën e ruajtjes së identitetit të bimëve që rriten në gjendje të egër, apo kultivimin në fushë për të zgjeruar tregun. Shpopullimi prej emigracionit të zonave ku rriten bimët e egra po rrit kostot në mal, teksa kultivimi në fushë nuk mbështetet me subvencione. Si po diversifikohen kompanitë në prezantimin e çajeve bio në tregun e brendshëm
Blerina Hoxha
Eksporti i bimëve mjekësore u katërfishua në 10 vitet e fundit, por zgjerimi i mëtejshëm i tregut është në presionin e pamundësive për të marketuar prodhimin e egër dhe kostove të larta që e bënë jokonkurrues prodhimin në fushë. Vitin e kaluar, sipas INSTAT, vlera e eksporteve arriti në 3.9 miliardë lekë, nga rreth 2.1 miliarde milionë lekë në vitin 2008. Filip Gjoka, nga Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Shqiptare, thotë se eksportet po rriten me ritme dyshifrore pasi kërkesa botërore për bimët mjekësore është në zgjerim. Nga ana tjetër, Shqipëria është para disa mangësive strukturore që po e pengojnë të rrisë fitimet që sjellin disa bimë unike që rriten në gjendje të egër në vendin tonë.
Plakja e popullsisë po e bën gjithnjë e më të pamundur mbledhjen e bimëve që rriten në terrene të vështira, teksa djegia e maleve për t’i kthyer ato në kullota ka ulur sipërfaqet e natyrore ku ato rriten. Midis pengesave të brendshme, kërkesa e jashtme për bimët shqiptare nuk është e qëndrueshme pasi kontraktorët kërkojnë sasi të mëdha të cilat kompanitë shqiptare të grumbullimit dhe të eksportit nuk i kanë. Operatorët e tregut pohuan se gjatë një panairi ku u ekspozuan bimët shqiptare, një biznesmen kinez kërkoi furnizim me boronicë në një muaj, aq sa Shqipëria prodhon në 10 vite. Nuk kanë munguar rastet kur ka pasur superprodhim dhe nuk ka pasur treg. Kjo ndodhi me sherbelën vitin e kaluar, ku kultivimi i saj në fushë me njëfarë jocilësore prishi emrin e mirë të bimës që rritet në gjendje të egër duke dëmtuar në tërësi eksportet e bimës që zë rreth 80% të eksportit të bimëve mjekësore në vendin tonë.
Gjoka tha se shoqata është organizuar këtë vit në të gjithë zinxhirin e sektorit, prodhuesit, grumbulluesit dhe eksportuesit dhe do të orientojë kultivimin dhe grumbullimin e bimëve në bazë të tregut të gjetur. Ai thotë se e ardhmja e tregut është kultivimi në fushë i farave të zgjedhura, për të cilat më parë është gjetur tregu.
Agim Rama, kultivues dhe grumbullues i bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe, thotë se tregu është i deformuar dhe të ardhurat nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme nga eksportuesit në hallkat e poshtme dhe sidomos me fermerët që mbjellin e kultivojnë bimët mjekësore. Rama tha se sektori do të mund të rregullohet dhe të maksimizojnë fitimet vetëm nëse formalizohet dhe nis e punon me kontrata. Ai tha se deri më sot, eksportuesit trajtojnë me çmime të ndryshme grumbullues të ndryshëm për të njëjtën bimë. Ai tha se çmimet shpesh vihen nga telefoni, pa asnjë garanci dhe pagesat nuk kryhen në kohë ndaj fermerëve.
Z. Rama tha se operimi me kontrata në sektor është emergjencë për të garantuar së pari të ardhurat e mijëra familjeve shqiptare që janë përfshirë në biznesin e bimëve mjekësore dhe janë nga shtresat më të varfra të Shqipërisë.
Eksportuesit dhe grumbulluesit e bimëve mjekësore pohuan se 2016-a ka qenë një vit i vështirë për bizneset, për shkak të kultivimit masiv të hashashit në të gjithë vendin. Operatorët pohuan se shumë grumbullues tradicionalë, vitin e kaluar, u impenjuan në kultivimin e hashashit kundrejt pagesave më të larta.
Në këtë mënyrë, ata neglizhuan korrjen dhe tharjen e bimëve sipas parametrave që kërkon eksporti dhe për pasojë, u grumbulluan më pak bimë dhe me cilësi të dobët. Kjo qe e dukshme për sherbelën, e cila dominon aktivitetin e bimëve mjekësore në vend. INSTAT raportoi se kultivimi i bimëve mjekësore vitin e kaluar ishte 200 tonë më pak se në vitin 2015. Eksportet ne tërësi ranë me 2.4 për qind vitin e aplikuar me rreth 100 milionë leke vitin e kaluar.
Kanabisi është kultivuar në terrene të njëjta ku rriten shumë bimë mjekësore dhe është korrur në të njëjtin sezon me disa bimë mjekësore, duke i vënë eksportuesit në vështirësi për përmbushjen e kërkesave të kontraktorëve të jashtëm. Hashashi prishi tregun, pasi grumbulluesit rritën pretendimin për pagesa më të larta nga partnerët e tyre tradicionalë, duke i krahasuar ato me fitimet e larta që erdhën nga kanabisi. Kompanitë që nuk pranojnë të denoncojnë fenomenin me emër bëjnë thirrje që kultivimi i kanabisit të vihet nën kontroll, pasi rrezikon të shkatërrojë sektorin e bimëve mjekësore.
Operatorët e mëdhenj, rritje të xhiros me ritme dyshifrore
Eksporti i bimëve mjekësore, vitin e kaluar, arriti në 3.9 miliardë lekë, ose 29 milionë euro. Të ardhurat që u realizuan nga shitjet u ndanë kryesisht mes 10 eksportuesve më të mëdhenj. Disa nga operatorët e mëdhenj patën rritje dyshifrore vitin e kaluar, por disa pësuan edhe rënie.
Filip Gjoka, i cili njëkohësisht është edhe zotërues i kompanisë më të madhe të eksportit të bimëve mjekësore, Filipi CO tha se, eksportet janë rritur në tërësi vitin e kaluar me 11%, me gjithë disa vështirësi që shfaqi tregu ndërkombëtar.
Ai tha se vitin e kaluar, çmimi i sherbelës në tregjet ndërkombëtare shënoi ulje dhe kjo frenoi rritjen e eksporteve shqiptare, të cilat në pjesën dërrmuese të tyre dominohen nga kjo bimë. Sipas të dhënave nga bilancet që referohen deri në vitin 2015 shihet një rënie e shitjes për operatorin më të madh në treg, Filipi CO me 4%, por siç pohon administratori i saj, situata është rikuperuar vitin në vijim. Shitjet e Filipi CO ishin 454,8 milionë lekë në vitin 2015 nga 477 milionë lekë në vitin 2014. Por ai tha se në vitin 2016, situata është përmirësuar, pasi Shqipëria eksporton gjithsej 80 bimë mjekësore aromatike, që kanë kompensuar rënien e çmimit të sherbelës.
Operatorët e tjerë të mëdhenj kanë pasur rritje. Kompania Xhedra çoi në 377 milionë lekë të ardhurat nga eksportet më 2015 duke pasur një rritje vjetore me 22%.
Gjithashtu Herba Fructus, operatori tjetër i madh i eksportit të bimëve mjekësore, i rriti të ardhurat nga shitjet me 31% në vitin 2015, në raport me një vit më parë, duke siguruar 438 milionë lekë të ardhura, ose 3,2 milionë euro xhiro vjetore.
Ritmet e rritjes së eksporteve ranë disi me vitin 2016, në 11%, por disa faktorë, sipas disa operatorëve, lidhen edhe me kultivimin e hashashit.
55% e eksporteve në Gjermani dhe SHBA
Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë oazi i eksporteve shqiptare të bimëve mjekësore. Nga 3.9 miliardë që ishte vlera e eksporteve më 2016, 1.1 miliardë lekë ose 28 për qind e tyre patën destinacion Gjermaninë, ndërsa SHBA-të renditen të dytat si destinacion i bimëve mjekësore shqiptare me një vlerë 1 miliardë lekë ose 26 për qind e totalit. Turqia, Italia, Franca vijnë më pas në renditje. Por gjeografia e eksporteve të bimëve medicinale në totalin e saj është mjaft interesante.
Vitin e kaluar kompanitë shqiptare kanë mundur të eksportojnë deri në Korenë e Jugut, Indi, Pakistan, Sri Lanka, Malajzi, Irlandë Marok etj. Eksportuesit pohojnë se janë disa klientë nga vende të largëta të cilët porositin vajra dhe esenca. Por 70-80 për qind të totalit të eksporteve dominohet nga sherbela, e cila zë një pjesë të konsumit të këtij produkti në SHBA dhe në Gjermani.
Eksportuesit bëjnë me dije se, gjithnjë e më shumë po shtohen llojet e bimëve dhe esencave mjekësore për eksport, pasi kërkesa në tregun ndërkombëtar po vjen gjithnjë e në rritje.
Rreziku nga plakja dhe shpopullimi
Grumbullimi i bimëve mjekësore në gjendje të egër po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe me shumë kosto, për shkak të shpopullimit dhe plakjes së popullsisë në zonat ku rriten bimët, thotë kryetari i Shoqatës, Filip Gjoka. Ai tha se kjo është sfida kryesore me të cilën po përballet biznesi i bimëve mjekësore në vendin tonë.
Sipas të dhënave të INSTAT, më 1 janar 2017, Tirana zë rreth 30,0% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, e ndjekur nga Fieri (11,0%), Durrësi (10,0%) dhe Elbasani (10,0%).
Vetëm 3 qarqe shënuan rritje të popullsisë gjatë viteve 2001-2017, përkatësisht Tirana, Durrësi dhe Vlora. Të gjitha qarqet e tjera pësuan një tkurrje të numrit të popullsisë gjatë 2001-2017 dhe kjo vjen kryesisht si pasojë e lëvizjeve të brendshme, drejtuar në qendrat urbane, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Qarku i Gjirokastrës paraqet numrin më të ulët të popullsisë dhe zë vetëm 2,3% të popullsisë gjithsej më 1 janar të 2017, i ndjekur nga Qarku i Kukësit, i cili zë 2,8%. Në këtë qark rriten një pjesë e madhe e bimëve mjekësore si rigoni i kuq, boronica, trumza etj. Zoti Gjoka thotë se tradicionalisht, bimët mjekësore janë mbledhur nga moshat e reja. Në këtë sektor, të punësuarit janë sezonalë dhe kryesisht nxënësit e shkollave dhe studentët, të cilët grumbullonin të ardhurat për fillimin e sezonit të ri shkollor. Por tashmë numri i të rinjve ka rënë në mënyrë drastike në këto zona prej emigracionit dhe zhvendosjet e popullsisë së re më afër qendrës së Shqipërisë. Për pasojë, grumbullimi i bimëve të egra po vështirësohet, pasi është një proces që nuk mund të bëhet kryesisht nga mosha të thyera, për shkak të terreneve të vështira ku rriten këto bimë. Plakja e popullsisë në Shqipëri po avancon me ritme të shpejta dhe kjo duket se po e ndikon strukturën e ekonomisë më shpejt se sa pritet.
Sipas të dhënave nga INSTAT, grupmosha 60-79 vjeç më 1 janar të 2001 përbënte rreth 10,0% të popullsisë gjithsej, ndërsa më 1 janar të 2017 kjo grupmoshë zë rreth 17,0%. E njëjta dukuri vërehet për grupmoshën 80 vjeç e lart, e cila zinte vetëm 1,3% të popullsisë gjithsej në 2001 ndërsa në 2017 zë 2,4%. Nga ana tjetër, grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie, duke zënë vetëm 18,0% më 1 janar të vitit 2017, krahasuar me rreth 30,0% që zinte më 1 janar të vitit 2001.
Ulja e numrit të të rinjve dhe rritja e numrit të të moshuarve, pra plakja e popullsisë, vjen si pasojë e rënies së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë, por kjo tendencë ka nisur të japë efekte negative te forca e punës. Në vitin 2016, forca e punës në grupmoshën 15-29 vjeç u ul me mbi 4% në raport me një vit më parë.
Dilemat mes kultivimit dhe të egrës
Në dekadën e fundit, tregjet e jashtme, sidomos në SHBA, shfaqën një kërkesë të madhe për sherbelën shqiptare. Por grumbullimi i të egrës që rritet gurinave të maleve nuk mjafton, ndaj duke parë këtë interes, edhe qeveria e para 2013-s nxiti kultivimin e saj në këtë fushë. Bima nisi të mbillej në ara masivisht në Malësinë e Madhe ku mbi 2 mijë hektarë u vunë në dispozicion. Disa e shkulën sherbelën e malit dhe e mbollën në fushë dhe të tjerat importuan farat e sherbelës nga jashtë, cilësia e dobët e së cilës dëmtoi më pas imazhin e mirë të sherbelës shqiptare. Cilësia e sherbelës së kultivuar ra shumë për shkak se fara që ishte prodhuar në laborator ishte edhe kontaminuar. Për pasojë, prodhimi i bimëve mjekësore pa një rënie të fortë në vitin 2015 me rreth 38%. Por bima mjekësore që ishte shkëlqimi i eksporteve shqiptare në SHBA ka parë vështirësi nga heqja e subvencioneve shtetërore ndaj bimës.
Para shumë vitesh, Turqia subvenciononte sherbelën, por cilësia nuk ishte si ajo dalmate, sikurse mund të rritet në malet tona. Qeveria turke subvenciononte pjesën që kultivuesit do të humbnin. Për shkak të marrëdhënieve tregtare me Turqinë, shumë kultivues shqiptarë kanë marrë farën turke. Operatorët e tregut thonë se ka humbur avantazhi konkurrues i sherbelës së egër. Kultivimi u nxit, tani ka ngelur stok. Me 1,5 dollarë që ka arritur çmimi i sherbelës aktualisht nuk ka interes për shqiptarët që të subvencionohet. Kjo rrezikon të ndodhë edhe me çajin e malit, kultivimi së fundmi në fushë e humb cilësinë dhe damkos emrin e mirë që bima ka aktualisht.
Problemet me farën nuk ekzistojnë më, por mbështetja me subvencione nuk është rikthyer për të rritur prodhimin e bimës.
Në vitin 2015 u prodhuan 10.8 tonë sherbelë nga 17.4 tonë që ishin më 2014. Rënia vijoi edhe vitin e kaluar, me rreth 200 tonë sipas të dhënave të INSTAT.
Në vitin 2012, me përfshirjen në skemën e subvencioneve filloi të rritet kultivimi i bimëve mjekësore në vend.
Deri para pak vitesh, sektori mbështetej vetëm në grumbullimin e përpunimin e bimëve të egra, të cilat edhe pse kanë më shumë vlerë në treg, nuk krijojnë hapësirë për të rritur eksportet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2012 u dhanë mbi 26 milionë lekë për mbështetjen e fermerëve që kultivojnë bimë mjekësore, teksa u mbollën 376 hektarë me bimë mjekësëre, kryesisht sherbelë. Mirëpo heqja e skemës së subvencioneve për bimët mjekësore i çoi për poshtë zhvillimet në sektor e për pasojë, edhe eksportet e këtyre produkteve me mjaft reputacion në tregun ndërkombëtar. Ndërkohë, operatorët tregut ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me zhvillimin e industrisë. Disa eksportues që operojnë në këtë fushë që nga viti 1990 mendojnë se Shqipëria duhet të ruajë brandin e bimëve të egra pa synuar kultivimin e tyre në fushë. Pra në vend të sasisë, ata rekomandojnë shtimin e vlerës së produktit nëpërmjet marketimit bio dhe ofrimit si të tillë në tregjet ndërkombëtare. Sherbela e egër e maleve tona, boronica dhe çaji i malit, duhen të certifikohen bio për t’i ofruar më pas me një vlerë më të lartë. Nëse sot Turqia po furnizon tregun me sherbelë të kultivuar që nuk kushton më shumë se 2 dollarë për kilogram, sherbela e egër e Shqipërisë duhet të shitet së paku 10 herë më shumë. Operatorët që synojnë të ruajnë traditën e bimëve të egra thonë se kërkesa e tregut ndërkombëtar për këto produkte është gjithnjë e në rritje përpos çmimit të lartë.
Mirëpo kryetari i shoqatës, Filip Gjika, njëkohësisht edhe eksportuesi më i madh i bimëve mjekësore në vend mendon se, kultivimi i bimëve është i pashmangshëm. “Ne duhet t’i trajnojmë fermerët dhe t’i mbështesin me subvencione për mbjelljen e bimëve. Gjithashtu duhet t’u sigurojmë kontrata dhe tregje të sigurta duke e parablerë prodhimin. Pasi bimët e egra po bëhen gjithnjë e më vështirë për t’u grumbulluar për shkak të shpopullimit të zonave ku rriten këto bimë”, – tha Gjoka.
Bimët mjekësore në vendin tonë në më shumë se 80% të totalit shiten si lëndë e parë pa u përpunuar, duke humbur në pjesën të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase. industria e përpunimit në vendin tonë vuan pasojat e mungesës së ekonomisë së shkallës dhe kjo vlen edhe për bimët mjekësore.
Aktualisht kompanitë nuk kanë mundësi të investojnë në teknologji për të rritur vlerën e produkteve shqiptare. Eksportuesit në themel të investimit të tyre kanë kapitalin njerëzor, ku pjesa më e madhe proceseve bëhet nga punonjësit teksa ekzistojnë vetëm disa makineri për paketim dhe presim. Ndërkohë që po përpunimi i tyre në pasta dhe esenca dhe në produkte gjysme të gatshme do t’i rriste më tej fitimet e kompanive. Por Gjoka thotë se, me hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE, eksportuesit e bimëve mjekësore do të mund të përfitonin shumë nga financimet e BE-së. Procesi i anëtarësimit parashikon më shumë financime për bujqësinë dhe përkatësisht për industrinë e përpunimit.
Biznesi i të varfërve
Bimët mjekësore janë një biznes që e lakmon shumëkënd, për shkak të rritjes së kërkesës në tregje dhe, nga ana tjetër, ndoshta është industria e vetme që shpërndan të ardhura në familjet më të varfra në vend. Gjoka thotë se rreth 90 mijë familje në të gjithë vendin janë të punësuar direkt apo sezonalisht në biznesin e bimëve mjekësore që nga kultivuesit, grumbulluesit, transportuesit dhe eksportuesit. Pjesa më e madhe e këtyre familjeve përfaqësojnë shtresat më të varfra në vend, njerëz që nuk kanë tokë dhe bagëti dhe synojnë të nxjerrin të ardhurat nga pylli, duke i vjelë gjërat e vlefshme. Shumë prej këtyre punonjësve janë sezonalë. Për rrjedhojë të ardhurat shkojnë qarqet më të varfra të vendit si Kukësi, Dibra, Librazhdi, Elbasani dhe Skrapari. Mirëpo industria synon që të lobojë më shumë në drejtim të gjetjes së hapësirave të reja edhe nëpërmjet kultivimit, në mënyrë që fitimet të maksimizohen për të gjithë zinxhirin që është i angazhuar në industrinë e bimëve mjekësore.
ATC, diversifikim në tregun e brendshëm me çajet bio kurative
Përvoja e gjatë me eksportin e bimëve mjekësore, që prej vitit 1992, pasioni për bimët dhe kërkimi shkencor u kombinuan nga themeluesi i kompanisë ATC Natyral, Ylian Liperi, për diversifikimin drejt një modeli novator dhe unik biznesi. Duke kërkuar për vlerat e bimëve, ai krijoi çajra bio me veti të ndryshme qetësuese, nga ato kundër gripit, antioksidantë, për qetësimin e stomakut, lehtësimin e ulçerës, dobësim, anti-stres, anti-duhan, anti-celulit, anti-diabetik, anti-kolesterol, anti- varice, për kollë, prostatë, veshka, e deri ta ato afrodiziakë.
Sot, kur Yliani nuk jeton më, biznesi po drejtohet me të njëjtin pasion, nga i biri, Orgesi. ATC Natyral ndoshta është një nga kompanitë para të eksportit të bimëve mjekësore e orientuar drejt një modeli që siguron qëndrueshmëri afatgjatë.
Kompania, e cila është e vendosur në Shkozet të Durrësit prej 25 vitesh, ka ruajtur me fanatizëm grumbullimin dhe eksportimin e bimëve mjekësore të egra, por së fundi, ata kanë zhvilluar një plan biznesi për zgjerim në tregun e brendshëm. ATC është e para që ka kapur trendin e të konsumuarit bio edhe në Shqipëri ndaj vitet e fundit, ajo është në tregun vendas me çajet natyrale. Farmacitë dhe supermarketet kanë tashmë një kënd të posaçëm ku tregtohen çajet bio të egër të ATC, teksa Orgesi pohon se kërkesa vendase për këto produkte është në rritje. Kjo rritje po i inkurajon që të zhvillojnë biznesin e çajeve bio edhe më tej. Së fundmi, kanë investuar në teknologji të posaçme për këtë qëllim. Çajet e egra të Shqipërisë do të shiten edhe me bustinë. Administratorët kanë gati kampionët e para dhe thonë se çajet janë në gjendje të egër pa konservues, as ngjyrues dhe shumë shpejt do të nisë shpërndarja nëpër lokale. Bustinat do të përmbajnë boronicë, sherbelë, çaj mali. Kjo hapësirë në tregun vendas, përveçse do t’i sigurojë më shumë të ardhura kompanisë, më kryesorja është se do t’u ofrojnë shqiptarëve mundësinë të konsumojnë çaj bio në bare e restorante. Kjo mënyrë diversifikimi do të sigurojë të ardhura edhe për zinxhirin e shitjes me pakicë në vend dhe do të maksimizojë vlerën që mbetet në ekonominë shqiptarë të çajeve me bimë të egra.
Administratori i ATC pohon se tendenca e konsumatorëve për të konsumuar bio po nxit shitjet dhe ai po sheh me shumë optimizëm zhvillimet në tregun e brendshëm. Për t’i bërë sa më të dobishme produktet e tyre, pronarët e saj janë thelluar në literaturën e trajtimit të bimëve dhe çajeve.
Kompania kërkon nga autoritetet shqiptare të zhvillojnë më tej legjislacionin kombëtar në mënyrë që të lejojë kombinimin e çajeve për qëllime mjekësore.
Ndërkohë planet e kompanisë ATC do të vijojnë me shitjet online të çajeve bimore. Kompania ATC është e specializuar në mbledhjen, seleksionimin, pastrimin, përpunimin dhe import-eksportin e bimëve aromatike- mjekësore, si dhe të derivateve të tyre. Përveç këtyre, ATC merret me prodhimin e vajrave esenciale, duke shfrytëzuar ingredientët aktive tepër të vlefshëm që gjenden në bimët e egra në natyrë. Kushtet gjeo-klimatike të Shqipërisë favorizojnë biodiversitet të larmishëm bimësh dhe erëzash, të njohura për përbërësit aktivë dhe vajrave esenciale që përmbajnë. Kompania zotëron një rrjet të gjerë grumbulluesish në të gjithë Shqipërinë, me degë në veri dhe në jug të vendit.
Drejtuesit e kompanisë thanë se sektori duhet të mbështetet me më shumë investime. Ata gjithashtu konsiderojnë të rendësishëm ndërgjegjësimin në zonat rurale që të mos djegin pyjet dhe kullotat.
——————————-
Gjoka: Po vështirësohet grumbullimi i të egrave, ja planet
Filip Gjoka, kryetari i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Shqiptare, thotë se eksportet po zgjerohen me ritme dyshifrore pasi kërkesa botërore për bimët mjekësore është në rritje, por tregu po vuan pasojat e mungesës së organizimit. Rënia e çmimit të sherbelës në mbi 100% në tregun ndërkombëtar ka vënë në vështirësi eksportet tha Gjoka, por rritja e gamës së produkteve që eksportohen i ka mbajtur shitjet në trend rritës. Ai tha se tregu u deformua nga kultivimi i sherbelës jocilësore, por shoqata i drejton fermerët në kultura si kultivimi i çajit të malit, melisës, rigonit me vaj sipas kërkesës së tregut dhe në bazë të kontratave.
Si ka qenë ecuria e industrisë së bimëve mjekësore vitet e fundit?
Që nga viti 2011 dhe në vijim, tregu është në trend rritës. Megjithëse nga 2016 e deri tani, aktualisht ka një rënie me 70% të çmimit të sherbelës në tregun ndërkombëtar, e cila zë një vend të madh në totalin e eksportit dhe rënia i ka ndikuar negativisht.
Me gjithë këtë rënie të çmimeve në tregjet e jashtme, eksporti i bimëve mjekësore pa një rritje me 11% për vitin 2016. Në vitin 2016, eksportet shënuan 3,4 miliardë lekë, ose sa 70% e vlerës së eksporteve të viteve 1990. Kjo do të thotë se tregu ka hapësira për zhvillim të mëtejshëm.
Çmimet në tregun ndërkombëtar kanë pësuar rënie për shkak të superprodhimit, por eksporti vijon të rritet, pasi përveç sherbelës janë edhe 87 artikuj në tregun e eksportit që po mbajnë trendin rritës. Në vitin 2008, eksportet e bimëve mjekësore nuk ishin më shumë se 5 milionë euro, teksa sot janë mbi 23 milionë euro.
Disa eksportues pohojnë se kultivimi i bimëve në fushë po dëmton imazhin e mirë të bimëve të egra. Si mendoni ju?
Para tre vitesh kishte një kërkesë të madhe për sherbelë, ndaj interesi i grumbulluesve u zhvendos edhe te kultivimi. Mirëpo përdorimi i farës holandeze të prodhuar në laborator e rriti rendimentin, por prishi brandin autokton shqiptar. Dhe duke parë këtë fenomen, të huajt nisën të ndryshonin destinacionin e importit. Ky fenomen tashmë është eliminuar, por vijon të mbetet problem mosorientimi i duhur i fermerëve.
A ka shanse për ta përmirësuar situatën?
Shoqata jonë ka plane konkrete në këtë drejtim. Qëllimi ynë është që të drejtojmë fermerët në kultura si në kultivimin e çajit të malit, melisës, të rigonit me vaj të lartë, të shtogut, kamomilit. rozmarinës etj., por prodhimi do të orientohet sipas tregut.
Vitin që vjen, bashkimi i operatorëve synon rritjen e eksporteve me 10% dhe ruajtjen e bimëve të cilat janë në zhdukje. Mbi të gjitha do të vendosim një konkurrencë të drejtë, kufij dysheme për çmimet e eksportit.
Cilat janë mundësitë për rritje të mëtejshme të sektorit
E para është përmirësimi i produktit në eksport. E dyta, rritja e sasive në eksport e bimëve organike, ku potenciali i vendit shfrytëzohet në vetëm 10% të kapaciteteve që kemi.
Por nga tjetër, shtimi i sipërfaqeve të kultivuara duke rritur gamën e shumëllojshmërinë e bimëve, duke ju përshtatur kërkesave të tregut është një mjet tjetër për rritjen e tregut.
Nëse Shqipëria merr asocimin në BE, shumica e kompanive në eksport do të kenë mundësi të rrisin teknologjinë në përpunim, pasi 80% e produkteve shiten si lëndë e parë.
Me çfarë vështirësish po përballet biznesi i bimëve mjekësore?
Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë probleme të mëdha që nuk po marrin trajtimin e duhur. Është zbrazur popullsia e zonave malore pikërisht ku janë bimët e egra.
Nuk ka kush t’i grumbullojë. Vështirësitë e tjera lidhen me mungesën e kontratave në treg dhe orientimin jo shumë të drejtë të fermerëve për kultivimin. Duhet të orientohen kultivuesit për farat dhe t’u sigurohet tregu më parë se ata të nisin kultivimin, pasi tregu ende vuan nga konkurrenca e pandershme dhe çmimet shpeshherë abuzive.
Çfarë do t’i këshillonit qeverisë se re për të përmirësuar klimën e biznesit në sektor?
Cilado qeveri që do të vijojë me të njëjtat fonde ka pak shanse që të zhvillojë më tej si industrinë e bimëve mjekësore, si dhe sektorë të tjerë të agropërpunimit.
Duhen politika në drejtim të përmirësimit të cilësisë në lëndën e parë dhe të rriten mundësitë për përpunim në tregun vendas.
Duhet të vijojë të zbatohet ligji për eksportuesit 100% në rimbursimin e TVSH-së në afatin 30-ditor. Duhet të ulen kostot e skanimit. Koncesioni ka rritur kostot për sasi të vogla, duke rritur në shumë raste çmimin në 15 lekë për kilogram. Unë paguaj për skanimin si për një kamion sherbelë dhe po kaq për një bidon esence. Këto tarifa jologjike duhet të hiqen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.