Financimi i shërbimeve sociale, sfida të pushtetit vendor

15/08/2020 10:02 PM 0 komente

*Nga Aida Cacaj, eksperte për pushtetin vendor pranë Shoqatës së Bashkive

 

Shërbimet sociale duhet të kenë vëmendjen e vazhdueshme të bashkive për të lehtësuar situatën shpesh mjaft të vështirë të personave në nevojë.

Për shkak të nevojave të mëdha dhe kompleksitetit të këtyre shërbimeve, progresi mund të jetë i ngadaltë por duhet të jetë i qëndrueshëm

 

Aida Cacaj, eksperte për pushtetin vendor pranë Shoqatës së Bashkive

Ligji organik për pushtetin vendor parashikon ofrimin e shërbimeve sociale, si funksion të vetë bashkive, duke nisur me:

1.Krijimin dhe administrimin e shërbimeve

2.Ndërtimin dhe administrimin e banesave për strehim dhe qendrave për ofrimin e shërbimeve sociale vendore.

Parë në këtë këndvështrim si funksione të veta, bashkitë do duhej të kishin burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për t’i ofruar këto shërbime dhe në përputhje me standardet e miratuara kombëtare.

Gjatë tre viteve 2016-2019, bashkitë përfituan transferta specifike të alokuara për financimin e funksioneve të reja, përfshirë dhe qendrat e shërbimeve sociale.

Dhe gjatë kësaj periudhe, por dhe më pas, bashkitë nuk kanë arritur të sigurojnë financimin e duhur në këtë fushë. Kjo për arsyen kryesore se shërbimet e transferuara nuk kanë qenë të financuara mjaftueshëm dhe para transferimit të tyre te bashkitë.

Edhe pse ka pasur një rritje të transfertës së pakushtëzuar pas mbarimit të periudhës tranzitore trevjeçare, kjo rritje, ashtu si dhe grantet e mëparshme specifike, nuk mundën të mbulojnë kostot shoqëruese për shërbimet sociale. Kjo duket nga situata aktuale e ofrimit të shërbimeve sociale në bashki. Sipas raportit të Drejtorisë së Shërbimit Social për 2019, janë 21 bashki ose 30%, të cilat nuk ofrojnë asnjë shërbim social.

 

Ofrimi dhe financimi i shërbimeve sociale përballet aktualisht me disa sfida:

Së pari është mungesa e tyre në një pjesë të bashkive shoqëruar dhe me pabarazinë e madhe mes bashkive për sa i përket numrit të shërbimeve të ofruara. Situata ku, ka ende bashki që nuk ofrojnë shërbime sociale (të paktën për pesë grupet shoqërore në nevojë) duhet adresuar sa më shpejt të jetë e mundur. Lidhur me këtë, qeveria mund të ndërmarrë nisma specifike, financiare dhe teknike, për ngritjen e strukturave parësore dhe më të domosdoshme në këto bashki.

Një mundësi tjetër mund të jetë bashkëpunimi ndërbashkiak, për bashkitë me popullsi të vogël, të cilat mund të bashkëpunojnë me bashki fqinje, për të siguruar ofrimin e shërbimeve, dhe me ngritjen e subjekteve të kompetencave të përbashkëta. Një mundësi e tretë do të ishte orientimi i ndihmës së huaj dhe projekteve në këtë fushë drejt këtyre bashkive.

Së dyti, ndërkohë që Fondi Social është një mënyrë efikase për ngritjen e shërbimeve sociale, në parametrat e shpërndarjes ka dy prej tyre që nuk favorizojnë bashkitë e vogla dhe ato më pak shërbime. Këto parametra janë numri i popullsisë (10%) dhe numri i shërbimeve sociale të ofruara (10%). Këto bashki do të ishin në disavantazh që në nisje me bashkitë e mëdha. Do të ishte e rëndësishme që nga ky fond të përfitonin sa më shumë bashki të jetë e mundur, dhe kjo mund të jetë politika e Fondit deri në një përmirësim të dukshëm të shërbimeve sociale vendore.

Gjithashtu, mund të nxitet aplikimi së bashku i bashkive (dy ose më shumë) me një projekt të vetëm.

  • Kostimi i shërbimeve sociale u lihet si detyrë bashkive në kuadër të përgatitjes së planeve të tyre sociale. Bashkitë kanë nevojë për udhëzime konkrete dhe specifike në buxhetimin e planeve sociale. Mendojmë se standardet kombëtare të miratuara duhet të shoqërohen dhe me standarde financiare (kosto) përkatëse. Ato do të ishin orientuese për bashkitë, të cilat do të mund t’i përshtasnin me kushtet aktuale.
  • Për të adresuar mungesën e shërbimeve, bashkitë duhet të vazhdojnë praktikën mjaft të mirë të bashkëpunimit me OJF të ndryshme, si një mënyrë efikase. Përmendim raste kur shërbimi ofrohet bashkërisht me bashkinë, ose kur bashkia siguron vazhdimësinë e një shërbimi me mbarimin e ndihmës së huaj.
  • Sfidë tjetër mbetet shtrirja e shërbimeve sociale në njësitë përbërëse administrative, çka do të kërkonte financim të shtuar për burime njerëzore dhe materiale.
  • Për të adresuar financimet e pakta, bashkitë duhet të eksplorojnë mundësi të përfitimit nga projekte, veçanërisht në fondet IPA, qoftë ato ndërkufitare me Italinë dhe Greqinë, apo të fondeve Interreg, ku Shqipëria është e përfshirë. Fatkeqësisht, numri i bashkive përfituese, por dhe zbatuese në këto programe është shumë i ulët. Shoqata e Bashkive, aktualisht është duke zbatuar një projektet financuar nga IPA Ndërkufitare me Greqinë.

Si përfundim, shërbimet sociale duhet të kenë vëmendjen e vazhdueshme të bashkive për të lehtësuar situatën shpesh mjaft të vështirë të personave në nevojë. Për shkak të nevojave të mëdha dhe kompleksitetit të këtyre shërbimeve, progresi mund të jetë i ngadaltë por duhet të jetë i qëndrueshëm.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of