“Ekonomia shqiptare pritet të ketë rritje më të lartë se në vitin 2013, si rrjedhojë e përmirësimeve në ekonominë europiane”, pohon për Monitor z. Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministër i Financave. Sipas tij, ndikim pozitiv do të ketë edhe ristrukturimi dhe rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat, ndonëse do të pengohet nga rritja e barrës tatimore dhe goditjes së kërkesës së brendshme nga rritja e tatimeve mbi konsumin. Por Shehu shton se ndikim negativ, përveç paketës fiskale, do të kenë ulja e investimeve publike me 8 miliardë dhe brenda tyre, ajo e investimeve në infrastrukturë me 7,8 miliardë lekë kundrejt vitit 2013, marrja mbi 30 miliardë lekë borxh për shpenzime administrative dhe ulja e mbështetjes direkte për fermerët. Edhe bllokimi i rritjes së pagave dhe pensioneve do të ndikojë negativisht në kërkesën e brendshme. Së fundi, shton Shehu, ekonomisë do t’i mungojnë politikat e reja ekonomike dhe projektet e reja të investimeve publike. Rruga e Arbrit dhe Korridori Jugut nuk ekzistojnë në listën e projekteve të investimeve, ndërsa korridori i gjelbër dhe i kaltër do të jenë referenca më e mirë e premtimeve të bujshme elektorale.
Për Ilir Binajn, ekspert kontabël, “performanca e dobët, moskrijimi i bizneseve me vizion afatgjatë në këto 20 vitet e fundit, mungesa e produkteve shqiptare që mund të konkurrojnë në tregun rajonal (të paktën), rënia e dërgesave nga emigrantët ka krijuar dhe do të vazhdojë të krijojë vështirësi serioze në ekonominë shqiptare që do të përkthehen në rënie konsumi dhe rënie mirëqenie”.
Ai shton se rritja e borxhit do të krijojë një frymëmarrje të përkohshme por përsëri problemet në lidhje me vizionin afatshkurtër mbeten. Duhet të fillojë të shtrohen bazat për një model më afatgjatë që krijon punësim dhe mirëqenie.
“Qeveria duhet të fillojë të marrë rol orientues në treg, duke përcaktuar disa objektiva afatgjatë. Lënia në dorë individit teorikisht ka konflikt me qasjen afatgjatë”, thotë Binaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.